EmailFacebookKontakt

Bekim në festën e Apostujve Petro dhe Pavël

“Nga nevojat më të domosdoshme e më urgjente, është sigurimi i vendeve të kultit, riparimi dhe rindërtimi i kishave të vjetra dhe ndërtimi i kishave të reja”,- theksonte Kryepiskopi Anastas ditën e Fronëzimit, 2 gusht 1992, duke cilësuar kishat “mushkëri të gjalla të qytetërimit të sotëm dhe mitra lindjeje të qytetërimit të së ardhmes”.

Fjalë këto, që me të drejtë ngjallën nostalgji për kishat e vjetra, të cilat tashmë jetojnë vetëm në kujtesë, por në të njëjtën kohë edhe shpresë e dëshirë. Sidoqoftë, edhe skepticizmi që lindi në lidhje me mundësinë reale të realizimit të një objektivi aq të madh, qe mëse i justifikueshëm. Veçse Kryepiskopi Anastas nuk lë rast pa ju kujtuar besimtarëve kudo që shkon fjalët e Zotit tonë Iisu Krisht: “Ndë paçi besë sa një kokër sinapi, do t’i thoni këtij mali, shko këtejmi atje, edhe do të shkojë. Edhe nuk do të jetë gjë që të mos mundeni ju ta bëni”.

Realiteti jep përditë dëshmi të vërtetësisë së tyre. Kisha jonë jeton ngjalljen e plotë dhe mrekullia i është e pandarë. Veç hapësira na detyron që objektin e këtij shkrimi ta kufizojmë vetëm tek disa shënime nga udhëtimi dyditor i Kryepiskopit Anastas ditët e pragfestës dhe festës së Apostujve të shenjtë Petro e Pavël, 28-29 qershor, në zëvendësitë episkopale të Fierit dhe Vlorës.

Brenda atij harku kohor Kryepiskopi bekoi fillimin e punimeve ndërtuese të katër kishave të reja: “Lindja e Shën Marisë” në Sheqishtë, “Ngjallja e Zotit Iisu Krisht” në Novoselë, “Shën Nikolla” në Poro, “Shën Petro”, në fshatin me të njëjtin emër, si edhe pa nga afër ecurinë e punimeve në Kishën e Shën Thanasit të Skrofotinës, kreu shërbesën e mbrëmësores në fshatin Nartë dhe Liturgjinë Hyjnore në Kishën e re Shën Teodori në Vlorë.

Dendësi e jashtëzakonshme veprimtarish po që nuk mundet kursesi të mjegullojë sadopak të veçantën e çdo momenti të pashlyer nga kujtesa…

… duart e stërvuajtura të kryetarit të këshillit kishtar të Sheqishtës, në krye të besimtarëve, që i zgjasin tërë emocion Kryepiskopit Anastas ikonën e së Tërëshenjtës Mari …

… tabloja simbol në kishën e Shën Thanasit në Skrofotinë, me shtyllat e mbetura nga kisha e rënuar, muret e saj në ndërtim, qirinjmbajtëset prej druri dhe Kryepiskopi duke puthur ikonën e Krishtit…

… kisha e Nartës, e mbushur me besimtarë, që mbanin në duar pjata me grurë për festat emërore të atyre që mbajnë emrin Petro dhe Pavli…

… kisha e re e Shën Teodorit në Vlorë, që lartësohet plot bukuri përbri kishës së vjetër, shndëruar në ofiçinë, ku meshoi për herë të parë në Vlorë Kryepiskopi Anastas, më 1991…

… fillimi menjëherë pas mbarimit të ajazmës i montimit të kishës së re në Novoselë…

… besimtarë’t e Poros, që nxitojnë t’i përgjigjen, menjëherë pas mbarimit të shërbesës, thirrjes së Kryepiskopit, që të japin edhe ata kontributin e tyre, sado simbolik, për ndërtimin e kishës, sepse Perëndia, siç theksoi Kryepiskopi, duke përmendur bekimin e 5 bukëve dhe 2 peshqve nga Krishti në shkretëtirë, bekon të paktën, por jo hiçin…

… shërbesa e ajazmës në Shën Petro, pothuaj në dritën e hënës dhe biseda e besimtarëve me Kryepiskopin…

Rezultati: fillimi brenda dy ditëve i punimeve për ndërtimin e katër kishave të reja.

Dhe më e mrekullueshmja: dy prej tyre, ajo e Novoselës dhe e Poros, do të jenë të përfunduara përpara se gazeta do të arrijë në dorë të lexuesit, ndërsa dy të tjerat pa mbaruar ende vjeshta.

Korresp. i “Ngjalljes”