– Konsulta e V e Sindesmos për problemet e edukimit teologjik orthodhoks –
Pjesëmarrja e KOASH në Konsultë
(Vijon nga numri i kaluar)
Në dy vjetët e fundit Kryepiskopi duke çmuar rëndësinë që ka prania e KOASh-it në veprimtaritë ekleziastike ndërkombëtare, i është përgjigjur pozitivisht ftesave që i janë bërë duke dërguar përfaqësues të saj në shumë mbledhje, konferenca, takime e konsulta, si në Gjenevë, Strasburg, Pragë, La Mendola-Bolzano, Beirut (Balamand), Selanik, Stamboll dhe së fundi në Halki, pranë Stambollit. Prania e delegacioneve të saj në këto veprimtari ndërkombëtare kanë pasur dhe kanë një rëndësi të madhe për afirmimin e saj në universin orthodhoks, për të mos munguar në “apel”, për të qenë përkrah kishave të tjera orthodhokse dhe kristiane, për të marrë pjesë në problemet që preokupojnë Orthodhoksinë ose Kristianizmin, për t’u bërë e njohur, për të krijuar lidhje të qëndrueshme dhe, mbi të gjitha, për një integrim të saj gradual dhe të plotë në komunitetin mbarë kristian.
Meriton të vihet edhe një herë në dukje se kudo që kanë marrë pjesë delegacionet e saj, janë pritur me shumë dashamirësi, ngrohtësi dhe simpati, megjithëse përfaqësues të një komuniteti të vogël orthodhoks dhe të një vendi të vogël ballkanik. Që të gjithë delegacionet janë bindur se kjo konsideratë e veçantë i kushtohet Kryepiskopit të saj, i cili është i njohur, i respektuar dhe gëzon një prestigj të lartë në botë. Një pritje gjithashtu e ngrohtë dhe plotë konsideratë iu bë delegacionit të saj në konsultën e Halkit.
Në konsultë delegacioni ynë dha një informacion mbi ringjalljen e KOASH-it dhe bëri disa propozime konkrete në mbledhjen e përgjithshme. Informacioni u ndoq me një interesim të veçantë, sepse ringjallja e KOASH-it, ndryshe nga kishat e vendeve ish-komuniste, bëhej në kushte të ndryshme.
– Shqipëria, ndryshe nga të gjithë vendet komuniste, u shpall shtet ateist (i pari dhe i fundit në botë). Pasojat qenë tragjike për të gjithë komunitetet fetare. U shkatëruan jo vetëm institucionet fetare dhe u shfaros kleri i tyre, por u bënë përpjekje për ta çrënjosur fenë nga ndërgjegja e njerëzve me mjete të presionit fizik, moral dhe psiqik. Në ish vendet e tjera komuniste feja dhe kishat u lanë të lira, natyrisht brenda kufizimeve komuniste;
– Pas rënies së komunizmit Shqipëria u përfshi nga një valë shkatërimesh apokaliptike. Ekonomia e cila në dhjetëvjeçarin e fundit shënonte rënien më të madhe, kaloi në gjendje kolapsi. Varfëria e përgjithshme vuri në pikëpyetje vetë ekzistencën biologjike të popullatës së saj. Po të mos ishte ndihma bujare e jashtme, vendin e priste katastrofa. Për pasojë as komunitetet fetare nuk mund të rimëkëmbeshin pa ndihmën nga jashtë
– Shqipëria është një vend pluralist nga pikëpamja fetare. Banorët e saj janë muhamedanë, orthodhoksë dhe katolike, me një maxhorancë islamike. Të tria këto komunitete fetare kanë jetuar kurdoherë në harmoni. Feja kurrë nuk i ka përçarë shqiptarët. Ata kanë vënë kurdoherë interesat kombëtare mbi interesat fetare. Ringjallja e saj nga një peshkop i huaj e bënte tepër të vështirë misionin e tij në një vend si Shqipëria, sepse injorimi i këtij realiteti mund të sillte tensione shoqërore me motive fetare. Por Kryepiskopi u njoh mirë me situatën dhe u orientua drejt qysh në fillim të punës së tij, duke vendosur marrëdhënie shumë të mira me drejtuesit e komuniteteve të tjera fetare mbi baza tradicionale të respektit të ndërsjelltë dhe, në këtë aspekt ringjallja e KOASH-it, u vu në rrugë të mbarë. Në fjalimin e tij të rastit, kur u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Greqisë, Kryepiskopi i KOASh-it, Fortlumturia e tij Anastasi, vuri në dukje se Shqipëria është një vend shembullor në botë për harmoninë e qëndrueshme tradicionale midis komuniteteve fetare.
Të gjitha këto veçori karakteristike të ringjalljes së KOASH-it bënë që informacioni, i shoqëruar nga një bilanc i realizimeve kryesore, të tërheqë vëmendjen e delegacioneve të tjera, për rrugën e vështirë të ringjalljes së KOASH-it.
Propozimet që u bënë në kosultë ishin këto:
1. – Në kushtet e zhvillimit me sukses të dialogut teologjik orthodhoks-katolik për bashkimin e të dy kishave, është e nevojshme që në edukimin teologjik të brezave të rinj të teologëve dhe të klerit, të hiqet dorë nga fryma ekskluziviste, e mërisë dhe fanatizmin, me të cilën janë edukuar deri më sot brezat reciprokë për ndarjen e Kishës, në dy pjesë. Kjo frymë duhet të zëvendësohet me frymën e dashurisë për njëri-tjetrin dhe të shkojë deri tek vetë besimtarët e të dy komuniteteve duke ndryshuar jo vetëm frymën e kurseve të kathehezës, por edhe veprimtarinë pastorale të klerit. Ndryshe, marrëveshjet midis përfaqësuesve të lartë të të dy kishave do të mbeten në letër pa mbështejtjen e të dy komuniteteve. Tentativa e re për bashkim, pesëqindvjetësh nga koncili i Ferara-Firences (1439), në kushte të reja historike të favorshme, nuk do të kishte jetë të gjatë.
2. – Propozimi tjetër kishte lidhje me forcimin e përbotshmërisë të Orthodhoksisë. Kishat orthodhokse, në shumicën e tyre, sidomos kishat e Europës Lindore, janë kisha autoqefale, dmth. të pavarura si vetë shtetet kombëtare përkatëse. Autoqefalia çoi në zhvillimin e kulturës teologjike në mënyrë të pavarur, natyrisht në bazë të vendimeve dogmatike dhe kanonike të shtatë sinodeve ekumenike, që dashur pa dashur, ushqeu frymën lokale në zhvillimin e kulturës teologjike të kulturës fetare, por të njëllojtë për të gjitha kishat. Interesimi më i madh për njëri-tjetrin, shkëmbimi i delegacioneve dhe i literaturave, organizimi i simpoziumeve, konsultave, kolokiumeve, etj, janë një mjet i mirë për forcimin e ndërgjegjes panorthodhokse, e domosdoshme për forcimin e unitetit dhe përbotshmërisë së saj.
3. – Propozimi i dytë ka lidhje me propozimin e tretë mbi shtimin e rolit të Patriarkisë së Konstandinopolit, e cila duke qenë qendra Ekumenike e Orthodhoksisë, duhet të luajë një rol shumë më të madh në kultivimin e frymës së përbotshmërisë së Orthodhoksisë, duke organizuar, në marrëveshje, bashkëpunim dhe koordinim me patriarkitë e tjera, takime e konsulta panorthodhokse në kryeqytetet e mëdha të Orthodhoksisë, në Moskë, Bukuresht, Sofie, Athinë, Selanik, etj.
T. P.