Shën Prokopi lindi në Antioki, një qytet i pasur dhe i bukur, kur në Romë mbretëronte Diokleciani. Ishte nga një familje e shquar dhe prindërit i kishte të dy paganë, por i ati, njeri i urtë dhe dashës i së vërtetës, e njohu Perëndinë e vërtetë dhe u pagëzua i krishterë me emrin Kristofer. E ëma mbeti pagane, megjithë përpjekjet e të shoqit për ta ndriçuar. Me vdekjen e të atit, Shën Prokopi mbeti nën kujdesin e së ëmës, e cila e edukoi sipas parimeve pagane, ndonëse shpirti i tij ruajti një dashuri shumë të madhe për të atin.
Kështu, pra, Shën Prokopi u rrit dhe u edukua larg dritës së Krishtit dhe kur erdhi një herë Diokleciani në qytet, pas ndërhyrjeve të së ëmës, u emërua qeveritar në Aleksandri, me urdhër për të ndjekur pa mëshirë të krishterët e atjeshëm. Mirëpo rrugës i ngjau diçka e ngjashme me jetën e Shën Pavlit. Sapo ishte nisur nga qyteti Apamia në Siri, në të gdhirë, para se të shuheshin yjet në qiell, u ndie një tërmet i madh, e rrethoi një dritë dhe u dëgjua një zë që thoshte: “Prokop, për ku u nise të shkosh dhe kundër kujt vete të luftosh?” Djaloshi u tremb dhe u hutua krejt. Po zëri u përsërit edhe një herë. Atëre, duke mbledhur veten, tregoi qëllimin e vajtjes së tij në Aleksandri dhe shtoi: “Kush je ti që më thirre në emër në kohë të vetëtimës? Mos je perëndia e dritës Apolloni?”
Zëri u përgjigj: Unë jam Perëndia e të krishterëve, Perëndia e atit tënd. Lutjet e tij për ty u dëgjuan. Zemra jote është e denjë për një udhë më të mirë nga ajo që zgjodhe. Beso në mua dhe do të të tregoj me anën e Kryqit Tim si shërbyes të madh e të çmuar të Ungjillit.
Kjo thirrje zuri vend menjëherë në zemrën e tij. Dhe vajti vërtet në Aleksandri, por në vend që të ndiqte të krishterët, u jepte atyre fshehurazi tërë ndihmën e mundshme dhe prej dorës së episkopit të tyre mori pagëzimin. Më pas, i shtyrë nga dëshira për të kthyer në udhën e besës së vërtetë edhe të ëmën, dha dorëheqjen e u kthye në Antioki.
Ardhja e tij e papritur nuk i pëlqeu së ëmës. Ai nuk ia tha menjëherë, por të nesërmen filloi t’i përmendë shpesh emrin e të atit dhe t’i thurrte lëvdata. Dhe kur pa të ëmën të qante e mallëngjyer nga fjalët e tij, i tregoi gjithçka i kishte ngjarë.
Ky zbulim i papritur e tronditi tepër të ëmën. Bir, i tha ajo atëhere, edhe unë e di dhe them që yt atë ka qenë njeri shumë i mirë, por në këtë pikë kishte rënë jashtë, dhe më vjen shumë keq që edhe ti ke bërë në po atë gabim. Por të lutem shumë, mos ia thuaj njeriut këtë, dhe të lutem në dashurinë që kam për ty, të kthehesh në besë të stërgjyshërve të tu. Ndryshe do humbësh jetën dhe të ardhmen tënde për një gjë të kotë, për një gënjeshtër.
Mirëpo Prokopi nuk e dëgjoi. Mbeti besnik dhe i patundur në besën e Krishtit, madje mundi të kthejë edhe shumë familje nga më të shquarat e Antiokisë dhe sidomos gra, që shquheshin për prirjet e tyre mirëbërëse. Që aty, duke lexuar Ungjillin vend e më vend, arriti deri në Qesare të Filipit. Mirëpo aty, me urdhër të qeveritarit Ulqion, u arrestua dhe meqë nuk deshi të mohojë Krishtin, pësoi mjaft mundime.
