EmailFacebookKontakt

Familja dhe edukimi i fëmijëve

Dikur, një nënë, e cila interesohej për edukimin e mirë të fëmijëve të saj, vajti të këshillohej me një pedagog të ditur (Pestalozin) për moshën në të cilën duhej të fillonte punën e edukimit.

– Ç’moshë ka tani fëmija juaj?- e pyeti ai.

– Eshtë gjashtë muajsh.

– Zonja ime, tani është shumë vonë. Edukimi duhej të kishte filluar që nga dita e lindjes së fëmijës. “Mësoje fëmijën që kur e fillon rrugën dhe s’ka për t’u larguar prej saj as gjer në pleqëri” (Prov. 22,6).

Nëna iku e habitur për përgjigjen që mori, dhe nuk është e vetme. Shumë prindër mbetën të habitur dhe pyesnin nëse ishte nevojë që të fillojë kaq herët vepra e edukimit të fëmijëve.

Përgjigjen e jep Shën Joan Gojarti, me një shembull karakteristik, që e tregon në veprën e tij “Mbi fodullëkun dhe si duhet që prindërit të edukojnë fëmijët”.

“Thonë se perlat, kur i nxjerrin nga deti, janë si pika uji. Në qoftë, pra, se peshkatari i perlave është njeri me përvojë, sapo ti zërë, i vë në pëllëmbën e tij dhe si i rrotullon si duhet, i bën krejt të rrumbullakta. Mirëpo, po i la të forcohen, nuk u jep dot formë tjetër. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë babai dhe nëna me fëmijët e tyre, kur ata janë ende të vegjël”.

Nga sa u thanë më lart, del rëndësia që ka familja për formimin e karakterit dhe të personalitetit të një qenieje njerëzore. Temperamenti i trashëguar ka, natyrisht, një ndikim të theksuar, po drejtimi që ai merr, varet në një përqindje të madhe nga jeta familjare dhe edukimi që ka individi në shtëpinë e tij. Në ditët, javët dhe muajt e parë të jetës së tij fëmija, shumë më përpara se të fitojë vetëdije të vetvetes së tij si person i veçantë, përvetëson dije, ndjenja dhe forma që do të ndikojnë në jetën e tij të mëvonshme. Shumë më përpara se ai të jetë në gjendje t’i shpjegojë ato që sheh ose ato që dëgjon, bëhen jetesë e vetes së tij.

Mirëpo, ç’është edukimi? Eshtë zbatimi sistematik i disa parimeve pedagogjike te fëmijët për formimin e tyre trupor, moral, shpirtëror e mendor. Do të mund të shtonim zhvillimin normal kulturor dhe shoqëror të fëmijës, elemente këto të domosdoshme për një personalitet të plotë. Pra, edukimi që ndiqet nga familja, duhet të ketë drejtim për lartë, jo për poshtë; të nxisë autonominë dhe lirinë e individit dhe t’i ofrojë një ideal, i cili të jetë mbështetur në parimet tona orthodhokse tradicionale e kombëtare.

Këto janë synimet e edukimit dhe familja është ajo që thërritet t’i verë në jetë për hir të fëmijëve.

Duhet të themi se puna e edukimit, rritja e fëmijëve sot, është një punë shumë e vështirë, sepse jetojmë në një epokë të lëkundur, ku sundon një krizë vlerash dhe në përgjithësi një konfuzion i theksuar. Jemi aq të tërhequr sentimentalisht nga problemet e vogla e pa rëndësi dhe mendojmë shpesh në mënyrë aq negative, sa s’na mbetet kohë të predominojë një qëllim më i gjerë në jetën tonë dhe në jetën e fëmijëve tanë. Prindërit lypset të disponojnë dashuri, durim, këmbëngulje, përgjegjësi dhe harmoni midis tyre, të kenë parasysh se edukimi i fëmijëve kalon përmes edukimit të tyre. Shumë sukses do të kenë prindërit në qoftë se do t’u japin fëmijëve rastin t’i imitojnë. Le ta zgjedhin vetë sjelljen që do të dëshironin të kishin fëmijët e tyre në moshën njëzetëvjeçare e le ta përvetësojnë. Le të kenë parasysh se kalorësit me përvojë “i çojnë kuajt te burimi, por nuk i detyrojnë të pijnë ujë”. Mos e impononi, pra, fëmijën. “Fëmija nuk na do as për shok, as për këshilltarë që i mbushin veshët me këshilla, – thotë M. Verine, themeluesja e Institutit të prindërve në Paris. – Le të jemi thjesht nëna dhe baballarë, gjë që do të ishte më e mirë për fëmijën”.

