Ai ishte një shqiptar nga Konica dhe kishte lindur nga prindër jo të krishterë. I ati i tij ishte një sheh shumë i dëgjuar. Në moshën 26 vjeçare u largua nga Konica dhe shkoi në Janinë, ku edhe u bë dervish. Nga kontakti që pati me vëllezërit e tij të krishterë, vendosi të kthehej përsëri në fenë e të parëve, por askush nuk guxonte ta pagëzonte nga frika e turqve. Ndaj shkoi dhe u pagëzua në ishullin e Itakës. Nga aty shkoi në një fshat të quajtur Kimeron. Atje u martua dhe i panjohur nga të tjerët, punonte si rojtar pylli.
Në vitin 1813 i ati i tij, kur e mori vesh që i biri ishte kthyer i krishterë, dërgoi dy dervishë ta gjenin dhe t’ia sillnin. Ata e gjetën dhe u orvatën ta bindnin të kthehej përsëri, por qe e kotë. Nga kjo vizitë autoritetet lokale turke e mësuan identitetin e vërtetë të të riut dhe e arrestuan (sepse ligji islamik e dënonte me vdekje cdo musliman që kthente fenë).
Të gjitha pyetjeve të gjykatësit ai iu përgjigj që jam i krishterë dhe quhem Joan. Mbas shumë torturash u dënua me vdekje. Para ekzekutimit kërkoi që t’i lironin për pak duart dhe mbasi bëri shenjën e kryqit dhe i lumur thirri si hajduti në kryq “Kujtomë o Zot në Mbretërinë Tënde.” Pastaj shtriu qetësisht kokën, të cilën xhelati ia preu më 23 shtator të vitit 1814. Trupin e tij donin tua hidhnin qenve, por disa besimtarë të krishterë e morrën fshehurazi dhe e varrosën. Nga lipsanet e tij janë bërë mrekulli.
Kisha jonë orthodhokse e kujton në 23 shtator.