Mbas persekutimit kundër krishtërimit, kisha e parë që u ndërtua në Jeruzalem mori emrin e Ngjalljes së Zotit tonë Isu Krisht. Mbas persekutimit në Shqipëri kundër besimit nga ateizmi komunist, kisha e parë e përmasave të mëdha, Katedralja e Korçës, nuk mund si të mos kishte edhe ajo këtë emër kuptimplotë – “Ngjallja e Krishtit”.
“Paqe mbi ju” ishte përshëndetja e parë e Krishtit të ngjallur nxënësve të tij. Dhe më tej “Gëzohuni”. Ndaj edhe kjo ditë e shënuar për qytetin simbol të besimit, por edhe të kulturës e të traditave atdhetare, nuk mund të mos kishte si lejtmotiv paqen dhe gëzimin e pamatë.
E ndjeje këtë gëzim, paqen, por edhe dashurinë e thellë tek ata besimtarë, të të gjitha moshave, që kishin dalë në mbasditen e 1 gushtit të prisnin Kryepiskopin që para se të hynte në qytet, duke krijuar një vargan kuptimplotë prej 30-40 automjetesh, të mbushur përplotë.
E ndjeje tek ata dhjetëra e dhjetëra qytetarë, që u mblodhën menjëherë rreth Fortlumturisë së Tij, në vendin ku eskavatoristi Paskal Dumi sapo kish nisur gërmimet përgatitore për fillimin e punimeve të Katedrales dhe më pas, në dashurinë e takimeve në Kishën e Burimit Jetëdhënës.
E ndjeje atë më 2 gusht, ditën e kremtimit të lipsaneve të dëshmorit të parë, Shën Stefanit, por edhe të 2-vjetorit të ngjarjes së shënuar të fronëzimit të Kryeepiskopit Anastas, ngjarje që e bëri Kishën Orthodhokse Autoqefale të barabartë me gjithë simotrat e saj të botës, në fjalët e përshëndetjes së At Kristo Racit dhe gjithë klerikëve e laikëve të dioqezë së Korçës, që i uronin Fortlumturisë së Tij shëndet dhe jetë të gjatë në të mirë të Kishës.
E ndieje te ata mbi 15 mijë besimtarë, që u mblodhën në pasditen e po asaj dite, për të festuar bekimin e punimeve të Katedrales madhështore, 24 metra të lartë, që do të jetë edhe bekim për gjithë qytetin.
E ndieje si në cicërimat e valltarëve të vegjël veshur me kostume kombëtare, ashtu edhe në fjalët e përshëndetjes së bashkëatdhetarit 94-vjeçar Peter Minari, me banim në SHBA, se “sjell urimet e besimtarëve të kishës sonë, si dhe ndihmën e tyre financiare për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të kryesuar prej Fort të Lumturit, Kryepiskopit Anastas.”
E ndieje veçanërisht edhe në fjalët e Kryepiskopit drejtuar njerëzve të emocionuar e të prekur, shumë prej të cilëve qeshnin e qanin nga gëzimi, se “Kjo Kishë, ashtu siç ëndërojmë dhe e imagjinojmë, u përket të gjithëve, pa përjashtim… Ajo duhet të jetë një qendër dashurie, një qendër kulture, një qendër paqeje”.
Dhe së fundi, e ndieje në zërat e të gjithë të mbledhurve në atë ceremoni të Shenjtë, ndërsa këndonin me lotë në sy hymnin e Pashkës së të Ngjallurit “Krishti u ngjall së vdekuri”, me në zemëra falenderimin, sepse, siç e theksoi edhe Fortlumturia e Tij, Anastasi: “Falenderojmë Perëndinë për këtë dhuratë të madhe që na fali. Falenderojmë të gjithë ata që mundësuan arritjen e ditës së sotme; Kryetarët e Rrethit e të Bashkisë, përfaqësuesit e të gjitha partive, të dashurit dhe të shtrenjtët përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, të gjithë qytetarët e Korçës, që me mirësinë dhe dashurinë e tyre ranë dakord për të hedhur këtë hap… Mos i mendoni vështirësitë. Ato janë që të gëzohemi më tepër mbrapa. Edhe atëhere kur na qëllojnë me gurë, t’i përdorni gurët për të ndërtuar.”
(Në numrin e ardhshëm do të lexoni për vazhdimin e vizitave të Kryepiskopit në rrethet Korçë, Kolonjë, Përmet, Gjirokastër e Sarandë).
Korresp. i “Ngjalljes”