(Vijon nga numri i kaluar)
Politika në botën pagane koincidonte disi me fenë, sepse tek kjo mbizotëronte hyu antropomorf me të gjitha veset. Madje faraoni, dhe më vonë perandori, shkojnë në skaj duke hyjnizuar veten, dhe kështu nënshtrimi qytetar i popullit ndaj tij merr tipare devocioni. Kurse te Hebrejtë, bartës të Perëndisë së gjallë, është Zoti që sundon, që udhëheq, pavarësisht se politika korrente kushtëzohet nga liria (në ngjitje ose në ulje) e kreut, nga pabesia ose bindja e turmës, të ndërgjegjësuar të dy nga profeti, zëdhënës i Zotit dhe censor i vazhdueshëm i veprimeve të tyre.
Ky model mbeti përsëri në fuqi, por i ndryshuar në këtë: Profecia për izraelitët u bë realitet tek kristianët. Mesia erdhi dhe kush ish për të besuar, besoi. Në refleks të besimit ose mosbesimit tek akti i kryqëzimit të Njeriut të pamëkatë, i jepet kuptim mëkatit vetë, në tërë shtrirjen e tij; kështu ndarja mes njerëzve bëhet më e thellë, dhe sfera politike e pasqyron atë.
Duke u zbuluar e plotë dhe e vazhdueshme skllavëria prej mëkatit, merr kuptimin e vërtetë edhe liria, si dhe mënyra se si do të fitohet. Kjo liri do të ndajë mes tyre njerëzit tani e mbas, madje edhe ata të një gjaku, të një familjeje, dhe është thelbi i vërtetë i fjalës “Erdha të ve jo paqen, por shpatën”. Popujt nuk do të jenë më kope të yshtura nga instikti i mbijetesës dhe i rrëmbimit, ata nisin të shndërrohen ngadalë në përzierje të shqetësuara individësh që vihen, secili veç, para një zgjedhjeje. Ndodhin kthesa të bujshme, si ajo e Perandorit Konstantin kur shpall krishtërimin fe zyrtare; një mendësi e re zë vend duke prurë një kulturë rrënjësisht të ndryshme, por përsëri konflikti midis njerëzve thellohet, madje tani fillon i rreptë, sepse ndodh midis së drejtës dhe së shtrembërës e jo më midis dy të shtrembrave). Politika, e përfaqësuar nga njerëz, që edhe ata pësojnë ndikimin e kohës, vihet të zgjedhë në mëdyshjen intime të zgjedhë: të veprojë sipas Perëndisë dhe farës në rritje të besnikëve, apo sipas turmës inerte, që shpesh bëhet dhe më e egër, pavarësisht nga shndërrimet, ngaqë ngatërron devocionin me fanatizmin dhe dashurinë e përzien me urrejtjen.
Fryt i kësaj mëdyshjeje është shtirja dhe hipokrizia më të cilën vishet paskëtaj politika (shumë shpesh feja), gjë që as do të kuptohej në lashtësinë pagane, kaq naivisht e sinqertë, meqë s’kishte pse ta fshihte dhunën. Eshtë e njëjta dhunë që vazhdon si përpara, por tani e fshehur dhe e zbukuruar brenda ligjeve të diplomacisë. Nuk duhet kuptuar si një gjë tërësisht negative… Përderisa u fol për një pedagogji hyjnore, këto dredhime dëshmojnë, së paku, për një fazë ndërgjegjësimi se e drejta ekziston, por s’mund të arrihet menjëherë. Këto shmangie “njerëzore”, (siç është rasti i ligjit të shkruar dhe jo të zbatuar për “mospjekuri të kushteve”) e çojnë përpara shoqërinë, dhe shpesh lënë shteg për disa shpërthime të habitshme vullneti të mirë, i cili arrin jo vetëm të afrojë e të zbusë masa shumëmilionshe, por edhe të bëjë zap dhelprat më të regjura të dhunës, së hapët e të maskuar. Në të kaluarën e afërt kemi shembullin e Gandit, një kristian i pashpallur, por jashtëzakonisht efektiv për hir të dashurisë së pakushtëzuar për të gjithë njerëzit, miq e kundërshtarë, gjë që e aftëson të sfidojë çdo zemërngushtësi.
