Gjithmonë, kur si të krishterë orthodhoksë themi simbolin e Besës, gjithmonë shpallim, “Besoj në një Kishë të Shenjtë, të përgjithshme dhe apostolike”. Ky pohim i besimit nënkupton që të krishterët orthodhoksë janë pjesë e një kishe universale, të cilën Jisu Krishti e themeloi pothuajse 2000 vjet më parë. Besimtarët orthodhoksë janë pjesë e të njëjtit trup në të gjithë botën. Nëse ne jemi shqiptarë, amerikanë, grekë, rusë, bullgarë, ose afrikanë; në qoftë se besojnë në Jisu Krishtin, si Zotin e Shpëtimtarin tonë dhe i besojmë jetët tona tek Ai, nëpërmjet pagëzimit në Kishën e tij të shenjtë, atëhere ne jemi motra dhe vëllezër, pjesë e së njëjtës familje. Shën Pavli thotë në letrën drejtuar Galatianëve, “Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin kini veshur. Nuk ka as Judë, as grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull, as femër, sepse të gjithë jemi një në Jisu Krishtin”. (Gal. 3:27,28).
Për të treguar këtë ide të universalitetit të Orthodhoksisë, një grup i të rinjve orthodhoksë nga Amerika vizitoi Shqipërinë nga 8 korrik deri në 1 gusht, duke udhëtuar në pjesë të ndryshme të vendit dhe duke ofruar programe të ndryshme për rininë shqiptare. Sidoqoftë, qëllimi i udhëtimit s’ishte thjesht për të ofruar mësime rreth besimit tonë orthodhoks tek rinia shqiptare, dhe të tregonte se si të drejtohen programe të tilla. Por edhe të mësonin nga rinia këtu – rreth gjendjes së kishës orthodhokse në Shqipëri, rreth besimit të pasur, që shumë të rinj janë duke rizbuluar dhe përqafuar dhe rrugëve të ndryshme me të cilat mund të ndihmohet kjo ripërtëritje. (Kështu p.sh., një nga pjesëtarët e grupit shprehu dëshirën të kthehej sërish në Shqipëri për një kohë të gjatë, në mënyrë që të ofrojë aftësitë e tij për kishën këtu.)
Në fillim të udhëtimit gjashtë të rinjtë amerikanë u takuan me gjashtë të rinj shqiptarë. Për 24 ditë kjo skuadër punoi si një grup, duke jetuar së bashku, duke mësuar së bashku, duke marrë pjesë në gjithçka si një. Në çdo qytet që udhëtoi – Elbasan, Korçë, Pogradec, Tiranë dhe Durrës – grupi u quajt jo si një skuadër amerikane, por si një skuadër panorthodhokse, duke përfaqësuar unitetin e të gjithë të krishterëve orthodhoksë, në të gjithë botën.
Mbi 320 të rinj dhe fëmijë morën pjesë nëpër veprimtaritë, në këto pesë qytete. Tri javët e programit e kishin fokusin e tyre me temën: “Jisu Krishti – Kush ishte Ai”, “Ç’do të thotë Vdekja dhe Ringjallja”, dhe “Si Ai mund të ndryshojë jetët tona.” Dy qëllimet kryesore të programit ishin, së pari, të forconin fenë orthodhokse në rininë e këtyre qyteteve dhe t’i nxiste ata të rriteshin në besimin e tyre, në njohuritë e dashurinë për Jisu Krishtin, dhe e dyta, t’i paraqitej të rinjve jashtë kishës thesari i madh dhe e vërteta rreth Jisu Krishtit. Mësimet u ofruan nëpërmjet këngëve, skeçeve, studimeve Biblike, bisedave dhe diskutimeve në grupe të vogla. Shumë lojra dhe aktivitete të tjera u përfshinë në program, për ta bërë atë më të kënd-shëm dhe më interesant.
Në fund, pjesëmarrësit, si të skuadrës amerikane dhe të asaj shqiptare, falenderuan Perëndinë për këtë shkëmbim të mrekullueshëm të miqësisë kishtare dhe mësimit. Të gjithë ishin të mendimit se ishte një eksperiencë e ndriçuar, dhe shpresojnë se viti tjetër do të sjellë një grup të ngjashëm.
Luka Veroni