Eshtë një temë kjo që shqetëson mjaft të krishterë orthodhoksë, të cilët dëshirojnë të bëjnë një jetë me të vërtetë orthodhokse. Natyrisht, kur është fjala për jetën e tyre brenda shtëpisë, brenda familjes, ata përpiqen dhe bëjnë një jetë me të vërtetë sipas porosive të Zotit, sipas porosive të Kishës dhe një temë e tillë nuk i shqetëson.
Problem për ta është kur ndodhen jashtë mjedisit familjar, jashtë shtëpisë: në punë, në shoqëri, në marrëdhënie me të tjerë. U vjen rëndë të tregohen se besojnë, se janë fetarë, se ndjekin rregullat tona orthodhokse, se vijnë në Kishë e të tjera. Mundohen të tregohen krejt ndryshe nga ç’janë në fakt, duke menduar se bota, të tjerët, po e morën vesh, do t’i konsiderojnë si të prapambetur, si njerëz të kohës së “baba Qemos”, si njerëz prapa botës.
Po, kush është kjo “botë”, me të cilën këta njerëz rezervohen të ndeshen dhe kanë frikë të paraqiten ashtu siç janë në të vërtetë, domethënë fetarë? “Bota”, me kuptimin që i jep asaj Shkrimi i Shenjtë, janë njerëzit që jetojnë larg Perëndisë, njerëzit që, ose nuk e njohin rrugën e Perëndisë, ose jetojnë në kundërshtim me të. Këtë kuptim i jep fjalës “botë”, edhe Apostull Joani, kur thotë “gjithë bota dergjet në të ligën” (I Joan 5,19). Dhe ndërsa këta njerëz “të botës” jetojnë sipas mënyrës së njohur të tyre, është e “natyrshme” që edhe ai që beson, duke u jetuar me ta, “të konformohet”. Dhe do të bëjë lëshime vazhdimisht; njërin lëshim të tij do ta pasojë lëshimi tjetër. Nga turpi nuk do të mbajë kreshmët, do të heqë dorë dalë-ngadalë nga të vajturit në Kishë, do t’u adaptohet kërkesave të modës e të jetës “moderne”, do të frekuentojnë qendra të dyshimta dëfrimi. Në fillim, pak si me turp, pastaj më me guxim, ndërkohë që edhe nxitja nga rrethi nuk mungon dhe i ligu e shtyn. Shkurt, me kohë kryhet plotësisht konformimi me “botën” dhe heqja dorë nga jeta e krishterë, me pasojat analoge të saj.
Po me ç’pasoja? Ato na i tregon Apostull Jakovi, në një varg të letrës së tij: “Ai që dëshiron të jetë mik i botës, bëhet armik i Perëndisë” (Jak. 4,4).
Kushdo, pra, që do të dëshirojë të jetë mik i “botës” dhe do të konformohet me kërkesat e kësaj “bote”, që janë kundër vullnetit të Zotit, me zakonet e saj, me jetesën jashtë moralit e të tjera të tilla, arrin të jetë armik i Perëndisë. Po a është në interesin tonë kjo? Pas një jetë shpirtërore të rregullt e normale, të zhvilluar brenda në Kishë, a është në interesin tonë, që, nga frika e një ose më shumë njerëzve, të lemë të na ikë nga duart ky thesar, të heqim dorë nga Perëndia e të bëhemi, madje, edhe armiq të Tij? Me siguri, jo. Prandaj dhe me një ton të lartë Apostull Joani thërret në letrën e dytë të tij. “Shikoni veten, që të mos humbasim ato që kemi bërë, por të marrim shpërblim të plotë (II. Joan 8). Kini kujdes shumë për veten tuaj që të mos humbasim mundin tonë, po të marrim pagën e plotë për frytet e jetës së krishterë. Le të theksohet gjithashtu se, sado e rëndësishme që të paraqitet dhe jeta “sipas botës” në fillim, aq e neveritshme katandiset ajo në fund.
Ç’duhet bërë, pra? Duhet të shkëputemi nga “bota” dhe nga njerëzit. Jo. Njerëzit do t’i duam dhe do të bashkëpunojmë në punët tona të përditshme. Të gjithë jemi ikona të Perëndisë. Dhe do t’i duam me një dashuri të sinqertë dhe do të komunikojmë me dashuri, por nga ana tjetër, do të ruajmë veten, që të mos ndikohemi prej tyre, të mbetemi të qëndrueshëm në parimet tona të krishtera, në vijën e Ungjillit. Të kemi guximin t’u themi atyre se “kjo që na propozoni, nuk mund të pranohet në familjen tonë, të na falni”.
Le të kihet parasysh edhe kjo: Ka ndër ata edhe njerëz që nuk kanë pasur rastin ta njohin jetën e krishterë. Mirëpo, dashuria jonë e sinqertë, sjellja jonë shpresëtare dhe shembulli ynë konkret, këshilla jonë e urtë dhe sipas rrethanave, kanë mundësinë të ndikojnë tek ata pozitivisht dhe t’i ndreqin shpirtërisht. Veç kësaj, “rrugët e njerëzve të virtytshëm ndritin tamam si drita, ecin përpara dhe ndritin” (Fj. Urta. 4,18).
Dhe nuk janë të pakta këto raste, kur shembulli i mirë u ka hapur sytë shumë njerëzve dhe panë dritën dhe shpëtuan.
Pra, jo “ç’do të thotë bota”, por ç’thotë Zoti. Ajo është në interesin tonë, ajo na shpëton edhe ne, edhe të tjerët.
Përgatiti Dh. B.