“U ngrit, nuk është këtu”
Arti i njerëzimit përpiqet me tërë mjetet që ka në dorë të na japë një ide të bukurisë së atij agimi pranveror, kur gratë miraprurëse dëgjuan prej engjëjve: “u ngrit, nuk është këtu”.
Piktorët mundohen që të na e bëjnë sa më të gjallë varietetin e ngjyrave të luleve, muzikantët korin këndonjës të zogjve, harmoninë e zërit ëngjëllor, si edhe të zërit të ëmbël të Iisuit kur, pas Ngjalljes, u tha fjalën “Gëzohuni”. Madje dhe arti kinematografik, me mjetet teknike të tij, është përpjekur të na japë një ikonë të asaj natyre pranverore të ringjalljes, në kuadrin e së cilës u duk Krishti i ngjallur.
Por, këtë ikonë na e dha sidomos vetë natyra e kësaj kohe, të një maji. Brenda në këtë bukuri të dritës, të ngjyrave, të erërave të këndshme, të zërave të ëmbël, bukuri të cilën e shohin më mirë ata që dinë të thellojnë në tregimet ungjillore, ku tingëlluan dhe tingëllojnë vit për vit fjalët: “u ngrit, nuk është këtu”.
Megjithatë, ka gjithnjë njerëz që kërkojnë të gjallin ndër të vdekurit, që e kërkojnë Krishtin brenda në varret. Këtë mundim të kotë e bëjnë sidomos ata që janë indiferentë kundrejt Kishës, të cilët kujtojnë se munden të jetojnë larg Krishtit. E bëjnë mohuesit e fesë tonë. E bëjnë ata intelektualë që ende ndodhen nën ndikimin e ideve ateiste-komuniste, të së kaluarës, që hyjnizojnë lëndën. Të gjithë këta, të cilët nuk e njohin dhe nuk e kanë kuptuar frymën e krishtërimit, jo vetëm që e kërkojnë Krishtin brenda në varret, po bëjnë dhe një diçka tjetër, më të keqe: e kryqëzojnë atë pa pushim, i çelin gjithmonë dhe plagë të tjera.
Mirëpo, Iisui “nuk është këtu”, nuk është atje ku e vunë ata. Ndodhet në mes të të gjallëve, është burim i vërtetë i jetës së vërtetë. Është aq i gjallë, sa që nuk mund të kuptohet jetë pa atë. Mjafton të dimë ta gjejmë. Dhe do ta gjejmë. Do ta gjejmë të mbretërojë në qiejtë dhe në zemrat, të cilat bëhen të gjera e të ndritshme si qiejtë, kur janë të mbushura e hirin e tij. Do ta gjejmë vetëm me punët e dashurisë, e cila shpie në ngjalljen e individëve dhe në ngjalljen e popujve. Ata që rrojnë pa Dashurinë, janë të vdekur edhe kur rrojnë. Dhe ata që ikin nga kjo botë me zemrën plot dashuri, duke lënë pas ndonjë vepër të dobishme për njerëzinë ose edhe për rrethin e tyre të ngushtë familjar, mbeten të gjallë edhe pasi vdesin. Ata që vendosin të rrojnë jetën e Dashurisë bashkë me Krishtin e ngjallur, e mundin dhimbjen, e mundin vdekjen, e mundin varrin dhe njohin jetën e përjetshme.
B.