Problemi sot nuk qëndron aq te politika vetë, sa te kultura që e prodhon atë. Brenda kësaj kulture, dhuna është më pak e bujshme, por më themelore, sepse ka mbledhur dhe shtresuar pabesira të brezave, që u joshën nga konceptimi afetar i shekujve modernë, që i jepnin shoqërisë begati dhe prestigj tokësor, në këmbim të devocionit që humbiste. Kjo pabesi e grumbulluar, nuk mund të bjerë e tëra mbi shpatullat e brezit aktual, sepse është vënë pak e nga pak, sa herë në të kaluarën veprohej sipas kritereve rrethanore e jo parimore, sa herë masat miratonin ligje e politika që ndeshnin “nga pak” me ndërgjegjen e tyre fetare, duke u bazuar tek një lloj pendimi “apriori” për padrejtësinë e bërë, e që në fakt ishte pajtim i qetë me të. Kjo kulturë, që rrezikon ta drobitë vullnetin e mirë, i ka vënë përpara politikës probleme, që ajo detyrohet t’i zgjidhë tani me dhunë, gati kundër vullnetit të vet…
Shembulli na vjen nga krahu i përkundërt i Indisë së vështirë, m’u në botën “e parë”, shtëpi e Krishtërimit të shpallur, ku qytetërimi i ngritur mbi progresin, nuk shkëputet dot nga ideali dhe praktika e mirëqenies. Megjithë dy katastrofat që i ka në shpinë brenda shekullit, që na kujtojnë qametet biblike me zjarr e squfur (shenjë e qartë se kufiri i egoizmit është kaluar bollshëm), ajo vazhdon të projektojë “lumturinë” në tokë, dhe e bën mbi parimin e një seleksionimi të “domosdoshëm”, jo më të natyrës, as të Perëndisë, por të operuar nga vetë njeriu, me mjete shkencore! Tanimë kjo duket një zgjidhje e pranuar botërisht – një luftë që u dashka t’i bëjë njerëzimi vetes. Ajo tingëllon kështu: Për ta gëzuar jetën një pjesë duhet të flijohet pjesa tjetër, jo me seleksionim natyral ose me luftra, si në të kaluarën, por thjesht duke e penguar të lindë! Në fakt, në daç me mënyra të buta, si ato kontraceptive, në daç më të fortat, si aborti, tanimë është krijuar bindja se s’ka rrugë tjetër për të zgjidhur problemet e sotme dhe të ardhme të botës, veç kësaj ndërhyrjeje të njeriut për të kufizuar pjellorinë.
Ky është një moment vërtet kuptimplotë. Në të kaluarën luftrat, mirë ose keq, sinqerisht ose me hipokrizi, bëheshin në emër të së drejtës, i kërkohej ndihma Zotit. Sot bota e tërë, edhe pse jo në mënyrë të deklaruar, edhe pse mjaft më e zbutur, del në fakt me veprime të hapura kundër tij, duke u suprimuar të drejtën për jetë jo disa pak njerëzve të rritur, të armatosur, e kundërshtarë të ndërgjegjshëm (e shumë a pak fajtorë), por miliona foshnjave në embrion, ende pa u ardhur koha të dalin në jetë, dhe pra, të paafta ende të fyejnë ose të dëmtojnë kënd. Cilësia e veçantë e këtij momenti, që e quajtëm kuptimplotë, qëndron te paaftësia për të kuptuar enormitetin e këtij veprimi. Kjo është pasojë e një shmangieje jo fort të hershme nga rruga e rëndomtë humane, që bëri njeriu i Rilindjes, kur i ra në dorë shkenca moderne, e aftë të prodhojë me kosto të lirë dhe në seri. Ai e mori e menjëherë u josh nga mendimi se ishte produkt i duarve të tij. I çliruar nga djersa e mundimet (në fakt këtu fillon procesi i komoditetit të punës) ai fitoi përsëri krenarinë ta përballojë vetë jetën dhe çdo gjë që ndodhet brenda saj, dhe madje të interpretojë edhe Shkrimin e Shenjtë, jo më me përulësinë e atij që lyp hir së larti, por me logjikën e paanshme të filozofit dhe me përgjegjësinë eskluzive të qytetarit.
Në shekujt që pasuan u shëruan shumë plagë, u arritën shumë të vërteta shkencore, u ndërmorën shumë udhëtime njohjeje e pushtimi, përherë e më shumë në frymën e njeriut – zot i fatit të tij. Krishtërimi që e kishte edukuar deri të djeshmen, vazhdoi të lozë rolin e moderuesit, të moralizuesit e humanizuesit, por jo më tepër. Kësisoj, në imagjinatën e njeriut modern zuri vend përherë e më shumë një farë kundërvënie shumë a pak e hapët me Zotin. Simboli i zjarrit promethean u zgjodh nga lashtësia për t’ia vënë si emblemë shkencës së re, dhe, për ta thelluar dhe më këtë ndarje historike fe-kulturë, shërbeu qëndrimi fanatik i kishës, që priste me ftohtësi ose dhe armiqësi çdo kërkesë për hir që i bëhej Perëndisë, por që nuk përkonte me lutjen ashtu siç e njihte ajo. Këto qëndrime të ngushta u zbutën me kohë, në një klimë tolerante, ku kisha rishikoi mjaft nga qëndrimet e ngurta.
