Ishte bërë shtatë vjeç dhe ende s’po i vinte goja. Prindërit e tij shpresëtarë, Jorgji dhe Grigoria, ndjenin dhimbje të thellë, por problemin e tyre, e kishin lënë në dorën e Zotit. Njëkohësisht ata kultivonin te fëmija e tyre besimin dhe shpresëtarinë.
Mirëpo, pikërisht në atë moshë, midis shtatë e tetë vjetësh, Perëndia i tërëmirë deshi të bënte çudinë e Tij. Në një Meshë Hyjnore, pas Kungimit me Trupin dhe Gjakun e Zotit, iu zgjidh gjuha, dhe fëmija nisi të flasë në rregull.
Që atëherë ai iu kushtua menjëherë studimit me zell të madh, eci shumë shpejt përpara, u pajis me kulturë të shëndoshë dhe u bë njeri i ditur i kohës së vet. Në fillim qe ngarkuar me administrimin e dy institucioneve jetimore të mëdha të Kostandinopojës dhe, duke pasur parasysh se sa kish vuajtur vetë në vogëli, ishte tepër i interesuar për mbarëvajtjen e tyre.
Më vonë u bë episkop i Kretës dhe u shqua për poezitë dhe himnet, si një nga himnografët më të dalluar të Kishës. Kush? Ai që ish lindur memec! Eshtë shpallur madje dhe shenjt. Eshtë Shën Andrea i Kretës që përkujtohet më 4 korrik.
Vërtetë! Ç’mesazh i lartë shprese është ky tregim për prindërit, për nxënësit, për të gjithë të krishterët! “Mos e humbisni shpresën kurrë” na thotë. “Duroni, besoni, faluni”. Sado të rënda qofshin vështirësitë dhe pengesat, mos e thyeni veten, kini shpresë”.
Dhe me këto na kujton fjalët optimiste të Apostull Pavlit, i cili thotë: “Në të gjitha këto, ne jemi më shumë se fitimtarë, me fuqinë e atij që na deshi” (Rom 8,37). Të rrethuar nga prapështitë e shumta, nga vështirësitë dhe pengesat, ne dalim fitues, madje me të tepër, kur kemi pranë dhe brenda në zemrën tonë Krishtin.