(Math. 17: 1-9, Lluka 9:28-35 dhe 2 Petri 1:16-21.)
Ashtu si Pagëzimi, Shpërfytyrimi është e kremte e Dritës. Iisui shkon me dishepujt e Tij në një mal të lartë dhe u tregon atyre lavdinë e Tij hyjnore: “Sot në Tabor kemi parë Atin si Dritë dhe Shpirtin e Shenjtë si Dritë duke udhëhequr me Dritën tërë krijesën”, këndojmë në këtë ditë. Shpërfytyrimi është një zbulim i Trinisë së Shenjtë. Mbi Tabor, ashtu si në pagëzimin në Jordan, Ati flet nga qielli, duke dëshmuar Birësinë hyjnore të Krishtit; dhe Shpirti i Shenjtë gjithashtu është i pranishëm në këtë ngjarje, jo në trajtën e një pëllumbi, por nën formën e dritës verbuese, duke rrethuar figurën e Krishtit dhe duke mbuluar tërë malin. Kjo dritë verbuese është drita e Shpirtit të Shenjtë. Në mëngjesore këndojmë: “Kolona e flakës i tregoi hapur Moisiut, Krishtin e Shpërfytyruar dhe reja e tregoi qartë hirin e Shpirtit të Shenjtë, që mbuloi Malin Tabor”.
Shpërfytyrimi ndodhi 40 ditë para Vuajtjes së Krishtit. Ai zgjodhi këtë moment të veçantë për t’i zbuluar dishepujve diçka prej lavdisë së Tij hyjnore, me qëllimin për të qenë gati në bartjen e Vuajtjes së Tij mbi Kryq. Por kisha jonë e feston këtë ngjarje të madhe më 6 gusht. Gjithashtu kjo festohet 40 ditë para Ngritjes së Kryqit të Nderuar (14 shtator), të kremtes së kryqëzimit.
Çfarë ka ndodhur në natyrën njerëzore në Krishtin, mund të ndodhë gjithashtu në natyrën njerëzore të pasuesve të Tij. Shpërfytyrimi na zbulon mundësitë e plota të natyrës njerëzore. Ai na tregon lavdinë që zotëronte njëherë njerëzimi dhe lavdinë, e cila, nëpërmjet hirit të Perëndisë, do të na mbulojë përsëri.
Tre dishepujt – Petri, Jakovi dhe Joani bëhen dëshmitarë të lavdisë së Krishtit. Ata panë fytyrën e Krishtit që “Shkëlqen si diell”.
“16 Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Iisu Krisht duke shkuar pas përrallave të thurura artificialisht, por se ishim dëshmitarë me sytë tanë të madhërisë së tij. 17 Sepse mori nder e lavdi nga Perëndia Atë, kur i erdhi atij një zë i tillë nga lavdia madhështore: “Ky është biri im i dashur, të cilin unë e pëlqeva”. 18 Dhe ne vetë e dëgjuam këtë zë që vinte nga qielli, kur ishim bashkë me të në malin e shenjtë.”
(2 Petri 1:16-18)
Sipas Shën Grigor Teologut kjo dritë qe Hyjnizimi i shfaqur tek dishepujt. Ungjillorët krahasojnë hyjnizimet me dritën e Diellit, veç ky krahasim është plotësisht i pamjaftueshëm, sepse realiteti i pakrijuar nuk mund të shprehet nga figura të krijuara. Etërit e Kishës u përpoqën për të formuluar përkufizimin Orthodhoks të hirit, bazuar në dallimin dogmatik midis thelbit të paarritshëm dhe energjisë komunikuese të Perëndisë. Prandaj Drita nuk është thelb i Perëndisë, por Energji e Tij. Drita e Shpërfytyrimit të Zotit nuk ka fillim e fund, Ai mbeti i papërshkruar dhe i papërceptueshëm në kuptim, megjithëse ishte soditur me sytë truporë. Krishti iu shfaq dishepujve, mbi malin Tabor, jo si një “shërbëtor”, por në “formën e Perëndisë”, si person i dytë i Trinisë së Shenjtë. Ky trupëzim mbeti i pandashëm nga natyra e Tij Hyjnore, që është i përbashkët me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë. Prandaj manifestimi i Hyjnizimit të Krishtit është, në të njëjtën kohë, Pagëzim i Trinisë: shfaqje e Perëndisë (Theofani e Perëndisë) “Atit… nga zëri i Tij që solli dëshmi për Birin e Tij të dashur, Shpirtit të Shenjtë që ndrit me Të në renë e ndritshme”.