Fëmija, e cila rritet në një mjedis familjar dashurie e harmonie, do ta ndjejë veten shumë më të sigurtë nga një tjetër që është rritur në një mjedis negativ. Eshtë vënë re se prindër zemërakë e agresivë, nxjerrin fëmijë zemërakë e agresivë. Prindër fisnikë, transmetojnë veten në jetën e fëmijëve të tyre. Fëmija që shikon prindërit të kenë respekt për të drejtat e të tjerëve rritet duke mësuar të përballojë drejt njerëzit në shoqëri. Një fëmijë që nuk plotëson në familjen e tij nevojat e tij për ndjenja, është një fëmijë i urritur sentimentalisht, që s’di të dojë tjetrin. Kur fëmija nuk njeh Fenë, Krishtërimin, Orthodhoksinë, të përjetuar në mënyrë konkrete tek prindërit e tij, ai rrezikohet të rrëshqasë në gjithfarsoj rrymash të tjera. Le të mos harrojmë, që feja e ndihmon fëmijën të fitojë një shpresë brenda dobësive dhe dyshimeve që ndjen dhe i jep rastin me jetën e saj të përsosë e të përtëritë vetveten. Edukimi i plotë fetar përfshin njeriun në tërësi; trup, shpirt, mendje dhe të gjitha ndjenjat. Në ditët tona, i kemi dhënë rëndësi vetëm edukimit të trurit dhe kështu kemi mënjanuar gjithë anët e tjera të njeriut.

Pedagogjia e sotme “përparimtare” na shpuri në një formim të fëmijës, që i kultivon një narcizizëm dhe individualizëm ekstrem dhe sigurinë se është e dobishme dhe e ligjshme për të t’i plotësohen të gjitha dëshirat. Duhet theksuar me këtë rast se janë shumë ata prindër që përpiqen t’u krijojnë fëmijëve të tyre kënaqësi e të mira lëndore dhe shpesh, që t’ia arrijnë kësaj, i privojnë nga çdo gjë që pikërisht do t’u duhej më tepër; i privojnë nga vetë prindërit e tyre dhe i dëmtojnë duke i lejuar të bëjnë një jetë të shthurur e pa kontroll.

Mirëpo, në vend të kësaj pikëpamjeje pedagogjike “përparimtare”, ne, të krishterët orthodhoksë, le të kemi parasysh pikëpamjen e Shën Joan Gojartit, i cili porosit që të mos ushtrohet asnjë lloj imponimi mbi personalitetin e fëmijës, por të ndihmohet ai për të kaluar individualizmin dhe narcizizmin, të ruajë vitalitetin dhe hovin e tij, por që ta përdorë në dobi të të tjerëve. Fëmija përvetëson me vetëdije apo pa vetëdije vlerat, rolet e qëndrimet e atyre që ka përreth, mëson pikëpamjet e tyre për dashurinë dhe për njerëzit, duke u pjekur apo duke u rritur me dilemat, në analogji me qëndrimin e vlerave të njerëzve që ndikojnë më tepër mbi të.

Mendojmë se një ndihmë për prindërit është dhe tradita jonë kishtare, që ka grumbulluar një thesar të madh përvoje e diturie lidhur me fëmijët dhe edukimin e tyre, që mund të mbulojë në një shkallë të madhe nevojat e kohës. Si shembull, përmendim librin e proverbave të Solomonit dhe në përgjithësi mendimin e Etërve të Kishës, që botohet herë pas here nëpër faqet e gazetës “Ngjallja”, organ i Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale. Së fundi, është botuar dhe një libër interesant, me titullin: “Ungjilli si bazë e jetës”, që i rekomandohet për ta pasur parasysh çdo familjeje orthodhokse.

Dhimitër Beduli