EmailFacebookKontakt

Me përkushtim të lartë në shërbim të Orthodhoksisë

Më 2 gusht u mbushën dy vjet nga dita e gëzueshme për mbarë Komunitetin Orthodhoks të vendit tonë, kur Fortlumturia e Tij Imzot Anastasi, u fronëzua Kryepiskop i Shqipërisë.

Kushdo që është njohur me biografinë e plotë të Kryepiskopit (gazeta “Ngjallja”, nëntor 1992) është bindur se ndodhet përballë një personaliteti të madh dhe të gjithanshëm të Orthodhoksisë, që gëzon një prestigj të lartë në mbarë botën kristiane. Kontributi i tij i shquar në fushën e kulturës dhe arsimit teologjik, në fushën e misionarizmit apostolik në Afrikën Orientale dhe aktiviteti i tij shumëvjeçarë në poste drejtuese të forumeve ekleziastike ndërkombëtare, kulmuan vitin e kaluar në atë që Akademia e Shkencave të Greqisë ta zgjedhë me vota unanime, anëtar të saj.

Miratimi, si Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, vërtetoi faktin, se ishin çmuar drejt vlerat e aftësitë e tij dhe, me vendimin që u mor, iu bë një shërbim i jashtëzakonshëm Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të shkatërruar nga themelet e në pamundësi absolute të ringrihej me forcat e veta. Për këtë, gjithë besimtarët orthodhoksë shprehin falenderimet e mirënjohjen e tyre të thellë. Por, a e justifikoi Fortlumturia e Tij besimin e dhënë nga organet më të larta të shtetit dhe shpresat e besimtarëve orthodhoksë? Plotësisht! Puna dhe vepra e tij e vërtetojnë këtë gjë pa mëdyshje. Të dhënat që do të japim më poshtë paraqiten më tepër për të bindur skeptikët dhe opozitarët e dështuar, sepse besimtarët orthodhoksë, në qytete e fshatra, i shohin me sytë e tyre dhe i përjetojnë ndryshimet e mëdha që po ndodhin në Kishën Orthodhokse Autoqefale të vendit tonë nga dita në ditë dhe nga viti në vit.

– Pas ardhjes në Shqipëri, dhe pasi u njoh me situatën, Kryepiskopi iu përvesh punës me përkushtim të rrallë. Një vëmendje të dorës së parë i kushtoi përgatitjes së brezit të ri të klerit, rindërtimit të kishave të dëmtuara e ngritjes së kishave të reja dhe veprimtarisë bamirëse, në ndihmë të familjeve nevojtare, jetimoreve, handikapatëve etj.

1- Në 3 vjet u hirotonisën në dhiakonë apo priftërinj 59 studentë të Shkollës Teologjike të Durrësit, që kanë plotësuar ciklin trevjeçar të mësimeve, të cilët u emëruan në qytetet e fshatrat e tyre. Gjatë shkollës, disa seminaristë, për nevoja urgjente, pa u shkëputur nga shkolla, u hirotonisën para kohe dhiakonë. Në fund të vitit të ardhshëm shkollor brezit të ri të klerit do t’i shtohet grupi i dytë, afërsisht i barabartë. Dhe kështu, në çdo tre vjet numri i klerit të KOASh-it do të vijë duke u rritur paralelisht me shtimin e numrit të kishave, që hapin dyert e tyre njëra pas tjetrës.

2- Një numër i rëndësishëm objektesh të kultit janë restauruar duke u bërë për këtë qëllim shpenzime të konsiderueshme, si p.sh. për të sjellë kisha të parafabrikuara, për pajisje, si amvone, ikonostasë, ikona, materiale dekorative, këmbana, mermer, dyer, dritare, kaloriferë, aparatura për ajër të kondicionuar, mjete kancelarie, kompjuter, autovetura, furgone, maune etj., vlera globale e të cilave arrin disa miliona dollarë. Disa nga këto objekte janë:

-Rikonstruksioni i plotë Katedrales së Ungjillëzimit, me vlerë disa dhjetra milionë lekë.
-Godina e Kryepiskopatës në Tiranë, me të gjitha mjetet e mjediset e nevojshme të punës.
-Manastiri i Shën Vlashit në Durrës, mjediset e të cilit do shërbejnë edhe për Shkollën Teologjike.
-Kisha të parafabrikuara në Pier, Bilisht, Borovë, Korçë, Novoselë, Delvinë, Maliq, Ersekë, Poro, Shën Pjetër, Rushkull, Sheqishtë, Ksamil, Shkallë, Sarandë etj.
-Kisha të reja në Vlorë, Selenicë, Skrofotinë, Mashkullorë, Korçë, Pojskë, Shtërmen, Rreth-Greth, Dukat, Malavec etj.
-Fillimi i punës për katedralet në Korçë, Sarandë, Pogradec.
-Riparimi i Kishës së Kryeëngjëjve në Gjirokastër, Shën Gjergjit në Durrës, Shën Thomait dhe Shëndëllisë në Berat, Mitropolisë në Elbasan etj.
-Shtypshkronja e re, ku shtypet gazeta “Ngjallja” dhe së shpejti edhe botime të tjera fetare.
-Botimi i Librit të Shërbesave, të Katekizmit, i Kalendarëve fetarë etj.

3- Disa të dhëna mbi veprimtarinë bamirëse të KOASH-it, e cila është zhvilluar pa bërë dallime sipas besimit:

Gjatë dy vjetëve të fundit u shpërndanë më tepër se 103 tonelata ushqime dhe 34 mijë litra qumësht të konservuar, me një vlerë të përgjithshme prej mbi 15 milionë lekë të rinj. Gjatë vitit 1992, kur disa zona të Veriut u prekën nga përmbytjet, u dërguan maune me patate përveç ndihmës së menjëhershme në të holla, prej 600.000 lekë të rinj. Gjithashtu, tonelata me ushqime, veshmbathje e batanije u dërguan në shumë fshatra të varfëra. Donacione i janë dhënë Shoqatës së Dhuruesve të Gjakut, Azilit të Pleqve, Shtëpisë së Jetimëve në Tiranë dhe Durrës etj. Gjatë dy vjetëve të fundit janë ndihmuar më tepër se 23.000 familje. Për shumë shkolla janë siguruar fletore, xhama dhe banga për pajisjen e klasave. Janë dhënë mbi 5 milionë lekë të rinj për të ndihmuar 300 fëmijë jetimë dhe të varfër. Së shpejti do të hapet në Tiranë një klinikë model, me shërbim dhe medikamente falas. Po kështu, do të çelet një kopësht për fëmijët e vegjël etj.

Këto ishin vetëm një pjesë e fakteve, që vërtetojnë përkushtimin e madh të Kryepiskopit Anastas për rimëkëmbjen e shpejtë të KOASH-it dhe radhitjen e saj për krah kishave të tjera orthodhokse. Ndaj, me rastin e 2-vjetorit të fronëzimit të tij, besimtarët orthodhoksë e falenderojnë nga zemra dhe i urojnë shëndet dhe jetë të gjatë, për të mirën e KOASh-it dhe të Orthodhoksisë.

Teodor Papapavli