EmailFacebookKontakt

Provokime që s’e prekin dot unitetin e Kishës

29 prill 1994. E Premte e Zezë. Zot i ynë Iisu Krisht vdes në kryq. Vështirë të gjesh në kalendarin fetar një ditë që prek më shumë shpirtrat e zemrat e besimtarëve, që mbushën kishat në çdo anë të globit. Edhe në Shqipëri. Edhe në Tiranë. Me përkushtimin që kërkon një ditë të tillë. Në pritje për të zhvilluar ceremoninë tradicionale të nxjerrjes së Epitafit, në Kishën Katedrale të Ungjillëzimit ishin mbledhur mijëra besimtarë orthodhoksë të kryeqytetit. Ndaj s’donim ta besonim lajmin se Policia i urdhëronte të mos e zhvillonin, si zakonisht, ritin e shenjtë. Ndaj s’mund ta kuptonin si ishte e mundur që në hyrjen e Kishës përballeshin me një turmë kërcënuese policësh, të gatshëm për të ndërhyrë, ashtu siç paralajmëronte shkresa e refuzimit.

Policia nuk garantoi, por ndaloi

Nga ana e Këshillit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Policisë, si çdo vit, nuk iu kërkua leje për zhvillimin e ceremonive të Pashkës. Ajo është një e drejtë e patjetërsueshme besimtarëve orthodhoksë. Por, veçse, garantimi nga forcat e saj i qetësisë dhe rregullit, veçanërisht për pjesën që zhvillohet jashtë kishës. Në shkresën nr. 34, dt. 25.4.1994, drejtuar Rajonit nr.2. të policisë, nga Sekretari Administrativ i KOASH, z. Aleko Dhima, thuhet: “Me rastin e Pashkëve, si çdo vit, kërkojmë ndihmën tuaj, duke bllokuar qarkullimin… ditën e premte, nga ora 19.30 deri më 20.15.”

Por, nga ky komisariat, në shkresën nr. 1195/1, dt 27.04.1994, ndërmjet të tjerave, thuhet “…Anjë veprimtari jashtë objektit të Kishës… nga ana jonë nuk miratohet dhe nuk do të lejohet.” Pra, një kërkese për mbajtjen e rregullit, iu përgjigj një ndalim i vendosur.

Përsëritjes së kësaj kërkese për kryerjen normale të paktën të ceremonisë së Ngjalljes, Rajoni i Policisë nr. 2, iu përgjigj me një ndalesë të dytë kategorike, në shkresën nr. 1195/4, 29.4.1994, që u dorëzua mbasdite, rreth orës 14.30, vetëm pak kohë para ceremonisë së nxjerrjes së Epitafit.

Këto veprime, s’kishin si të mos i revoltonin mijëra besimtarët e mbledhur dhe vetëm ndërhyrja e Kryepiskopit Anastas i qetësoi disi, duke shmangur mundësinë e ndonjë konfrontimi. U lexua veçse një Protestë, drejtuar Presidentit të Republikës, që u përkrah nxehtësisht nga të gjithë besimtarët e pranishëm (ora 19.00).

KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPERISE
Kisha Ungjillëzimi i Hylindëses, Tiranë

Shkëlqesisë së Tij, Presidentit të Republikës
Z. Sali Berisha

Mijëra besimtarë orthodhoksë, të mbledhur sot mbrëma për shërbesën e Epitafit, dëgjuam me dhimbje se Policia ndaloi procesionin e Epitafit, një traditë që ruhet nga orthodhoksët në të gjithë botën dhe përbën traditë të lashtë të Shqipërisë. Gjithashtu, mësuam se u ndalua edhe kryerja e shërbesës së Ngjalljes në mjedis të hapur, përpara rrugës pranë së cilës gjendet kisha.

Këto ngjarje, që vijnë si hallkë tjetër në një radhë dallimesh të papëlqyeshme në dëm të orthodhoksëve, na detyrojnë të protestojmë njëzëri për fyerjen e traditave adhuruese të kishës sonë dhe lutemi të ndërhyni që të korrigjohet ky kufizim i pajustifikueshëm i lirisë sonë fetare.

Tiranë, 29.4.1994

Të pranishmit në shërbesën e së Premtes së Madhe, ora 19.00
At Gaqo Petri
At Kristo Sharko

Por, nuk vonoi dhe “çudia” ndodhi: Protesta nuk ishte dërguar ende në destinacion, kur mbërriti shkresa tjetër e policisë, po më datën 29, po nga ai Komisariat Policie, që lejonte atë çka ishte mohuar pak orë më parë. Dhe, meqë nuk kishë s’kishte më njeri (rreth orës 22.00), ia lanë urdhërin në dorë rojes së objektit!

