Ja si shprehet Alfons de Lamartini, për profetin David dhe psaltirin, me rastin e një udhëtimi të tij në Eindjen e Afërme, kur arriti para Sionit:
“Eshtë Pallati! Eshtë varri i Davidit! Eshtë vendi i frymëzimeve dhe i shprehjeve të tij, i jetës dhe i prehjes së tij, vend dy herë i shenjtë per mua, qe ky poet hyjnor, aq herë më ka magjepsur mendjen. Ai është i pari ndër poetët e ndjenjës. Ai është mbreti i lirikëve. Asnjëherë fibra njerezore nuk vibroi në akorde aq intime, aq prekëse e aq me peshë. Në asnjë vend mendimi i poetit nuk është ngritur më lart dhe nuk është falur me më shumë guxim. Në asnjë vend shpirt njeriu nuk është vërshuar para njeriut dhe para Perëndisë, me shprehje e me ndjenja më prekëse, me tërheqëse, më therëse! Të gjithë brengat, madje dhe ato më të fshehtat e zemrës njerëzore kanë gjetur tingullin dhe notat e tyre mbi buzët dhe harpën e këtij njeriu!”
“Dhe, nëse ktheheni, vazhdon Lamartini, në atë epokë të largët, atëherë kur këngë të këtij lloji tingëllonin në tokë, po të mendojmë që në atë kohë poezia lirike, madje dhe e atyre popujve që konsideroheshin nga më të kulturuarit, nuk i këndonte veçse verës, dashurisë, gjakut dhe fitoreve të muzave e mundësve të lojrave olimpike të Greqisë, pushtohesh nga një admirim i madh me thekset mistike të profetit-mbret, që i flet Perëndisë – Krijues, si një mik mikut të tij, i cili i kupton dhe i lavdëron çuditë, i cili mahnitet me gjykimet e drejta dhe që paraqet një jehonë të parakohshme të poezisë Ungjillore, duke përsëritur fjalët e mrekullueshme të Krishtit, para se t’i ketë dëgjuar. Profet ose jo – ashtu siç e konsideron secili, i krishterë apo filozof qoftë – as njëri, as tjetri, nuk do te mund t’i mohojë mbretit – poet një frymëzim që nuk i është dhuruar asnjë njeriut tjetër”.