Në 4 qershor u kremtua panairi i madh në përkujtimin e Shën Joan Vladimirit. Rreth Kishës së manastirit (që fatkeqësisht sot është gjysëm e rrënuar), ku u mblodhën mijëra besimtarë orthodhoksë, si edhe ishin të pranishëm një numër i madh nga besimet e tjera; nga Elbasani dhe nga zonat përreth. Një traditë e lashtë nderimi për shenjtin dhe një shenjë mirëkuptimi. Në Meshën përkujtimore, përveç klerit elbasanas, ishin të pranishëm edhe At Gaqo Petri, At Theologu, Dhiakon Joan Pelushi dhe Anagnost Nikolla Kavaja, nga Tirana.
Panairi në kujtim të Shën Joan Vladimirit ku qenë gjithmonë një nga festat fetare më të mëdha në Elbasan dhe në vendet përreth. Besimtarët orthodhoksë shqiptarë kanë patur një nderim të veçantë për këtë shenjt, i cili gjithashtu e ka nderuar vendin tonë dhe sidomos Elbasanin, duke e zgjedhur si vendin e banimit të tij. Ishte princi Karl Topia i cili e rindërtoi manastirin mbas shkatërrimit nga një tërmet. Patrioti dhe mësuesi i shquar Dhaskal Todhri ka shkruar “Vajtimet mbi varrin e Shën Joan Vladimirit”, një këngë fetare plot ndjenjë, ku i kërkon ndihmë shenjtit për ta ndihmuar e mbrojtur kombin shqiptar nga shtypja turke.
Ishin përsëri besimtarët elbasanas, të cilët nën drejtimin e Mitropolitit elbasanas Visarion Theoharit mblodhën fonde për rindërtimin e manastirit në fillim të këtij shekulli. Shpresojmë që përsëri besimtarët orthodhoksë, si edhe të gjithë të tjerët, do përpiqen përsëri ta rindërtojnë këtë manastir dhe këtë kishë që mban lipsanet e çmuara të këtij shenjti, kaq të dashur dhe të nderuar nga gjithë besimtarët orthodhoksë dhe nga gjithë kombi ynë.