Një ditë më pas – spekullimi politik

Të shtunën, 30 prill, ishte e vështirë të besohej nga të pranishmit në Kishë, që kishin parë me sytë e tyre rrjedhën e ngjarjeve, kur dëgjuan deklaratat e Ministrisë së Rendit dhe asaj të Jashtme. Në to, jo vetëm përzihej KOASH arbitrarisht në duele politike ndërqeveritare, por, shtrembërohej edhe realiteti i ngjarjeve, i dokumentuar në çdo hap të tij. Veçanërisht, shtrembëroheshin faktet, duke akuzuar Kryepiskopin Anastas, se ishte ankuar jashtë vendit për çka ndodhi.

Por, s’qe e thënë që të mbaronte me kaq dhe besimtarët ta festonin të qetë Pashkën. Interpretimi i shtrembër i këtyre deklarimeve, gjeti shpejt jehonë tek ata që prej kohësh përpiqen të venë shkopinj në rrota ringjalljes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Në vend të kërkimit ndjesë – fyerje

Të dielën e Pashkës së Madhe, besimtarët u ulën para televizorëve, me dëshirën për të parë se si ishte festuar kjo ditë e shënuar në qytetet e rrethet e Shqipërisë. Dhe pse jo, siç është bërë për komunitetet e tjera fetare, të njiheshin me këto festime kudo në botë ku ka besimtarë orthodhoksë. Dhe kronikat nisën normalisht, me urimet e autoriteteve të larta të shtetit në Berat, Korçë etj. Por, pas tyre, si një kaktus i shëmtuar, mbiu në ekran deklarata e një farë Komiteti për mbrojtjen e Autoqefalisë, që kërkonte largimin e Kryepiskopit; një prononcim i kësaj fantazme që del në skenë sa herë e thërresin llogari të errëta politike. Po, ç’përfaqëson ai?

Absolutisht asgjë! Asnjë kishë, asnjë enori, asnjë klerik që shërben në KOASh. Një grup anonim, me anëtarë anonimë, që edhe kur vetëdeklarohen rezultojnë ateistë apo të larguar nga kisha, për interesa të ngushta personale. Njerëz që e quajnë veten orthodhoksë dhe përpiqen me çdo kusht ta shkatërrojnë orthodhoksinë në Shqipëri. Njerëz që s’u deklaruan një herë të vetme për problemet që shqetësojnë Kishën. Njerëz që s’u vunë një herë të vetme në anën e besimtarëve orthodhoksë, por gjithmonë, si donkishotë, iu kundërvihen. Njerëz, telat e të cilëve luhen nga persona e grupe që s’kanë të bëjnë fare me kishën. Njerëz, që i qasin në derë vetëm kur u nevojiten për t’i bërë shantazh Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Në vend të tolerancës – egërsi e verbër

Dhe “shfaqja” e shëmtuar e deklaratave antiortodhokse dhe kundër Kryepiskopit Anastas vazhdoi. E vazhdoi Partia Republikane, e cila gazetën e saj e ka kthyer në një skenë, nga e cila çdo numër sulmohet Kisha Autoqefale Orthodhokse e Shqipërisë dhe Kryepiskopi me fyerje të ulëta, por nuk mungon dhe arsenali i “rëndë”, ku përfshihen që nga antitëkrishterët fanatikë e deri te pinjollët e uniatizmit. E vazhdoi Partia e Ballit Kombëtar, besnike e hijeve të së kaluarës së saj, ku nuk mungojnë deri edhe priftërinjtë e masakruar. E vazhdoi Shoqata “Çamëria”, ku duket se ka persona që, për fat të keq, kujtojnë se do t’i zgjidhin problemet që u la historia e dhimbshme, duke i shkarkuar mbi Kishën Orthodhokse etj.

Po zëri i besimtarëve? Televizioni censuron

Zëri i vërtetë i besimtarëve orthodhoksë, nga të gjitha dioqezat, ishte në ato peticione të shumta, të cilave Televizioni u bëri bllokadë të plotë. Edhe kur u dorëzuan nga përfaqësi të zgjedhura nga vetë besimtarët. (Madje, u mënjanua nga emisioni qëndror deklarata e PD, me tone më të moderuara, për t’ia lënë vendin kryesor ekstremistëve!). Dhe nuk është hera e parë kjo. Sa gjen rastin, ky organ, që teorikisht duhet të jetë i paanshëm, jep lajme, deklarata, komente që cënojnë Kishën Orthodhokse. Të duket nganjëherë, se disa komentatorë presin vetëm rastin, për të thënë shumë më tepër nga ç’u kërkojnë.

* * *

S’është për të kërkuar me çdo kusht negativen, për t’ë qenë pesimistë, por, pas gjithë fakteve që dhamë më sipër, s’mund të heq nga mendja një pyetje: vërtet qe kokëfortësia e një majori që shkaktoi gjithë këtë? A mund të kishte ai gjithë atë guxim? Shpresoj të jetë kështu, sepse ndryshe, pyetjet do të bëheshin pak si shumë.

Thoma Dhima