Duket se protestat e besimtarëve, të Asamblesë së Klerikëve e Këshillit të Përgjithshëm etj., sërish kanë rënë në vesh të shurdhër. Madje, për më keq, kanë pasur një kundërveprim të ulët nga pala e interesuar; e turizmit dhe atyre interesave që fshihen pas saj.
– Televizioni transmetoi në emisionet e lajmeve një kronikë të turpshme, ku Manastiri i Ardenicës trajtohej thjesht si një objekt turistik, sa të krijohej përshtypja se Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, dhe funksioni fetar për të cilin ai u ndërtua, duhet të jenë në role dekorative për Ministrinë e Turizmit. Ishte po ky Televizion që mbajti heshtje të plotë për Deklaratën e Asamblesë së Përgjithshme të Klerikëve dhe Këshillit të Përgjithshëm të KOASH, që janë përfaqësuesit e vetëm të afro 1 milion orthodhoksëve shqiptarë.
– Në gazetën e Lushnjës, “Ora e fjalës”, botohet një shkrim i çuditshëm, me titullin “Ç’kërkon Kisha në Manastirin e Ardenicës”(!), ku flitet me të njëjtën gjuhë si në kohën e prishjes së kishave nga diktatura.
– Dhomat e manastirit vazhdohet të përdoren me orë për qëllime imorale dhe nuk pyetet fare për fyerjen që i bëhet jo vetëm besimit orthodhoks, por edhe vetë kombit.
– Po bëhet një fushatë indinjuese në fshatin Kolonjë dhe në zonë nga personeli i turizmit dhe ata që kanë interesa që manastiri të mos i rikthehet KOASH. Me shpifje kundër klerikëve, kundër anëtarëve të Këshillit dhe besimtarëve që përpiqen për rivendosjen e të drejtës së pamohueshme të Komunitetit Orthodhoks të Shqipërisë, për t’iu rikthyer vendi i Shenjtë.
-Ka edhe më dhe në gazetën “Ngjallja”, do përpiqemi t’i mbajmë të informuar në vazhdimësi lexuesit për çdo zhvillim.