EmailFacebookKontakt

Martirët e shenjtë Lauri dhe Flori

Vëllezër në trup dhe në shpirt, Lauri dhe Flori ishin dy të krishterë të zellshëm. Jetonin në Iliri në shek. II pas Krishtit, dhe zanati i tyre ishte gurëgdhendës dhe ndërtues shtëpish e objektesh të ndryshme. Një herë, disa princa paganë i dërguan të ndërtonin një tempull për nder të idhujve të tyre. Ndodhi që gjatë punës një cifël guri fluturoi dhe hyri në syrin e djalit të priftit pagan, i cili ndodhej aty afër, për të shikuar se si ata gdhendnin gurët. Duke parë djalin e tij të verbuar dhe të gjakosur prifti u sul drejt vëllezërve të shenjtë për t’i goditur e për t’i vrarë. Atëherë ata i thanë atij se, nëse do të besosh në Zotin e vërtetë, në të cilin ne besojmë, djali yt mund të shërohet. Prifti pranoi dhe ju premtoi, se, nëse Zoti i tyre do e shëronte djalin edhe ai do t’i besonte atij. Lauri dhe Flori filluan me lot në sy t’i luteshin të vetmit Zot të Gjallë dhe bënë shenjën e kryqit mbi syrin e djalit.

Dhe ja, ndodhi mrekullia: djali u shërua në çast dhe syri i tij u bë siç kishte qenë më parë. Duke parë këtë mrekulli, prifti Merentius (ashtu ishte emri i tij) dhe djali i tij u pagëzuan dhe të dy shumë shpejt dëshmuan për Krishtin. Dhe ashtu siç ari njihet në zjarr, ashtu edhe ata u provuan në zjarr. Kur Lauri dhe vëllai i tij Flori mbaruan së ndërtuari tempullin pagan, vunë në të një kryq dhe thirrën tërë të krishterët të mblidheshin. Pastaj ata e shenjtëruan tempullin me emrin e Krishtit, dhe ndenjën tërë natën duke u lutur dhe duke kënduar hymne. Por, kur guvernatori i Ilirisë dëgjoi se çfarë kishin bërë, dha urdhër që tërë të krishterët që ishin mbledhur atje të arrestoheshin dhe të digjeshin të gjallë.

Midis atyre që u dogjën ishin edhe prifti Merentius me të birin. Ndërsa Laurin e Florin i hodhën në një pus të thellë dhe i mbuluan të gjallë me dhe. Më vonë lipsanet e tyre u zbuluan dhe për t’i nderuar, perandori i asaj kohe i mori ato lipsane në kryeqytetin e perandorisë, Kostandinopojë. Këta dy vëllezër të shenjtë vuajtën për Krishtin dhe mbetën në brezat e ardhshëm si dy kandilë, që ndriçojnë ikonën e lavdishme të besimit tonë.

Kisha orthodhokse e nderon kujtimin e tyre në 18 gusht.