Megjithatë, rënia e ndjenjës fetare (në krahasim me shekujt e parë të Krishterimit dhe Mesjetën) është fakt. Toleranca sot nuk dallon shumë nga indiferenca, kurse bamirësia shpesh mbulon ndërgjegjen e vakët fetare.
Kësisoj besa e gjallë, ajo e shtegtarit që kërkon vërtet “shpëtim në shkretëtirë”, që i drejtohet pa pushim Zotit gjersa të arrijë një shenjë prej tij, mbetet pronë e një pakice, që vendoset nëpër kremtime shenjtorësh-patronë në kërkim të mrekullisë. Qytetërimi modern u kalon anash këtyre mbetjeve të zjarrit të vjetër në vërshimin e tij, dhe e shumta, i shqyrton me kriteret e shkencës; por nuk shprehet. Por, tash së fundi, vetë kriteri shkencor po pëson lëkundje. Që shkenca në vetvete s’ka qenë kurrë as “domen i djallit”, siç e quajti një kohë ngushtësia bigote, as çliruese nga obskurantizmi i fesë, siç e shpalli materializmi i verbër, që ajo është më tepër dhuratë së larti dhe dashuri aktive për njerëzimin, dhe shumë më pak kureshtje mëkatare, kjo u demostrua më së miri në një rast limit, kur kërkuesit racistë bënë eksperimente pa asnjë farë kufizimi mbi njerëz, duke përdorur si kavie robërit e kampeve, dhe pësuan dështim të plotë.
Rastet limit vihen re kudo tani. Eshtë shenjë se kohët ndryshojnë, se vërshimi ateist racionalist tërhiqet në zbaticë, duke lënë të rishfaqet shkëmbi i besës.
Megjithatë shtresimet e paganizmit të shkallëzuar që u tha më lart, të filtruara gjatë shekujve modernë kanë çuar pushtetin dhe opinionin së toku në një pozitë që të mund të vendosin pa fort skandal mbi të drejtën e miliona foshnjave të palindura për të jetuar. Kjo e vlen të përsëritet, sepse na duket fakti më qëndror – rrezikon vetë themelin e Marrëveshjes me Zotin, ngaqë ligjëson jo vetëm shterpësinë (gjenetike e shpirtërore), por edhe vrasjen masive! Premtimi “Do të shtoj si yjet dhe si rërën e buzës së detit (Gjen. 22,16) i dhënë tërë brezave nga ay që i mban zotimet, në vend që të përbënte garancinë më solide për të ardhmen e njerëzimit, tanimë tingëllon si kërcënim. Kjo dëshmon për rëndesën e arritur nga zemra e njeriut në rendjen e saj pas kënaqësive, por dhe për mendjengushtësinë e realizmit të tij rrafsh për tokë, që e gjykon ushqimin dhe vetë mbijetesën e fisit njerëzor çështje shifrash dhe jo hapjeje të njeriut ndaj të afërmit të tij nën fuqinë e Zotit.
Dalja e farërave me pjellori të lartë, energjia me kosto të ulët që e çon ujin kudo ku ndihet nevojë, nuk u kujton më njerëzve autorin e vërtetë, atë që hodhi bukë nga qieli de bëri të shkrepë ujët nga shkëmbi. Religjioziteti i tyre (megjithë ndryshimet e fundit idealiste në shkencë) vazhdon të jetë i dëmtuar nga intervali i gjatë skeptik që ndodhi në kulturë. Kështu ato, farërat pjellore dhe bonifikimet e mëdha (për të përmendur vetëm ato) nuk merren si premisa për rritjen e plotë të njerëzimit, dhe me radhë, rritja e njerëzimit, nuk merret si premisë për falënderime të reja ndaj Zotit, me anën e realizimeve të tjera që mendjet profetike e gjeniale të asaj rëre të bekuar do të nxjerrin pafundërisht nga dashuria që ka Krijuesi për njeriun. Edhe Kishat nuk ndikojnë dot vendosmërisht për të kthyer masat tek besimi. Vetë raporti i Kishës me masat është bërë i “mirësjellë”, pa atë sinqeritet të ashpër që karakterizon fazat e emergjencës së tejme.
