EmailFacebookKontakt

“Horizonte të reja drejt vëllazërimit e mirëkuptimit ndërfetar”

Nga data 23 deri më 31.04.1994 u zhvillua në Itali, në La Mendola afër Bolzanos, Sesioni i 32-të i S.A.E (Sekretariati i Aktiviteteve Ekumenike).

Ky Sekretariat, i cili ka mbi 30 vjet që zhvillon veprimtarinë e vet ekumenike, është i themeluar nga profesoresha Vinçiani, e cila për një kohë kaq të gjatë vazhdon edhe sot me sukses ta drejtojë.

Në këtë sesionin, ku morrën pjesë rreth 600 delegatë, ishin ftuar për herë të parë përfaqësues të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe për herë të dytë përfaqësues të Kishës Katolike të Shqipërisë. Por, krahas tyre, ishin përfaqësues të Kishave Orthodhokse Ruse e Rumune, si dhe përfaqësues të konfesioneve të ndryshme nga Europa, Azia e Amerika Latine.

Në program përfshiheshin shumë tema interesante, të cilat u punuan nga teologë e ekumenistë me përvojë, si p.sh tema “Panoramë mbi situatën botërore”, “Kishat dhe popujt”, “Nga dialogu Ekumenik në dialogun ndërfetar”, “Orthodhoksia Ruse dhe dialogu Ekumenik”, “Orthodhoksia shqiptare dhe dialogu Ekumenik”, “Ekumenizmi – detyrë përpara Kishës së sotme”, “Fetë e botës dhe të tjerët”, “Mëshira dhe e Vërteta do të takohen dhe drejtësia dhe Paqja do të puthen”, “Perëndia ka vënë dashurinë e tij në zemrat tona nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë”, “Shpirti i Shenjtë dhe aktiviteti i tij pa violencë” e shumë të tjera.

Ndërmjet punimit të tyre u zhvilluan Liturgji hyjnore të përbashkëta dhe të veçanta, nga klerikë katolikë, orthodhoksë e protestantë.

Me temën “Orthodhoksia shqiptare dhe dialogu Ekumenik”, zhvilluar nga përfaqësuesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, z. Aleko Dhima, i bëhej një ekspoze ecjes dhe periudhave të vështira të Kishës sonë ndër shekuj, i rolit që ajo ka lojtur për formimin dhe forcimin e ndërgjegjes kombëtare. Veçanërisht, duke u ndalur te shkatërimi i saj total nga regjimi komunist, ku pasqyroheshin gjithashtu vështirësitë aktuale të këtyre 40 vjetëve të fundit për rimëkëmbjen dhe ringritje, organizimin dhe konsolidimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për rolin e luajtur dhe ndihmën e dhënë në këtë drejtim nga Kryepiskopi i Shqipërisë Fortlumturia e Tij Anastas etj.

Duke u ndalur te qëllimi i këtij Sesioni Ekumenik, të ndarë në 15 grupe, vemendje e veçantë u tregua për punimin e temave të veçanta teologjike. Përfaqësuesit shqiptarë të Kishës Orthodhokse e të asaj Katolike, morën pjesë në grupin e 12-të, ku u diskutua roli e aktiviteti i Shpirtit të Shenjtë.

Shpirti i Shenjtë është personi i tretë i Trinisë së Shenjtë. Ne besojmë në një Perëndi e cila ekziston në tre persona të së njëjtës substancë. Shpirti i Shenjtë është një nga Tre personat e Trinitetit, i dalluar nga Ati dhe nga Biri, por i Bashkqenshëm me to (i të njëjtës substancë me Atin dhe Birin), i Barabartë dhe i bashkëpërjetshëm me ata.

Nga prania e Shpirtit të Shenjtë Shën Maria zuri Shpëtimtarin. Ishte Shpirti i Shenjtë që zbriti në formë pëllumbi mbi Krishtin, kur ai u pagëzua, Shpirti mbështeti Iisuin në shkretëtirë, në konfliktin me Satanain dhe ishte në përgjithësi një fuqi gjatë gjithë shërbesës së tij, sidomos në mrekullitë.

Në shkrimet e Shën Pavlit Shpirti i Shenjtë zë një vend qëndror. Shpesh jeta e të krishterëve identifikohet me jetën më Krishtin apo jetën më Shpirtin, në kundërshtim me jetën e mishit. Shpirti i Shenjtë është ndërmjetësi ynë brenda Kishës dhe është ai që e udhëzon, qorton dhe udhëheq atë. Dita e Zbritjes së Shpirtit të Shenjtë është ditë e themelimit të Kishës (Pentekostia ose Rushajet). Në Misteret e Kishës ose Shërbesat e Shenjta është i pranishëm Shpirti i Shenjtë, i cili i shenjtëron ato. Drejtimi i besimtarit drejt Atit bëhet nëpërmjet dashurisë së Atit nga Biri në Shpirtin e Shenjtë.

Këto ishin vetëm disa nga problemet e temat që u rrahën nga pjesëmarrësit e Sesionit të 32-ë Ekumenik në La Mendola. Probleme e detyra të shumta u përcaktuan për t’u punuar e diskutuar në Sesionin e ardhshëm, që do mbahet pas një viti. Të gjitha këto probleme të Ekumenizmit hapin horizonte të reja drejt vëllazërimit e mirëkuptimit religjioz botëror.

Aleko Dhima
La Mendola 31.VII 1994