– Skicë –
Ishin ditët e para të rilulëzimit të orthodhoksisë. Në sallën e përshtatur në kishë, sapo hyje në mes të koridorit, qe vendosur një kryq i madh. Të gjithë sa vinin ndodheshin ballë për ballë me Krishtin e kryqëzuar. Kushdo ndjente emocione të forta dhe si afrohej, heshtazi, falej, përulej dhe puthte kryqin.
Në një sallë përbri, kori i kishës, po pregatitej që së shpejti të shoqëronte liturgjinë e shenjtë. Muzika kishtare, kjo gjuhë e Engjëjve, akordet e organos, të lindnin rrënqethje të pashmangshme.
Besimtarët hynin e dilnin, kur ja, midis tyre, prifti i moshuar Papa Kristo, iu afrua dhomës së korit. Diçka e tërhoqi. Si u përkul pak, vuri veshin në vrimën e çelësit. Desh të dëgjonte më mirë. Ne po e shikonim me habi. Si u afruam, ai ktheu kokën. Na u duk i qeshur, por mjaft i zbehtë. Në faqet po i rrëshqisnin lotë. ..”Ah ky kori!, na tha. – Pas 25 vjetësh po dëgjoj prapë Hymnin Kerubik. Më kujtohen meshimet, koret e dikurshme. Ky hymn gjithnjë më ka ngritur shpirtërisht lart në qiell…” dhe lotët filluan të formonin rrëke. “Krishti, vazhdoi ai, është i pavdekshëm. Lavdi Perëndisë. Bekimi i Zotit mbi ju të gjithë”. Pastaj bëri kryqin, u fal për ne të gjithë. Edhe ne filluam të faleshim.
Ndërkohë, një gjyshe solli për dore nipin e mbesën, të cilët vinin për herë të parë para Kryqit. Ato zgjatën doçkat e tyre topolake dhe vunë nën këmbët e Shpëtimtarit, lulet e freskëta, që shprehnin dashurinë, përkushtimin. Pastaj u falën. Në këtë moment, m’u kujtua thënia e Krishtit: “Lerini fëmijët të vijnë tek unë, sepse atyre u përket Mbretëria e Perëndisë”. Papa Kristo, duke buzëqeshur, përkëdheli këta orthodhoksë të ardhshëm. Gjyshja sa s’fluturonte nga gëzimi ndërsa fëmijët mësuan atë që s’do ta harronin kurrë.
Ndërkohë kori vazhdonte:
“I Shenjtë, i Shenjtë i Shenjtë Zoti Sauaoth
Qielli e dheu është plot prej lavdisë Sate…”
S’kishim për ta harruar kurrë këtë ndodhi.
Gaqo Baze