Orthodhoksisë i ka rënë fati (lexo: vullneti i Perëndisë) të ekzistojë e veprojë në Lindje, aty ku pushteti temporal ka qënë gjithmonë absolut, dhe ku njerëzia merreshin me Zotin për një prirje të lindur në atë rajon djep të feve. Prania e mbretit autokrat përkrah kishës, dhe ndjekjet e paprera prej tij s’ia kanë ndërprerë kurrë mundësinë që të vihet në provë, me pasoja të dyfishta: titullarët e saj kanë ulur shpesh kryet para autokratit, por në fillin kryesor, gjaku i dëshmorëve të shumtë ia ka ruajtur të paskërfitur dogmën. Ajo mbetet një adhurim i shtangët i Perëndisë Triadike, që i siguron një report të fortë, bailor, me botën dhe që patjetër do t’i vlejë botës në kohën e zbutjeve të ndryshme të besimit, për ta prurë përsëri tek vizioni i vërtetë, i pakonsumuar i ekzistencës dhe shpëtimit. Në kohët që priten, orthodhoksia si e tillë, së bashku me kishat e tjera, si dhe me fetë e tjera monoteiste duhet të çbëjnë shumë nga fitoret e racionalizmit të ngushtë, duke provuar me shembuj të besës së gjallë, se arësyeja nuk hie, por zgjerohet tek mrekullia.
Duke përfunduar, mund të themi përmbledhtas, se përzierja në politikë e dëmton fenë, por feja mund ta çlirojë politikën nga shumë vese, po qe se ndikon, jo drejt, por nëpërmjet kulturës që formon te qytetarët, pra dhe drejtuesit politikë. Ajo duhet të zërë vend në shkollë si një e drejtë e njeriut për shpresën e bazuar. Rezervat ose kundërshtimet, ndonjëherë të arsyeshme, se me futjen e fesë në shkollë rrezikohet paanësia e informacionit ose nxiten paragjykimet, mund të shmangen po të jepet feja e tillë siç është, një rrugë shpirtërore dhe morale e bazuar në dashuri për të gjithë, dhe jo si një alternativë ideologjike ose politike. Nxënësi mund të marrë nga sfera laike, dhe nga e tërë historia, deri edhe ajo pagane, shembuj shumë të vlefshëm për të formuar virtytet e qëndresës, integritetin moral, ndjenjën e detyrës, madje edhe të drejtësisë në një farë mase, sepse këto kanë të bëjnë edhe me ekzaltimin e egos, që është shumë e fortë në brendësinë e secilit. Po vetë historia na tregon, nga ana tjetër, se sa të rrezikuara janë këto virtyte njerëzore nga ligësia që përhapet dita-ditës dhe i rrethon me shterpësi. Ato mund të rijetojnë, madje të fitojnë një bazë të qëndrueshme ideore, dhe sidomos një blerim të vërtetë, që s’njeh tharje, vetëm me anën e dimensionit të besimit e të alturizmit, që u vijnë jo nga idetë, por nga dashuria krijuese. Vetëm nëpërmjet saj qytetari mund të arrijë të bëhet përsëri “popull i zgjedhur”, që me besim të patundur tek premtimi i Zotit “t’i hyjë detit më këmbë”, i bindur se “rypina shpëtimtare” do të shfaqet në momentin e duhur!
Politika kështu, e parë si një shikim më i thellë, përtej detyrave ndaj thjesht mbijetesës, nuk ka si të mos kalojë tek pajtimi me armikun e papdehur. Shenja të kësaj fryme ka patur gjithmonë, dhe është meritë e fesë. Por që kjo të bëhet rrugë e shkelur dhe efektive, duhet të shfaqet përsëri politikani besimtar (i modelit të vjetër e pak të harruar të historisë së shenjtë, me një veshje të re), jo vetëm i votuar, por i mbështetur me konsekuencë nga një turmë po besimtare. Tani që humanizmi i markës njerëzore (me emblemë zjarrin e vjedhur zotave) dështoi mes gërmadhave të luftrave, pilulave të shterpësisë dhe sëmundjeve në ngjitje, kjo turmë e bërë shumicë do të mundë ta kthejë në realitet konkret besimin e vet, kur të jetë e gatshme të heqë dorë nga mirëqënia me punë aktive, secili siç ia dikton zemra, por brenda një mendësie dominuese tanimë dhe e bërë forcë politike. Sepse flijimet që do të bëjë ajo në taksa e punë, do të jenë njëherazi e mira materiale në ndihmë të të afërmit, po dhe pendesë e vet, e kërkuar dhe e pëlqyer nga Zoti, pa të cilën asgjë nuk bëhet, nga ato që mbeten.
Lekë Tasi