(vijon nga numri i kaluar)
Hëna e plotë e përdorur për llogaritjen e Pashkës është dita e 14-të e një muaji hënor llogaritur sipas një llogaritjeje të vjetër kishtare dhe jo hëna e plotë astronomike aktuale. Numri i ditëve, siç e kemi thënë edhe më sipër, ndërmjet çdo Hëne të Plotë (muaji hënor) nuk është i njëjtë me atë të kalendarit diellor (zakonisht 29 1/2 hënor) prandaj kalendarët e vjetër vendosin një periudhë të quajtur EPAKT për të harmonizuar kalendarin hënor me atë diellor. Këto EPAKTE të llogaritura nga kisha orthodhokse ndryshojnë nga ato të llogaritura nga kishat e perëndimit të cilat nuk ndjekin vendimin e Sinodit të Niqeas që Pashka nuk duhet të paraprijë ose të bjerë në pashkën judaike. Për këtë arsye është një ndryshim i përvitshëm ndërmjet orthodhoksëve dhe katolikëve përsa i përket datës së pashkës.
Sinodi i Niqeas nuk u morr me detaje rreth caktimit të pashkës. Ne kemi edhe dy kanone të tjerë që e qartësojnë më shumë; i pari nga Sinodi i Antiokisë (341) dhe i dyti kanoni i shtatë i Kanoneve Apostolike. Gjithashtu edhe dokumenta të tjerë autoritative të periudhës post-Niqeane e mbushin këtë zbrazëtirë me dëshmi të vlefshme që pasqyrojnë përcaktimin dhënë në Niqea. Vendimi në Niqea kishte dy tema: E para të shkëpuste bashkësinë e krishterë nga varësia në kalendarin judaik, dhe e dyta të përcaktonte rregulla për llogaritjen e pashkës. Këtë detyrë të llogaritjes ja la patrikut të Aleksandrisë; i cili kishte detyrën që çdo vit të shpallte datën e pashkës. Rregullat mund të përmblidhen në tre fraza kyç; ekuinoksi pranveror, hëna e plotë dhe e Diela. Prandaj Pashka bie gjithmonë të Dielën mbas hënës së plotë të ekuinoksit pranveror. Sipas këtij vendimi Pashka duhet të kremtohet në të dielën e parë mbas hënës së plotë që bie ndërmjet 21 marsit dhe 19 prillit, qysh se aleksandrinët e caktuan ditën e ekuinoksit në 21 mars. Sipas këtij kalendari dita e mundshme më e hershme për kremtimin e Pashkës është 22 marsi, nëse hëna e plotë ndodh në 21 mars; dhe data e fundit 25 prill, nëse hëna e plotë ndodh në 18 prill. Ndonëse Sinodi i Niqeas dhe një vendim të qartë rreth llogaritjes së Pashkës, prapë se prapë pati ndryshime në kremtimin e saj.
Në vitin 387 p.sh., kishat e Galisë e kremtuan pashkën në 21 mars, ato të Italisë në 18 prill dhe ato të lindjes në 25 prill. Ndonëse Sinodi ishte i qartë, dy elemente ishin ato që shkaktonin këto ndryshime; llogaritja e ekuinoksit pranveror dhe ciklet e shkurtra ose të gjata që përdoreshin nga kishat lokale. Në vitin 437 patriku i Aleksandrisë Qirili i Madh hartoi një tabelë paskale bazuar në ciklin Anatolik për një periudhë 95-vjeçare, duke iu dhënë kështu kishave lokale një datë të caktuar. Një shekull më vonë murgu skithian Dionisi, i cili jetonte në Romë, në vitin 525 u caktua të hartonte një tabelë të re paskale. Duke përkthyer në latinisht tabelën e Qirilit të Aleksandrisë, ai futi kështu në Romë traditën e Lindjes. Këtij Dionisi i përket merita e futjes së Erës së krishterë, d.m.th. llogaritjen e viteve nga Lindja e Krishtit. U duk sikur për një kohë të gjatë u zgjidh problemi i caktimit të ditës së pashkës.
