Shën Korneli ishte bashkëkohas i Krishtit dhe i Apostujve. Ai jetonte në Qesari dhe ishte centurion (kryeqindësh) i kohortes që quhej Italika. Një tradita e lashtë e Panonisë (krahinë e Ilirisë), e mbështetur edhe nga shumë autorë të lashtë, thotë që ai ishte nga një fis ilir nga qyteti Sishia i Panonisë. Shën Korneli ishte pagani i parë i thirrur në besën e Krishtit dhe pagani i parë i pagëzuar. I takoi një biri të Ilirisë të ishte i parëthirruri nga kombet. Kështu që ne duhet të jemi krenar që një nga stërgjyshërit tanë u thirr i pari nga tërë kombet.
Ndonëse pagan ai dallohej për sjelljen e tij të mirë, për frikën ndaj Perëndisë dhe për zemërmirësinë e tij. Një ditë kur Shën Pietri po lutej në qytetin e Jopes (Vepr. kap. 10), ai pati një vizion, të cilin fillimisht nuk e kuptoi. Por kur njerëzit që kish dërguar Korneli (sipas një vizioni që kish patur edhe ai nga një engjëll), erdhën dhe e kërkuan Pietrin, atëherë Apostulli e kuptoi që “Perëndia nuk mban anë njeriu, por në çdo komb ai që ka frikë prej atij dhe bën drejtësi, është i pritur tek Ai” (Vepr. 10:34). Dhe ndërsa Shën Pietri po i lajmëronte Krishtin e ngjallur Kornelit dhe tërë shtëpisë së tij, Fryma e Shenjtë zbriti mbi Kornelin dhe shtëpinë e tij, judenjtë mbetën të habitur, se si Fryma e Shenjtë mund të vinte edhe tek kombet. Kështu që Shën Pietri, duke parë që Fryma e Shenjtë zbriti tek Korneli, nuk hezitoi ta pagëzonte, ndonëse shumë judenj u habitën për këtë.
Qysh nga ajo kohë, Shën Korneli qëndroi me apostujt. Tradita thotë që ai shoqëroi shumë nga apostujt në misionet e tyre ungjillëzuese në Iliri dhe në vende të tjera. Shën Pietri e dorëzoi atë episkop dhe e dërgoi në qytetin pagan Skepsi, ku Korneli i shenjtë vuajti shumë poshtërime për Krishtin. Por me fuqinë e Perëndisë ai shkatërroi tempullin e Apollonit dhe pagëzoi princin e qytetin, Dhimitrin, si dhe 277 paganë të tjerë.
I paralajmëruar nga Perëndia për ditën e vdekjes së tij, ai i mblodhi tërë të krishterët, ju dha këshillat e fundit, ju lut Zotit dhe paqësisht shkoi tek Zoti i tij në një moshë shumë të kaluar. Mbas shumë kohësh varri i tij u harrua, por shenjti iu shfaq Silvanit peshkopit të Troas dhe i tregoi vendin e varrit të tij, si dhe e urdhëroi të ndërtonte një kishe atje. Shumë mrekulli u kryen nga lipsanet e tij.
Kisha jonë orthodhokse e nderon kujtimin e tij në 13 shtator.