Me të gjithë ndryshimet radikale që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë 3 vjetëve të fundit, shumë shqiptarë kanë filluar të kërkojnë një farë stabiliteti në jetën e tyre. Një dëshirë për kuptim dhe qëllim të thellë ka udhëhequr shumë të rinj të hyjnë në dyert e Kishës sonë orthodhokse dhe të kërkojnë përgjigje të sinqerta për pyetjet e tyre sfiduese. Sigurisht, Kisha pranon me gëzim në krahët e saj këdo, sepse vetëm Iisu Krishti ka përgjigjet e pyetjeve të vështira të jetës.
Fillimi i këtyre përgjigjeve, sidoqoftë, gjendet në fillimin e kthimit tonë të plotë te Iisu Krishti. Vetëm përmes këtij kthimi secili prej nesh ka mundësinë të përjetojë një jetë të re dashurie, lirie, gëzimi, paqeje, kuptimi dhe shpëtimi përfundimtar. Për të përshkuar këtë proces të kthimit dhe shpëtimit, le të shohim një pasazh në Bibël, ku Iisu, thërret apostull Petron ta pasojë, që të bëhet dishepull i tij (Lluk. 5:1-11). Sipas kësaj ngjarjeje, ne do të shohim shtatë hapa konkrete, që secili prej nesh duhet të hedhë që të zbulojë jetën e re të mahnitshme dhe të gëzuar më Iisu Krishtin.
Ngjarja e Biblës që do të përdorim zhvillohet si më poshtë:
“Dhe ndërsa njerëzia po e shtynin për të dëgjuar fjalën e Perëndisë, e ai qëndronte pranë liqenit Gjenisaret, pa dy barka që qëndronin në breg, peshkatarët e të cilëve kishin zbritur e po lanin rrjetat. Dhe si hipi në njërën prej atyre barkave, që ishte e Simonit, iu lut atij që të largohej pak nga toka. Pastaj, duke qëndruar në barkë, mësonte njerëzit.
Dhe kur pushoi së foluri, i tha Simonit: Dil në ujra të thellë, dhe hidhni rrjetat për të gjuajtur. Dhe Simoni, duke iu përgjigjur, i tha; Mësues, jemi munduar gjithë natën, e nuk zumë asgjë; por, me fjalën tënde, do t’i hedh rrjetat. Dhe, si bënë kështu, kapën një sasi aq të madhe peshqish, sa rrjetat po çaheshin. Dhe u bënë shenjë shokëve të tyre të barkës tjetër që të vinin për t’i ndihmuar. Dhe ata erdhën dhe i mbushën të dyja barkat aq sa ato gati po fundoseshin. Dhe Simon Petri, kur pa këtë, i ra Iisuit ne gjunjë, duke thënë: Zot, largohu nga unë, se jam njeri mëkatar. Sepse i zuri frika atë dhe të gjithë ata që ishin me te, për shkak të peshqve që zune; e kështu edhe Jakovin e Joanin, djem të Zevedheut, që ishin ortakë të Simonit. Dhe Iisui i tha Simonit: Mos u tremb, që tani e tutje do të jesh peshkatar njerëzish. Dhe ata, pasi nxorën barkat ne tokë, lanë gjithçka, dhe i shkuan nga pas.” (Lluk. 5: 1-11)
Sipas kësaj ngjarjeje shtatë hapat për tek Krishti fillojnë nga hapi i parë, kërkimi ynë për të vërtetën. Kur Krishti vete tek peshkatarët dhe sheh se nuk kishin zënë asgjë, u thotë atyre, “dil në ujra të thellë, dhe hidhni rrjetat për të gjuajtur”. Në hapin e parë drejt një jete plotësisht kristiane duhet të kemi sensin se kjo botë ka pak të na ofrojë. Rrjetat tona duken bosh. Diçka mungon. Fakti është se Perëndia na ka bërë në mënyrë të tillë, që asgjë në këtë botë nuk do të na kënaqë kurrë. Shën Agustini tha: “Shpirti ynë nuk prehet kurrë, derisa të prehet tek Perëndia”. Perëndia ka vendosur brenda nesh këtë nevojë thelbësore, që të kemi Atë. Kështu, si besimtarë potencialë, të gjithë ne duhet të ndjejmë një dëshirë të caktuar për gjëra që mund të ishin, por që nuk janë. Në këtë pikë duhet të kemi vullnetin të hedhim rrjetat tona dhe të kërkojmë jetën e begatë që na dhuron Krishti.
Hapi i parë na çon tek hapi i dytë – nevoja për të lënë mënjanë arsyen tonë logjike. Petro i përgjigjet Iisuit “mësues, jemi munduar gjithë natën e nuk zumë asgjë”. Një pjesë prej nesh dëshiron gjithmonë të shtrojë pyetjen: A mund të ketë diçka më të mirë se ajo që kemi? A ja vlen të sakrifikosh për një jetë për Krishtin? Shumë prej nesh nuk pëlqejnë të dalin jashtë arsyes. Egoja na thotë të bëjmë veten tonë qendër të universit. Shpesh e dala jashtë arsyes ngjan e pakuptimtë, por ne s’do të gjejmë përgjigje thjesht nëpërmjet rrugës së intelektit tonë. Rruga e krishtërimit orthodhoks është rruga e zemrës. Për të gjetur Perëndinë duhet të dalim jashtë arsyes, jashtë egos e të hyjmë në pjesët më të thella të zemrës sonë.
