EmailFacebookKontakt

“Zëri i atij që thërret në shkretëtirë”

Siç shkruan në fillim të Ungjillit të tij Shën Marku, misionin dhe lindjen e Shën Joanit e paralajmëruan disa nga profetët. Kështu, Malakia thotë: “Ja tek po dërgoj engjëllin tim para fytyrës sate, i cili do të përgatisë udhën tënde para teje.” Profeti Isaia thotë: “Zëri i atij që thërret në shkretëtirë, përgatitni udhën e Zotit, bëni të drejta shtigjet e tij”. Ungjillori Lluka në kapitullin e parë të Ungjillit të vet tregon me hollësi ngjarjet e zënies dhe të lindjes së tij.

I ati i Joanit quhej Zaharia dhe ishte prift. Kur pati radhën e shërbimit në tempullin e Jerusalemit, pa një ditë tek po temianiste brenda në altar një ëngjëll. Ky ëngjëll i soli priftit të tronditur lajmin se lutjet e tij për të patur një fëmijë me gruan e tij shterpë, që quhej Elisabetë, u dëgjuan prej Perëndisë, se ajo fëmijë do të mbante emrin Joan dhe se do të bëhej shkak gëzimi e ngazëllimi jo vetëm për babanë e vet, por edhe për shumë të tjerë, sepse do të ishte i madh para Zotit dhe plot shpirt të shenjtë që nga barku i së ëmës dhe se do të kthente shumë nga bijtë e Izraelit tek Zoti, Perëndi e tyre.

Zaharia u gëzua për lajmin, por e priti me dyshim. Tani sikur ishte vonë. Natyrisht, ajo dëshirë e tij e vjetër nuk i qe shlyer krejt nga zemra, por plotësimi i saj i dukej si ëndër. Sepse Elisabeta, gruaja e tij, që thyer prej thatësisë së moshës së madhe. Si, pra, do kish mundësi të lindej prej saj lastar?

Ky dyshim nuk e zprapsi vullnetin e Perëndisë, por engjëlli Gavriil i bëri të njohur Zaharisë që ai, i ati i djalit, do të mbetej memec gjersa të plotësoheshin ato që tha engjëlli.

Ndërkaq, populli, që ishte mbledhur në tempull e po falej, nisi të shqetësohej për vonesën e daljes së priftit nga altari. Më në fund, prifti doli, por vetëm që të tregonte me shenja se i ishte marrë zëri.

Pas kthimit të Zaharisë në malësi, në vendin e tij, Elisabeta mbeti shtatzanë. Por kjo ndodhi që solli ndryshime në strukturën e saj, vërtet e gëzoi, por e bëri nga ana tjetër që t’i vinte turp para botës. Prandaj, në të pesë muajt e parë, mundohej ta fshihte.

Pas nëntë muajsh, plaka Elisabeta lindi djalë. Sa po u përhap lajmi në njerëzit e fisit dhe në banorët e tjerë, u prit si një shenjë e bekimit të Perëndisë dhe të gjithë vinin e i uronin. Sytë e Zaharisë ndritnin prej gëzimit dhe buzët i qeshnin para lehonës e djalit, si edhe nga shpresa se po i afrohej koha që t’i zgjidhej goja.

Dhe vërtet. Pas tetë ditësh, me rastin e festës së rrethprerjes së djalit, njerëzit e fisit shprehnin mendimin që t’i vihej djalit emri i të atit, Zaharia, siç ishte zakoni ndër hebrejtë. Elisabeta ishte kundër këtij mendimi. Ajo dëshironte që djalit t’i vihej emri Joan. Ata thoshin se asnjë nga fisi i tyre s’e ka patur atë emër. Atëherë me shenja pyetën dhe babanë. Plaku kërkoi një pllakë shkrimi dhe shënoi në të: “Emri i tij do të jetë Joan”. Dhe menjëherë, gjatë kohës kur të gjithë po habiteshin për faktin që të dy pleqtë kishin të njëjtin mendim për emrin e djalit, duke e konsideruar këtë si vullnet të Zotit, iu zgjidh goja Zaharisë dhe filloi të lavdërojë Perëndinë. Dhe i mbushur me shpirt të shenjtë tha: “I bekuar është Zoti Perëndi e Izraelit, se vizitoi dhe përgatiti shpëtim për popullin e tij dhe ngriti ballë shpëtimi për ne në shtëpi të Davidit, djalit të tij, siç foli prej shekujsh me gojën e profetëve të tij të shenjtë. Shpëtimin prej armiqve tanë dhe nga duart e të gjithë atyre që na urrejnë dhe tregoi mëshirë për etërit tanë dhe kujtoi dhiatën e tij të shenjtë, betimin që i bëri Avraamit atit tonë, për të na dorëzuar ne të çliruar me duart tona pa frikë, që ta adhurojmë me shenjtëri e drejtësi tërë ditët e jetës sonë. Dhe ti o djalë do të quhesh profet i më të lartit; sepse do të ecësh përpara fytyrës së Zotit, për të përgatitur udhën e tij, për t’ia bërë të njohur shpëtimin popullit të tij ndjesën e mëkateve nga mëshira e thellë e Perëndisë tonë, se na vizitoi Lindja që lartazi dhe u shfaq ndër ata që rrinin në errësirë dhe në hije të vdekjes për të drejtuar këmbët tona në rrugën e paqes.

Shpallja e të gjitha këtyre gjërave i habiti në kulm të gjithë banorët e asaj malësie, dhe thoshin njeri me tjetrin: çdo të jetë vallë kjo foshnjë?

Dhe dora e Zotit ishte mbi të dhe e mbronte. Dhe kur erdhi ora për të plotësuar si lëçitës në anët e Jordanit dhe në shkretëtirën e Judesë misionin që kishin parathënë për ta profetët: “ja unë tek po dërgoj engjëllin tim përpara fytyrës sate, i cili do të përgatisi udhën tënde përpara teje” (Malak. 3,1), edhe Iisui dha për atë dëshminë e tij panigjerike. E shpalli më të lartë se të gjithë profetët dhe tha se: “në mes të atyre që kanë lindur prej grash, nuk është ngritur ndonjë më i madh se Joani Pagëzori”. (Matthe 11,11). Sepse nuk paratha vetëm ardhjen e Shpëtimtarit, por edhe e paraqiti, edhe e pagëzoi, edhe i përgatiti nxënësit, dhe hapi fillimin e Ungjillit të tij dhe së fundi vulosi misionin e tij si pararendës me sakrifikimin e jetës së tij dhe me gjakun e derdhur si dëshmor. Edhe e shpalli Iisuin si qengj të Perëndisë që ngre mëkatin e botës, dhe si Bir të Perëndisë, që zbriti nga qielli, i dërguar nga ati me pushtet të plotë që të jetë me ne për jetë të përjetshme dhe për të na dhënë gjithë hirin dhe gjithë të vërtetën. (Joan 1 dhe 3).

Lindja e profetit, e pararendësit dhe pagëzorit Shën Joanit, kremtohet më 24 të muajit qershor.