Në fshatin Fikas, buzë rrugës, si në shumë fshatra e qytete të vendit, është vendosur një kryq me bazament dhe një ikonë e Zotit tonë Iisu Krisht, 200 m larg kishës së Shën Dhimitrit.
Më datën 31 maj, rreth orës 10.30-11.00, ndaloi para këtij kryqi një makinë “Benz”, ngjyrë blu, targa e të cilit njihet, dhe zbresin tre qytetarë të huaj arabë, të cilët, me gurë e pllaka që gjetën rrotull, filluan të thyenin simbolin e shenjtë, dhe tentuan të përmbysin gjithë bazamentin.
Ndërhynë menjëherë të revoltuar, disa fshatarë e fëmijë që ndodheshin aty, të cilët personat në fjalë u përpoqën t’i merrnin me të mirë, duke u ofruar lekë, por pa harruar t’u kërkonin “llogari” se “pse ishin kristianë”?
Ngjarje të tilla kanë ndodhur dhe më parë në të njëjtën zonë, pa u mësuar autorët, si në Kishën e Shën Ilias, Shën Joan Vladimirit etj., por kryerja e aktit vandal nga qytetarë të huaj, e bën më revoltues, por edhe ngre mjaft pikëpyetje. Sepse, ndërsa dihet harmonia e mirëkuptimi tradicional midis komuniteteve fetare në Shqipëri, nga jashtë po vijnë predikues të ndryshëm, të cilët në vend të mesazhit fetar, sjellin intolerancat e njohura të vendeve të tyre.
Duhet të jenë vetë ata që i presin e u japin mundësi veprimi, që t’i frenojnë, para se të mundin të fusin këtë intolerancë të tyre qoftë edhe në shpirtin e një shqiptari të vetëm.