EmailFacebookKontakt

Botime të reja librash nga KOASH

Me bekimin dhe ndihmën e Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasit, u mundësua botimi i 5 librave të rinj, që shpejt cilido besimtar do t’i ketë në duar.

Librat janë shkruar ose përkthyer prej zotit Dhimitër Beduli dhe përmbajnë një informacion me vlerë për çdo besimtar orthodhoks. Në secilin prej tyre, lexuesi mund të gjejë përgjigje për pyetje të ndryshme që i dalin.

Kështu, në librin “Ungjilli si bazë e jetës” jepet kuptimi i Ungjillit dhe roli vendimtar që duhet të luajë ai në jetën e përditshme të çdo besimtari. Po kështu, tepër interesant paraqitet edhe libri “Orthodhoksia”, në të cilin shpjegohen me qartësi e thjeshtësi ato raporte që vendos Orthodhoksia me shtetin dhe me jetën ekonomike dhe sociale në tërësi.

Në librin “Besimi”, të autorit P. Trembela, jepet një shpjegim i qartë i fjalës “besim” dhe gjithashtu sqarohen disa prej të vërtetave bazë të besimit tonë.

Gjithashtu, nuk janë lënë mënjanë as fëmijët, të cilët në librin me titull “Mësime fetare” mund të njohin disa nga lutjet bazë dhe gjithashtu të kuptojnë se si Perëndia dëshiron që ata të sillen në familje, në shkollë, në shoqëri, që të mbeten gjithmonë fëmijë të Perëndisë.

Ndërsa në librin “Historia e një princi Indian” tregohet jeta e Shën Joasafit, i cili ashtu si gjithë Shenjtorët e tjerë e bëri Ungjillin jetë dhe në këtë mënyrë përbën një shembull në rrugën tonë drejt Perëndisë.

Në fund do të dëshironim të falenderonim edhe At Theologun i cili u kujdes për shtypjen sa më të shpejtë të këtyre librave.

Jorgo Gjika