EmailFacebookKontakt

Orthodhoksia – në themelet e Europës

Më 19 prill, Patriku Ekumenik Vartholomeu vizitoi selinë e Parlamentit Evropian në Strasburg, i ftuar personal i zotit Egon Klepsh, kryetar i këtij Parlamenti, i cili e cilësoi Patrikun me fjalët “Autoritet shpirtëror”. Si fjalimi i Patrikut në Asamblenë e Parlamentit Evropian ashtu edhe konferenca e shtypit dhe intervista eskluzive për gazetën franceze “Le Monde” shkaktuan sensacion në mbarë Evropën, për urtësinë, racionalizmin, e mesazhin ekumenik të Patrikut Vartholomeu I në këtë periudhë të vështirë. Burime në Strasburg deklaruan se racionalizmi i Imzot Vartholomeut bind se orthodhoksia është themel i Evropës dhe kush e kundërshton atë, kundërshton Evropën.

I ndriçuar, i ndikuar nga problemet e mëdha që mundojnë sot botën Çalimi i Patrikut Ekumenik adresuar Asamblesë së Parlamentit Evropian, paraqiti një figurë të modernizuar dhe demokratike të Kishës Orthodhokse, e cila është në gjendje të bashkëudhëtojë me kohërat, me qëllim që t’i gjendet krah njeriut. Tërëshenjtëria e Tij Vartholomeu, midis të tjerash, nënvizoi se bashkimi Evropian nuk do të mund të realizohet nëse nuk do të ekzistojë nocioni themeltar i unitetit, që duhet të zotërojë popujt evropianë.

Nuk la gjithashtu pa theksuar se orthodhoksia dhe Patrikana Ekumenike përbëjnë boshte referimi dhe uniteti të Evropës, duke thënë në mënyrë karakteristike se: “orthodhoksia gjendet në themelet e Evropës dhe nuk është diçka që u shtua më vonë”, e duke rikujtuar një thënie më të vjetër të Papës se krishtërimi funksionon me dy mushkëri (orthodhoksen dhe katoliken), Patriku tha: se kontributi i krishtërimit do të jetë i njëanshëm në ndërtesën evropiane nëse do të kufizohet në njërën mushkëri, për të vazhduar se kemi të drejtën dhe detyrën të japim përvojën e Kishës Orthodhokse Lindore mbi baza të shëndosha dhe jo të njëanshme.

Më tej, Tërëshenjtëria e Tij nënvizoi figurën sociale të orthodhoksisë, duke theksuar se vizioni i Evropës së bashkuar kërkon edhe politikë sociale të përbashkët. Patriku, duke folur për luftën në Bosnje, dënoi në mënyrë kategorike gjakderdhjen, shprehu dhimbjen e tij për viktimat e çdo lufte dhe dhune dhe duke iu referuar edhe rezolutës së përbashkët të të krishterëve, myslimanëve dhe hebrenjve, të aprovuar shkurtin e kaluar në Bosfor (botuar edhe në gazetën tonë, mars 1994) theksoi se lufta në Bosnje nuk është fetare dhe i pyetur po në të njëjtin kontekst, nuk përjashtoi mundësinë e një vizite të përbashkët të tij me Papën e Romës në Bosnjë dhe në Lindjen e Mesme, por me kusht, që të dy udhëheqësit të lëvizin në kushte të barabarta, në vëllazërim dhe me sinqeritet, me të vetmin qëllim, arritjen e rezultatit për të mirën e përgjithshme dhe të paqes.

Korresp. i “Ngjalljes”