EmailFacebookKontakt

Zëri i etërve të shenjtë në botën moderne – Nektar shpirtëror

Zëri i etërve të shenjtë në botën moderne

Nektar shpirtëror

Përulësia çon shpirtërat me siguri te Perëndia

– “Ngaqë jemi të sigurtë se fodullëku ka bërë disa engjëj demonë, besojmë se përulësia mund të bëjë përsëri demonët engjëj, natyrisht nëse do të mund të ndodhte që ata të bëhen të përulur. Kjo është fuqia e përulësisë. Kështu, pra, të gjithë sa prej nesh që fajuan dhe pranojnë fajin e tyre, por nuk mund të bëjnë përpjekje të mëdha, të denja për mëkatet e tyre, le të mos e humbasin shpresën dhe të kenë vështrimin të kthyer nga Perëndia. Sepse, po të ndërpresin të ligat dhe të pendohen sinqerisht, mund të marrin lehtë mëshirën nga Perëndia dhe të shpëtojnë me përulësinë.”

Shën Joani i Shkallës

– “Virtyti i lumur i përulësisë është një ciklon shpirtëror qiellor, i cili ka mundësinë të ngrejë shpirtin nga humnera e mëkateve të tij dhe ta lartësojë në qielloret. Sepse ashtu siç cikloni natyror, me fuqinë e vet mahnitëse, ngre ujin e detit në lartësinë e qiellit, ashtu edhe përulësia ka fuqinë të ngrejë shpirtin dhe ta drejtojë përpara fronit të frikshëm të Perëndisë, të pastruar dhe të zbardhur nga ndotjet e tij.”

Shën Joani i Shkallës

– “Në se do të thuash për veten tënde se ke emër të mirë, u rrëzove menjëherë dhe u bëre i pavlefshëm edhe në rastin kur je i mirë. Nëse karakterizon veten tënde të pavlefshëm atëherë u bëre i vlefshëm edhe nëse nuk je i mirë. Sepse ashtu si di t’i kundërvihet fodullëkut, në të njëjtën mënyrë Perëndia di t’u japë hirin e Tij të përulurve.”

Shën Joan Gojarti

Ava Makarios Egjiptiani

Një murg vajti tek Ava Makarios Egjiptiani dhe i thotë: “Ava, më thuaj diçka. Si të shpëtoj?”

Dhe plaku i thotë: “Shko te varrezat dhe sha të vdekurit”.

Shkoi murgu te varrezat, shau, qëlloi me gurë dhe kur u kthye ia tregoi Avait. Dhe Avai e pyet: “Asgjë nuk të thanë?”

Dhe murgu i përgjigjet; “Asgjë”.

Atëhere Avai i thotë: “Shko prapë nesër dhe thurrju hymne të vdekurve, duke u thënë: “apostuj të shenjtë dhe të drejtë”. Dhe u kthye përsëri murgu tek Avai dhe i thotë: “I hymnova”. Avai e pyet: “Asgjë nuk t’u përgjigjën?” “Asgjë”, – i thotë murgu.

Dhe plaku i thotë: “E pe sesa i poshtërove dhe asgjë nuk t’u përgjigjën; dhe sa i hymnove dhe prapë nuk të folën. Ashtu bëhu edhe ti, nëse do që të shpëtosh. As padrejtësitë e njerëzve dhe as hymnet e tyre mos i llogarit, porsi të vdekurit dhe mund të shpëtosh.”