EmailFacebookKontakt

Dashuri pa fund e pa kufi

Pjesë nga Ungjilli

“Se Perëndia e deshi aq shumë botën, sa që i dha birin e Tij të vetëmlindur, që kushdo që beson tek ai të mos humbasë, po të ketë jetë të amëshuar”.

Për ngjarjen më të madhe të dashurisë do të na flasë kjo javë; në mënyrën më të thjeshtë, por edhe më tronditëse, duke ngritur para nesh Kryqin e Nderuar (+). Mbi të u shkrua pashlyeshëm ikona mistike e dashurisë së Atit. Fjala është për një dimension dashurie të pamasë, për një dhuratë të pakapërcyeshme, për një ngjarje, pasojat e së cilës u shtrinë në hapësira të pakonceptueshme, në gjithësinë. “Se Perëndia e deshi aq shumë botën, sa që i dha Birin e Tij të vetëmlindur, që kushdo që i beson atij të mos humbasë, por të ketë jetë të amëshuar”.

Zoti tha: Askush nuk është ngjitur në qiell, përveç atij që ka zbritur nga qielli, biri i njeriut që është në qiell. Dhe ashtu sikurse Moisiu ngriti lart gjarpërin në shkretëtirë, ashtu duhet të ngrihet lart biri i njeriut, që kushdo që beson tek ai, të mos humbasë, po të ketë jetë të amëshuar. Se Perëndia e deshi aq shumë botën, sa i dha Birin e Tij të vetëmlindur, që kushdo që beson tek ai të mos humbasë, po të ketë jetë të amëshuar. Në të vërtetë, Perëndia nuk e dërgoi birin e tij në botë për të gjykuar botën, por që bota të shpëtojë me anën e tij. (Joan, 3:13-17)

Nisma e Perëndisë

Herë pas here disa oratorë mjeranë paraqesin një At Perëndi të rreptë, të zymtë, kërkues, gjithë “ligje” dhe kufizime, që desh të zbutej nga Iisu Krishti, që të falte njerëzimin, por, këto lloj “sqarime” ligjësore, nuk përputhen me personin e Atit që na e zbuloi Iisui. Ati i Tij është DASHURI. Plot zemërdhembshuri, durim. Nisma e tij ishte çështja më e madhe e dashurisë, që shpaloset në veprën e Ikonomisë Hyjnore. Jeta e Trinisë së Shenjtë – që zbulohet në ardhjen në kohë në botë të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë – është komunikim dashurie. Dashuria e Atit bëhet ngjarje e pandërprerë në histori me të vetmen ofertë të Birit, me veprimin e vazhdueshëm të Shpirtit të Shenjtë, që depërton Hirin Hyjnor në çdo qenie njerëzore.

Kjo dashuri e Perëndisë nuk kufizohet vetëm në një popull, në një komb, në një tip, në një kategori njerëzish ose në të “mirët”, në ata që e pasojnë Atë. Ajo shtrihet pa kufizim në botë, në gjithë krijesën. Përfshin çdo gjë, duke dhënë gjithçka që ka. “Aq shumë e deshi Perëndia botën, sa që i dha edhe birin e tij të vetëmlindur”. Ai i do njerëzit, pavarësisht nëse të tjerët janë të denjë për dashurinë e Tij. Ai dashuron se është DASHURI. Dhe pikërisht tek kjo jetë dashurie u bën thirrje të gjithëve.

Thirrje pjesëmarrjeje në jetë

Qëllimi final i dashurisë së Atit, i gjithë veprës së Krishtit, që arrin kulmin në Kryq, është që njeriu të bëhet pjesëmarrës i një jete të një cilësie tjetër. Kur bëhet fjalë për jetën, të gjithë tregojnë interes. Madje edhe në një qytetërim konsumi, sikurse është yni, në të cilin mbizotëron sasia, matësi i vërtetë i jetës është cilësia. Dhe sot etja për këtë bëhet më e fortë. Por kërkimi del në mënyrë tragjike jashtë binarëve, drejt grumbullimit të parave, pronave, tablove, disqeve; drejt pushimeve, udhëtimeve, me iluzionin se rritja e “të ardhurave për frymë” do të thotë edhe ngritje e nivelit të jetesës. Megjithatë, çdo ditë që kalon, tregon se sa naiv është ky lloj realizmi. Jeta njerëzore në këto pasuri të jashtme, shpesh varfërohet, degjenerohet brenda asaj jetese të mirë gërryese. Për diçka tjetër është nostalgjia: Shijim përjetësie, shijim dashurie të pastër. Diçka që të mos shtrihet vetëm në vijë horizontale, por që të pritet njëkohësisht nga një vijë vertikale, e cila të tregojë vetëm lart. Në sfond kërkon Kryqin (+), i cili ngre lart, sikundër ai ngrihet lart përjetë në ndërgjegjen e njerëzimit.

