EmailFacebookKontakt

Psallmi III

Psallm i Davidit kur iku para fytyrës së të birit, Avesalomit

2 O Zot, sa u shtuan ata që më shtrëngojnë!
Shumë janë ata që ngrihen kundër meje,
3 shumë i thonë shpirtit tim:
Nuk ka shpëtim për të tek Perëndia.

4 Por ti, o Zot, për mua je mburojë,
lavdia ime, dhe ai që kokën lart ma ngre.

5 Me zërin tim i thirra Zotit,
dhe më dëgjoi nga mali i tij i shenjtë.

6 Unë u shtriva dhe fjeta,
pastaj u zgjova, se Zoti do të më përkrahë.
7 Nuk do të kem frikë nga populli i panumërt,
që më sulmojnë së bashku nga çdo anë.

8 Ngrihu, o Zot, shpëtomë, o Perëndia im;
se ti i godite gjithë ata që janë më kot armiqtë e mi,
mëkatarëve dhëmbët ua theve.
9 Nga Zoti është shpëtimi;
mbi popullin tënd qoftë bekimi yt!