EmailFacebookKontakt

Shën Kozmai rrëfen për Hyjlindësen

Të kini nderim të thellë për gjithë Shenjtorët e Kishës sonë, por një mijë herë më tepër të keni për Zonjën tonë Hyjlindësen Mari, sepse të gjithë Shenjtorët janë shërbëtorë të Krishtit, ndërsa Zonja jonë, Hyjlindësja, është zonjë dhe mbretëreshë e qiellit dhe e dheut dhe gjithë krijesës shpirtërore dhe materiale, që të lutet për mëkatet tona. E mori Hyjlindësen dhe e bëri mbretëreshë dhe nderoi gjininë tonë. Prandaj duhet që edhe ne, vëllezër të mi, të nderojmë Zonjën tonë Hyjlindëse me kreshmë, lutje, mëshira dhe vepra të mira.

Një njeri, me emrin Joan, u mund dhe u bë hajdut; u bë edhe kapedan në njëqind trima, por kishte nderim të madh për Zonjën Hyjlindëse dhe çdo agim dhe çdo mbrëmje thoshte Përshëndetjet e Tërëshenjtës, “Engjëlli kryetar”. Perëndia i tërëmirë, duke dashur të shpëtojë kapedanin, për shkak të nderimit që kishte për Hyjlindësen, dërgoi një asket të shenjtë të kalojë nga ai mal. Trimat e kapedanit si panë asketin, e zunë. Asketi u thotë: Ju lutem të më çoni te kapedani juaj dhe aty kam për t’ju thënë një fjalë për të mirën tuaj. E çuan asketin, i cili i tha kapedanit: Më thirr gjithë trimat e tu të vijnë këtu, që t’ju them një fjalë. I thirri kapedani dhe ata erdhën. Asketi thotë: Nuk ke tjetër? Kam edhe një kuzhinier, – përgjigjet kapedani – por ai është diçka i pacipë. Atëherë asketi i thotë kapedanit: Thirre të vijë këtu. E thirri, dhe si erdhi kuzhinieri, nuk mund ta shikonte dot asketin në fytyrë, dhe ktheu kokën nga ana tjetër. Atëherë asketi i thotë: Në emrin e Zotit tonë Iisu Krisht, të Kryqëzuarit dhe të Perëndisë, të urdhëroj të më thuash kush je dhe kush të dërgoi dhe çfarë bëje këtu që qëndron. Kuzhinieri m’u përgjigj: Unë jam gënjeshtar dhe gjithmonë gënjeshtrën flas. Por tani, ngaqë më lidhe me emrin e Krishtit, nuk mund të bëj ndryshe veçse të them të vërtetën: Unë pra, jam Djalli dhe më dërgoi Satanai, ati im, dhe erdha këtu që të punoj, të shtroj dhe të ngre, t’i gatuaj këtij kapedani dhe të ruaj që ta gjej ndonjëherë që të mos lexojë Përshëndetjet e Tërëshenjtës, që ta vë në terrin në Ferr. Dhe kam 14 vjet tani që po e ruaj dhe nuk e gjeta ndonjë ditë pa lexuar: “Engjëlli kryetar”. Atëherë asketi thotë: Të urdhëroj, në emër të Shën Triadhës, të zhdukesh që këtu dhe të krishterët të mos i ngasësh më. Menjëherë Djalli u zhduk porsi tymi. Dhe atëherë asketi i mësoi hajdutët dhe disa u bënë murgjër, të tjerë u martuan dhe bënë të mira dhe shpëtuan.

Prandaj, bij të mi, ju këshilloj të mësoni të gjithë “Engjëlli Kryetar”, burra dhe gra, djem edhe vajza dhe ta thoni në lutjen tuaj. Dhe nëse dëshironi, merrni edhe një “Shpëtimi i mëkatarëve”, që ka 70 mrekulli të Hyjlindëses, nga të cilat ju thashë një për të kuptuar.