Privilegji i mrekullueshëm, por tragjik, i lirisë, ka çelur para qënies njerëzore dy mundësi: humbjen dhe jetën. Qëllimi i Perëndisë është që t’i falë jetë krijesës së Tij, “jetë të amëshuar”. Siç e kemi trajtuar në mënyrë më analitike në një pjesë ungjillore të mëparshme, kuptimi i “jetës së amëshuar” nuk i referohet posaçërisht kohës, por plotëmërisë së jetës. Nuk është fjala për një jetë që thjesht zgjat – madje, ç’kuptim do të kishte përjetësimi i një jete çoroditëse e të mjerë – por për një jetë cilësie, harmonie, plotmërie, të padëmtuar nga prishja. Nuk është diçka që e presim të fillojë në mbarim të shekujve ose “pas vdekjes”, por që ka filluar tashmë brenda kësaj situate të tanishme kalimtare, në momentin që “bashkëkryqëzohemi” me fitimtarin mbi mëkatin dhe mbi vdekjen, me Zotin Iisu, të cilin e parashijojmë në misteret e Kishës, e cila është trupi i tij, plotmëria e tij, që i mbush të gjitha mbi të gjitha (Efes.1, 23). “Jetë e amëshuar” është përfundimisht jeta e vetë Perëndisë, jetë e amëshuar dashurie e Trinisë së Shenjtë.

Pra, është fjala për ngritjen lart nga stadi bimor, shtazor dhe ai i të menduarit, në një nivel më të lartë dashurie, atje ku çdo marrëdhënie, me secilin dhe për çdo gjë, vishet me paqen dhe me dritën. Paqe me Perëndinë; paqe me veten tonë; paqe me të tjerët; paqe me natyrën; paqe me kafshët; paqe me jetën me dhimbjen; paqe me gjithësinë. Eshtë fjala për një parashijim të ngazëllimit e të lavdisë qiellore, që do të përkryhen kur do të përfundojë çdo gjë më Krisht.

Këtë ndryshim, këtë shijim të “jetës së amëshuar”, këtë lavdi e provuan shenjtorët brenda kohës historike, duke ngritur me ngazëllim dhe durim kryqin e tyre, duke derdhur në të gjitha drejtimet dashuri dhe shpresë. Duke jetuar më Krisht, duke rrezatuar praninë dhe dhuratat e Shpirtit të Shenjtë, mbeten qeliza të gjalla të njerëzimit, një “jetë e plotë e amëshuar”, që, në përgjithësi, e ngrënë më lart jetën e botës.

Kushti i domosdoshëm

Në thirrjen që bën dashuria e Perëndisë për “jetë të amëshuar”, vihet vetëm një kusht: “që kushdo që beson tek ai…” Besim tek Iisu Krishti! Kjo do të thotë diçka më e thellë nga “besimi i papërcaktuar në një fuqi më të lartë”, që pretendojnë herë pas here disa. Do të thotë një bindje të palëkundur se Iisui na ka thënë të vërtetën e plotë lidhur me misterin e Perëndisë. Se Perëndia nuk është “një Qenie Sublime” abstrakte, e papërcaktuar, por është Zot i krijimit dhe i historisë, i cili vepron me një njohje dhe urtësi të pakapërcyeshme brenda gjithësisë. Se Perëndia, të cilit i takon kjo botë, zbuloi Veten më Krisht, se Iisui është i Biri i Perëndisë, “udha, e vërteta dhe jeta” (Joan 14,6); se u trupëzua, u kryqëzua dhe u ngjall për të gjithë njerëzit; që të ngrenë lart gjithë natyrën njerëzore dhe Ti hapë rrugën drejt hyjnizimit. Dhe se vepra e Tij vazhdon me derdhjen në botë të Shpirtit të Shenjtë, që është kudo e që plotëson të gjitha”.

Por ajo “që kushdo që beson tek ai” nuk kufizohet në një pohim me mend; ajo shprehet kryesisht me gatishmëri të vullnetshme për të ndjekur me besim modelin e jetës, që Ai cakton. Pra, nuk është fjala për një përsëritje mekanike të një “besimi” të lashtë, por për një bindje të thellë dhe një raport personal, për diçka të tërëgjallë, të sotëm, për një mënyrë jetese.

Në këtë drejtim na nxit vazhdimisht Kisha jonë orthodhokse me ritmin e kultit të saj; duke ngritur lart çdo herë para syve tanë të plogët çuditë e mëdha të Perëndisë dhe veçanërisht këtë javë Kryqin, i cili e përmbledh në mënyrën më tronditëse dhe të pakundërshtueshme.

Këtë simbol të përjetshëm të dashurisë së Perëndisë, Kryqin e Nderuar, të krishterët, dikur, në shekullin e 7-të, e kishin humbur në vorbullën e luftës; armiq të feve të tjera ua kishin rrëmbyer. Dhe janë dashur luftra, fushata dhe heroizma që ta rifitonin bizantinët e ta rivendosnin triumfalisht në vendin e tij të vjetër, në qytetin e shenjtë të Jeruzalemit. Qysh atëherë, në vorbullën e luftës së padukshme mistike, që vazhdon në shekujt brenda shpirtrave, shumë prej nesh, të krishterë, e humbasim përsëri Kryqin – kuptimin e dashurisë së Perëndisë, dhe ritmin e jetës që Ai përcakton. Dhe duhen lloj tjetër luftërash, vendosmërie dhe trimërie, që ta rifitojmë e ta ringremë në qendrën e zemrës sonë; flamur dhe udhërrëfyes të jetës sonë.

+ Anastasi