Pas pezullimit të arsyes, jemi gati për hapin e tretë – hedhim hapin me besim. Kjo do të thotë një vendim i ndërgjegjshëm nga ana jonë, që të besojmë te Perëndia. Këtu guxojmë përpara, pavarësisht nga gjykimi ynë më i mirë. Ky është një vullnet që të pranosh mundësinë se në jetë ka më shumë se ç’na tregojnë shqisat edhe mendja. Eshtë vërtetë një akt i përuljes së vetes sonë përpara së panjohurës. Shpesh kjo e panjohur gjendet thellë brenda zemrave tona. Shën Isak Siriani përshkruan përjetimin në këtë mënyrë: “Merr mundimet të hysh në dhomën më të brendshme të vetes sate. Dhe do të shohësh dhomën e Parajsës, sepse ato janë një dhe e pandarë, dhe duke hyrë te njëra sheh tjetrën”. Petro tregoi vullnetin e tij për të hedhur këtë hap, kur i tha Krishtit, “Me fjalën tënde, do t’i hedh rrjetat”.
Hapi i katërt në udhëtimin e kthimit është momenti kur ne shohim kush është Perëndia, që do të thotë, kur ne gjejmë besim. Për Petron, ky çast erdhi kur ai, së bashku me të tjerët, nxorën aq shumë peshq, sa që rrjetat e tyre ishin duke u shqyer. Për herë të parë ai po takonte divinitetin e Krishtit. Për ne ky përjetim mund të vijë në rrugë të ndryshme. Ose në një shkëlqim të papritur zbulimi, ose në një proces të ngadaltë kuptimi dhe pranimi. Por, nga cilado rrugë, ne shohim Perëndinë me një dritë të re.
Hapi i pestë, që pason nga afër hapin e katërt, na vë përpara një krize në jetën tonë – është momenti kur kuptojmë mëkatësinë tonë. Gjithë përpjekja e krishterë duhet të arrijë tek kjo pikë. Perëndia mund të na tregojë shenja dhe mrekulli dhe të mbushë varkat tona me peshq, por nëse nuk kuptojmë se kush jemi ne në marrëdhënie me Perëndinë, çdo gjë është e kotë. Për Petron, ky moment kritik erdhi kur ai i tha Krishtit: “Zot, largohu nga unë, se jam njeri mëkatar”.
Megjithëse Zoti na tregon një vizion të mëkatësisë sonë, Ai, plot dashuri, e ndërthur atë me një vizion të mëshirës së Tij. Vetëm mendimi i padenjësisë sonë mund të na çojë në dëshpërim, nëse nuk udhëhiqemi nga premtimi i një jete më të mirë. Më Krishtin ne mund të pastrohemi nga mëkatet tona. Edhe pse Petro ishte tmerruar nga ajo që pa te vetja e tij, Iisui i foli atij në mënyrë risiguruese: “Mos u tremb; që tani e tutje do të jesh peshkatar njerëzish.”
Kjo na sjell te hapi i gjashtë, kur ne dorëzojmë jetët tona te thirrja e Zotit. Iisui na tregoi ne, çfarë jemi, por Ai nuk na lë me aq. Ai na tregon gjithashtu çfarë mund të bëhemi. Dhe ne kemi nevojë t’i përgjigjemi këtij vizioni. Ky hap është një thirrje për bindje të verbër. Thërritemi të braktisim egoizmin tonë me gjithë dëshirat e veta dhe të pasojmë rrugën e Krishtit.
Hapi i shtatë dhe përfundimtar në procesin e kthimit mund të jetë më i vështirë. Ne duhet të japim angazhimin e përjetshëm t’i shërbejmë Krishtit. Ndërkohë, që më parë ne dolëm nga egoizmi, tani duhet të dalim nga çdo angazhim dhe të bëjmë Krishtin angazhim ekskluziv të jetës sonë. Krishti kërkon që besimi ynë të jetë plotësisht me Të. Iisui u tha nxënësve të tij: “Ai që do babain ose nënën më shumë se mua nuk është i denjë për mua”. Dhe kështu u bë që Petro dhe nxënësit e tij dhanë angazhim, sepse kur nxorën varkat e tyre në tokë “lanë gjithçka dhe i shkuan nga pas”.
Nëse ne ndjekim këto shtatë hapa që na çojnë tek Krishti, jetët tona, porsi jetët e apostujve, nuk do të jenë kurrë të njëjtat. Çdo kohë që të kthehemi tek Krishti, jetët tona ndryshojnë. Jetët e Petros dhe apostujve të tjerë ndryshuan nga ajo e gjuetarëve të peshkut – në peshkatarë njerëzish. Nëpërmjet fuqisë së besimit të tyre, këta burra të thjeshtë, të pashkollë, kthyen botën përmbys. Transformimi dhe përtëritja e jetës mund të jenë të njëjta për secilin prej nesh.
Le të hedhim të shtatë hapat që të çojnë tek Krishti – ta kërkojmë atë, të pezullojmë arsyen, të hedhim hapin me besim, të shohim kush është me të vërtetë Zoti, të ndjejmë padenjësinë tonë, të dorëzojmë jetët tona në thirrjen e Tij dhe të shërbejmë Atë me gjithë qënien tonë. Duke ndjekur këtë udhëtim, do të dalim nga konfuzioni dhe paqëndrueshmëria e kësaj bote të ndryshueshme, në një jetë të re më Iisu Krishtin. Atëherë, do të dimë çfarë donte të thoshte Krishti kur tha: “Unë kam ardhur që njerëzit të mund të kenë jetë dhe të mund ta kenë atë të begatë.”
Luka Veroni