Së pari, i çanë mishin me kthetra të hekurta, kështu që gjaku nisi të derdhej pa hesap dhe iu hapën plagë të thella në të gjithë trupin. Mirëpo natën, në burg, iu shfaq në gjumë vetë Zoti Krisht, i cili i dha kurajo dhe i preku plagët. Shenjti u zgjua menjëherë dhe pa që ishte krejt shëndoshë. Nisi atëherë të hymnojë më zë të madh Perëndinë, gjë që i detyroi rojet e burgut të vraponin për të parë ç’kishte ngjarë. Kur panë çudinë e vërtetë, i ranë Shën Prokopit ndër këmbë dhe iu lutën që t’i pranonte në besën e Krishtit.
Të nesërmen Ulqioni pyeti ishte në gjendje për të ardhur para tij. Thanë se po, por pa i treguar ç’kishte ngjarë natën. Kur pa se Shën Prokopi ishte krejt i shëndoshë e humbi fare. Por, shpejt e mblodhi veten dhe tha se këtë të mirë atij ia kishin bërë idhujt, duke e këshilluar njëkohësisht që të shkonin bashkë në tempull për t’i falenderuar. Shën Prokopi e pranoi këtë këshillë, por me tjetër qëllim: të tregonte fuqinë e Perëndisë së vërtetë. Si hyri, pra, në tempull, u fal duke ngritur duart përpjetë e menjëherë idhujt që ishin brenda ranë papritur dhe u bënë copë-copë. Ulqioni u nxeh pa masë dhe dha urdhër ta mbyllnin shenjtin përsëri në burg. Mirëpo, nga ata që panë atë çudi, sidomos ushtarë, shumë i besuan Krishtit dhe u pagëzuan po atë natë.
Qeveritari, kur e mori vesh, i kapi të gjithë dhe u përpoq para Shenjtit t’i trembte me tortura të shumta. Përpjekje e kotë! Ata të krishterë të rinj, jo vetëm nuk u frikësuan, por u përgjigjën para Ulqionit se “kërcënimet e tua nuk kanë fuqi për ushtarët e Krishtit. Mundimet e vdekja janë për ne lodër e dëfrime, pasi me anën e tyre do të bëhemi të denjë të dashurisë së Shpëtimtarit tonë dhe premtimeve të tij;” Dhe këtë e treguan me vepra, duke e pranuar të gjithë vdekjen me gëzim.
Si u përhap lajmi i kapjes së Shën Prokopit, erdhën në Qesare disa nga gratë më të shquara të Antiokisë, të cilat pranuan besën e Krishtit. Qenë gjithsej dymbëdhjetë. U morën dhe ato e pasi treguan sheshazi besimin e tyre, i hodhën në burg. Por në vend të qanin e vajtonin, e kaluan tërë natën me psalme dhe hymne, duke dëgjuar dhe predikimin e Shën Prokopit, të cilin e quanin ndriçues dhe mirëberësin e tyre. Të nesërmen sërish nuk pranuan t’u çonin therrore idhujve, madje edhe kur u digjnin brinjët me pishtarë të ndezur.
Në këto ngjarje asistonte edhe e ëma e Shën Prokopit, Theodhosia, që kish ardhur për të parë se si do përfundonte çështja e të birit. Dhe kaq shumë u habit nga qëndrimi heroik i grave, aq përshtypje i bënë fytyrat e tyre të çelura dhe madhështore kur pësonin tortura, sa ndërsa lotët i rridhnin rrëke, zemra e saj vihej në rrugën e pendimit. Atëhere i erdhi ndërmend i shoqi, me virtytet e tij të larta. Pastaj mendja i vajti tek i biri i saj i dashur, aq i përsosur nga vullneti, nga durimi, nga pastërtia dhe vetmohimi. Dhe pastaj, kur sërish pa ato gra pasanike, që mund të jetonin shumë bukur, me lavdira e qejfe të botës, e megjithatë, vdisnin në atë mënyrë, filloi të ndjejë me të vërtetë se tek Krishti, për të cilin i kishte folur aq herë i biri, fshihej një fuqi misterioze që i lartësonte dhe i bënte të rinj ata njerëz që i besonin. Atëhere, pa dashur, bëri atë për të cilën aq shumë i qe lutur i biri – iu fal Krishtit dhe i kërkoi ta fuqizonte edhe atë me dritën dhe jetën e Tij.