Por në vitin 1582 një kapitull i ri i mosmarrëveshjes paskale u hap kur papa Gregori i XIII futi përdorimin e kalendarit të ri, që mban emrin e tij. Data e ekuinoksit e caktuar në 21 mars të kalendarit Julian (kalendari i hartuar në vitin 46 para Krishtit nga perandori Jul Qezari), në kalendarin gregorian bien në 11 mars duke shkaktuar kështu një ndryshim në ckatimin e ditës së pashkës. Nga fundi i shek. XVIII kalendari i ri ishte adoptuar nga të gjitha kishat e Perëndimit. Në vitin 1924 nën udhëheqjen e Patriarkanës Ekumenike kalendari i ri u adoptua nga shumica e kishave orthodhokse. Sot vetëm kishat e Jerusalemit, Rusisë, Serbisë, dhe manastiret e Malit të Shenjtë ndjekin kalendarin Julian.
Kalendari Julian ikën një ditë para drejt verës çdo 128 vjet. Nga ana astronomike kalendari i ri është më i saktë. Dhe nevoja për një reformë në kalendar fillimisht u propozua në Lindje. Filozofi dhe astronomi Niqifor Gregoras në një memorandum dërguar perandorit Andronikut të II Paleologut (1283-1328), sugjeron ndryshimet për ta harmonizuar kalendarin me ekuinoksin e vërtetë pranveror.
Nëse festa e Pashkës duhet të kremtohet çdo vit të dielën e parë mbas hënës së plotë që pason ekuinoksin pranveror (kjo do të thotë që data e Pashkës mund të lëvizë në një periudhë 35 ditëshe 22 mars-25 prill), dikush mund të pyesë përse kjo formulë nuk përkon me praktikën e sotme orthodhokse? Si Përgjigje mund të jepet që në kishën orthodhokse funksionojnë dy kalendare. Kishat që kanë adoptuar kalendarin e ri bënë një vendim të vetëdishëm. Për të ruajtur dhe mbajtur unitetin e kishës ato e llogarisin pashkën sipas kalendarit të vjetër, i cili ka një ndryshim prej 13 ditësh nga kalendari i ri. Kështu që ndryshimi 35 ditësh që i korrespondon kalendarit Julian në datat 22 mars-25 prill, në kalendarin e ri kjo periudhë korrespopndon me datat 4 prill-8 maj. Meqënëse ekuinoksi pranveror nuk është caktuar sipas kalendarit të ri me të cilin ne jemi familjar, por sipas kalendarit të vjetër, 21 marsi i kalendarit Julian korrespondon me 2 prillin e kalendarit gregorian. Dita e Pashkës është caktuar që të gjitha kishat orthodhokse ta kremtojnë në të njëjtën të dielë, ndonëse teknikisht jo në të njëjtën datë. Kështu që në vitin 1990 Pashka u kremtua në 15 prill që i korrespondon 2 prillit me kalendarin e vjetër.
Sot ka përpjekje të ndryshme në botë për të patur një datë të përbashkët universale të Pashkës. Shumë propozime janë bërë. Propozimi i fundit është ai i bërë në vitin 1975 në Asamblenë e Pesë të Këshillit Botëror të Kishave, të mbajtur në Nairobi. Propozimi ishte për të patur një datë fikse të Pashkës, të dielën e dytë të prillit. Ky propozim nuk u pranua nga kishat orthodhokse, sepse për to drejtimi mbetet formulimi i Sinodit të Niqeas. Fryma e Sinodit është e qartë: Kisha është e detyruar ta llogarisë Pashkën të dielën pas hënës së plotë që pason ekuinoksin pranveror dhe së dyti Pashka nuk duhet të paraprijë apo të bjerë në pashkën judaike.
VITI | Fillimi i kreshmës | Pashka | Pashka katolike
1994 | 14 mars | 1 maj | 3 prill
1995 | 6 mars | 23 prill | 16 prill
1996* | 26 shkurt | 14 prill | 7 prill
1997 | 10 mars | 27 prill | 30 mars
1998 | 2 mars | 19 prill | 12 prill
1999 | 22 shkurt | 11 prill | 4 prill
2000* | 13 mars | 30 prill | 23 prill
* Tregon një vit të brishtë
Dhiakon Joan Pelushi