Krishti, tregoi lavdinë e Hyjnisë së Tij deri në atë gradë që Apostujt të mundnin të merrnin hirin e këtij vizioni. Ata panë lavdinë e Krishtit “sipas aftësisë së tyre”, kështu që më vonë, kur ata do të shihnin Zotin e tyre të kryqëzuar, do të ishin në gjëndje të kuptonin që Pësimi i Tij mund të qe veç diçka e vullnetshme. Ai i inkurajoi ata dhe të gjithë neve për të parë pas vuajtjes në kryq lavdinë e Ngjalljes.
Lavdia që shkëlqen nga Jesui mbi Tabor, është lavdi për të cilën gjithë njerëzimi është i thirrur për të marrë pjesë. Sipas Ungjillit të Markut dhe Mateut, Apostujt u rrëzuan pasi dëgjuan zërin e Atit dhe panë renë e ndritshme. Shën Llukai thotë: “Ata u zgjuan nga gjumi i tyre dhe panë lavdinë e Krishtit”. Etërit e Kishës thonë që ky “gjumë” ishte një lloj narkoze krijuar nga vegimi.
Ikona e Shpërfytyrimit
Qëndrimi i Apostujve në ikonë ndryshon. Shën Petri (në të majtë), gjithmonë jepet i gjunjëzuar, i mbështetur mbi dorën e tij të majtë dhe duke ngritur dorën e tij të djathtë, për të mbrojtur veten nga drita (ose në ikona të tjera, për të bërë një veprim shoqërues për fjalët të cilat ai ia drejtoi Krishtit). Shën Joani (gjithnjë në qendër) bie, duke i kthyer kurrizin dritës, Shën Jakovi largohet nga drita, ose bie prapa, duke parë Krishtin. Këto qëndrime të ndryshme të apostujve tregojnë ndryshimet karakteristike dhe individualitetin e tyre.
Ata panë lavdinë e Perëndisë sipas aftësive të tyre personale. Krishti, në Shpërfytyrimin e Tij, është paraqitur duke qëndruar mbi majën e malit, duke folur me Moisiun dhe Ilian. Figurat gjeometrike brenda rrethit përfaqësojnë “renë e ndritshme”, që zbuloi burimin e mbinatyrshëm të energjive hyjnore. Moisiu (në të djathtë) duke mbajtur një libër – në përgjithësi janë tabelat e 10 Urdhëresave. Ilia (në të majtë) është një njeri i vjetër me flokë të gjatë.
Shën Joan Gojarti jep arsye të ndryshme për të shpjeguar praninë e Moisiut dhe Ilias në momentin e Shpërfytyrimit.
1) Ata përfaqësojnë ligjin (Moisiu) dhe profetët (Ilia).
2) Të dy profetët kishin një vegim të fshehtë prej Perëndisë; Moisiu në malin Sinai dhe Ilia në Karmel.
3) Moisiu përfaqëson të vdekurit, ndërsa Ilia, i cili shkoi në qiell mbi një qerre të zjarrtë, përfaqëson të gjallët. Këto detaje në ikonë nënvizojnë karakterin eskatologjik të Shpërfytyrimit të Zotit tonë. Iisu Krishti shfaqet si Zot i të gjallëve dhe të të vdekurve, duke ardhur në lavdinë e jetës së ardhshme.