Lutja e saj e zjarrtë u dëgjua. Hiri i Perëndisë ngrohu shpirtin dhe besimi i gjallë i pushtoi mendjen dhe zemrën. Vrapoi në burg, tek i biri, dhe duke e përqafuar i tregoi që asgjë më s’i ndante. Nuk mund të përshkruhet gëzimi i Shën Prokopit. Edhe mundimet e vdekja i dukeshin tanimë si lodër. Natën që pasoi ajo u pagëzua dhe të nermen, kur po përsëriteshin torturat mbi gratë e shenjta, u paraqit para Ulqionit e protestoi ndaj shpërdorimit të pushtetit ndaj disa qenieve që kishin faj vetëm se adhuronin Perëndinë. Ai u habit me gjithë atë guxim dhe kur mori vesh e ëma e kujt ish, dha urdhër t’i prisnin kryet bashkë me gratë e tjera, e ato fituan kështu kurorën e ndritëshme të dëshmorit.
Pak kohë më pas Ulqioni vdiq. Pasardhësi i tij, Flaviani e thirri edhe ai ta pyesë Shën Prokopin. Meqë e mbante veten për filozof, deshi ta bindë shenjtin ndërmjet asaj udhe. Nisi, pra të tallej me Krishtin, duke lartësuar filozofët paganë. Por, Shën Prokopi, duke përfituar prej rastit, i provoi publikisht se ishin pikërisht mendjet më të ndritura ndërmjet atyre filozofeve, që me diskutimet e tyre përgatitën deri më një pikë tokën për prodhimin e shenjtë të farës së Krishtërimit. Sidomos, diskutoi mjaft për Platonin, i cili flet për një Perëndi të përjetëshme e të pandryshuar. Flaviani, i tërbuar për turpërimin, urdhëroi një ushtar që ta vriste Shenjtin dhe ai iu turr me shpatë, mirëpo dora iu tha menjëherë dhe u shtri e dha shpirt.
Pas disa ditësh Flaviani e solli sërish Shenjtin në tempull dhe e urdhëroi para zjarrit të ndezur, që të bënte therrore, se ndryshe do t’i digjte duart. Shën Prokopi, për t’i treguar se nxënësit e Krishtit s’tremben nga shtrëngimet e mundimet, mori thëngjij të ndezur, dhe duke vënë përsipër pëllëmbën e dorës, e la të digjej pa shenjë dhimbjeje.
Flaviani urdhëroi atëhere ta çonin në vendin e ekzekutimit. Më parë Shenjti tha “Shkojmë o qeveritar. Perëndia jonë bën çudira, që të mos e lerë veten pa u shfaqur në ato shpirtëra, që nuk mund të ndriçohen vetëm me anën e fjalës së Tij dhe njëkohësisht, që të mos kenë ç’të thonë ata që mbeten deri në fund armiq të fjalës së tij. Lejon që ne të vdesim, duke dëshmuar se në këtë mënyrë shuhet epoka e ndjekësve të Tij dhe përgatitet nga drejtësia hyjnore prishja e tyre e shpejtë.”
Dhe u nis drejt vendit të vdekjes, duke u falur rrugës për ndriçimin dhe forcimin e besnikëve dhe për triumfin Panagjirik të Kishës që po ndiqej. Si arriti në vendin e ekzekutimit uli kryet para xhelatit, pa frikë e turbullim, ashtu siç dinë të vdesin heronjtë e krishterë, që morën përsipër kryqin e Zotit.
Shën Prokopi kujtohet më 8 korrik.
Dhimitër Beduli