– Anëtarë të Lidhjes rinore të KOASH “Bij të dritës”, jetuan për dy javë mes banorëve orthodhoksë të disa fshtrave –
Me nismën dhe bekimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, organizata e rinisë orthodhokse shqiptare “Bij të Dritës”, ndërrmori një vizitë dy-javore, duke filluar prej 20 korrikut, në disa prej fshatrave orthodhokse të Shqipërisë. Përmendim këtu fshatrat Libofshë, Agim, Ndërmenas, Novoselë, Polo, Seqishte, Skrofotinë e Nartë.
Si qëllim kryesor të sajin kjo vizitë kishte njohjen dhe përhapjen e fjalës së Ungjillit. Për t’u theksuar është se në shumicën e këtyre fshatrave sapo është hedhur guri themeltar për ndërtimin e kishave të shkatëruara vite më parë, por ajo çka është më e hidhur, qëndron në përpjekjet që u bënë në ato vite për t’i shkatërruar njëkohësisht dhe shpirtrat e besimtarëve, për t’i zhvlerësuar ato, duke i futur në një errësirë të pafund.
Po, cili është sot realiteti i atjeshëm?
Vetë të rinjtë u bënë dëshmitarë të asaj ç’ka quhet mrekulli e Perëndisë. Takimi në këto zona me shpirtrat e etur për fjalën e Zotit vlejti për ata po aq sa dhe për të rinjtë, të cilët folën mbi Shkrimin dhe Traditën e Shenjtë, por njëkohësisht, mësuan shumë mbi dlirësinë dhe dashurinë e madhe që zotëronin ata njerëz të thjeshtë dhe punëtorë.
Sigurisht, që katekizmi nuk përbënte qëllimin e vetëm të vizitës, por gjithashtu, dëshirë e të rinjve ishte dhe njohja e problemeve të ndryshme shoqërore ekonomike të fshatarëve dhe marrja pjesë në to, sepse, ashtu siç na mëson dhe besimi ynë, gjithçka mbetet abstrakte dhe pa kuptim, nëqoftëse dëshiron të ndezësh besimin tek shpirtrat e njerëzve pa njohur më parë problemet dhe vështirësitë e tyre. Dhe vetëm nëse shqetësimet e tyre bëhen të tuat, atëherë dhe vëtëm atëherë fjala e Perëndisë do të depërtojë tek ta. Gjithashtu, besimtarëve iu shpërndanë ikona dhe kryqe, të cilat u pritën me gëzim të madh nga të gjithë, por ajo çka gëzoi më shumë zemrat e tyre ishte ardhja e vetë të rinjve. Kjo u tregua në mikëpritjen e ngrohtë dhe në pjesëmarrjen e gjerë në takime.
Në këtë katekizëm të shkurtër morën pjesë dhe disa të rinj studentë nga Greqia, të cilët shfaqën dëshirën për të ndihmuar organizatën tonë.
Në fund, u larguam nga këto fshatra duke marrë me vete një përvojë të papërshkruar, urimet dhe ftesat e besimtarëve për t’u kthyer sërish, por gjithashtu, duke ndjerë mbi vete një përgjegjësi të madhe mbi zhvillimin në të ardhmen të besimit tonë orthodhoks në këto zona.
Andi Nikolla