Shën Andoni i madh(shek.IV)dikur ka thënë: Do të vijë koha që njerëzit do të çmenden, e atëhere, po të shohin ndonjë që ka logjikë, do të bien mbi të, duke thirrur: “Ky është i çmendur”, sepse nuk do t’u ngjajë!
E merrni me mend se në ç’kondita të vështira do të gjenden atëhere njerëzit e mirë e të logjikshëm?
Le të shohim se si e përshkruan këtë një përrallë, që na e tregon Foti Kondoglu:
Një herë na ishte një sulltan i ditur e i mirë. E donte si baba popullin që qeveriste. Kishte edhe një vezir, njeri të ditur. Nuk bënte asgjë pa e pyetur. Një ditë veziri i thotë sulltanit: “Madhëri, pas dy-tre muajsh Allahu do të hedhë shi me ujë të çmendur dhe duhet ta dish që të marrësh masat që tani”
“Dhe ç’është ai ujë i çmendur, vezir efendi?”, e pyeti sulltani. “Ky ujë, iu përgjigj veziri, quhet ujë i çmendur, sepse kush do pijë nga ai, do të çmendet, dhe do të bëjë gjëra të mbrapshta, në kundërshtim me ato që i tregon urtësia që i dha Perëndia e kështu do të bjerë në botë një fatkeqësi dhe do të bëhet një trazirë e madhe dhe ne qeveritarët nuk do të mundemi ta qeverisim”.
“Pra, çdo të bëjmë, vezir-efendi?” “Eshtë nevojë, o madhëri, të mbledhim që tani nga ky ujë i mirë. Ta ruajmë, që të pijmë ne qeveritarët, që të mos çmendemi edhe ne, e kështu të qeverisim mirë e me drejtësi, se do japim llogari për jetën e tyre”. Sulltani, si i urtë që ishte, e pranoi dhe urdhëroi të mbledhin ujë të mirë në çisternat e pallatit.
Në kohën e paracaktuar, ra shi me të vërtetë i çmendur dhe duke pirë u çmendën njerëz e kafshë e të gjitha gjërat i shihnin të mbrapshta. Të mirën e quanin të keqe, të drejtën të padrejtë, të çmendurën të saktë. Sulltani dhe veziri pinin nga uji i mirë e kështu i kishin mendimet e veprimet të sakta dhe e qeverisnin botën e çmendur me drejtësi e me dituri.
Por, bota tani, duke e ndjerë të drejtën për të padrejtë, i shante se u bënë të padrejtë e kriminelë. Një ditë, dy ditë, tre ditë, e koha po kalonte dhe bota gjithnjë po bëhej më e egër dhe e shante sulltanin.
Atëhere, duke parë sulltani se do ta vrisnin, thirri vezirin e i thotë: “Vezir-efendi, po shoh se s’mundemi të merremi vesh me këta të çmendur e më në fund do të na vrasin. Pra, ose do presim një të tillë fund, duke qeverisur me drejtësi, ose të pimë dhe ne nga uji i çmendur, që të bëhemi të çmendur si ata. Vetëm kështu do mundemi të merremi vesh.”
Dhe ashtu u bë. Sulltani e veziri pinë nga uji i çmendur dhe bënin krime e gjëra të palogjikshme. Populli i çmendur filloi t’i donte. I lavdëronte, u uronte jetë të gjatë e i quante baballarë e ruajtës të drejtësisë e së vërtetës.
Ja, pra, një zgjidhje për të dalë nga pozita e vështirë: Pi nga ujët e çmendur, e shkon pas “ujërave” të botës, je dakord me çdo gjë që të thotë. Atëherë njeriu i sheh të gjitha të mbrapshta, p.sh. i nënshtrohet pasojave e thotë: “U çliruam”!!! Hyjnizon imoralitetin dhe thotë: “I hoqëm tabutë”!!! Vret fëmijën e tij me paramendim, duke bërë dështim, e thotë se “përpiqet për të drejtat e njeriut!” I çon fëmijët në rrugën e shthurrur me parullën: “Mos e shtyj për nesër argëtimin që mund të bësh sot”, dhe thotë se kështu u “tregon dhembshuri”!
Jetojmë në një epokë që bie shi i çmendur. Cdo bëjmë? Do shkojmë dhe ne si të gjithë? Si sulltani e veziri, që të na thotë bota e çmendur “të mirë”. Apo do mbetemi në atë që na tregon dëshira e Perëndisë? Dhe për sa kohë? Për pak? Sa të rezistojmë? Apo përgjithënjë?
Ai që duron deri në fund, ai do të shpëtojë.
Përgatiti: Petro Xhuveli