EmailFacebookKontakt

Si llogaritet data e Pashkës

Pashka, e cila kremton Ngjalljen e Zotit dhe Shpëtimtarit Tonë, Jisu Krisht, është ngjarja themelore e besimit të krishterë dhe formon qendrën e çdo kremtimi liturgjikal. Në ditën e dokumentave të shekullit II shihet një kremtim vjetor i Pashkës nga Bashkësia Apostolike. Shumë sugjerime në Dhiatën e Re dhe faktet që rrethojnë mosmarrëveshjet paskale të shek. II tregojnë qartë që kremtimi i krishterë i vdekjes dhe ngjalljes së Zotit ishte i lidhur ngushtë me festimin hebraik të pashkës.

Por, kur kremtohej Pashka Hebraike (Nomikon Phaska)? Sipas Ligjit të Moisiut (Egz. 12:1-20, 43-50), Pashka binte për vit në muajin Aviv, ose në sezonin pranveror (d.m.th. Nisan, Mars-Prill) i cili ishte muaji i parë i vitit. Hebrejtë, ashtu si shumë popujt të tjerë të vjetër, përdornin kalendar hënor, i cili duke u krahasuar me kalendarin diellor ka mangut rreth 11 ditë. Për të rregulluar këtë mungesë ata i shtonin kalendarit hënor një muaj të trembëdhjetë, i quajtur Abari i Dytë, i cili ishte mbas muajit të Adarit, që paraprinte Nisanin. Kalendari Hebraik u rregullua përfundimisht rreth vitit 360 pas Krishtit. Elementet që përbëjnë kalendarin hebraik janë po ato elemente universale të të gjithë kalendareve: ditët, muajt dhe viti. Tek hebrejtë dita fillon në mbrëmje mbas perëndimit, dhe çdo muaj i ri shënohet me shfaqjen e hënës së re. Kështu Pashka ishte një festë e lëvizshme nokturnale që kremtohej përvit në hënën e plotë të një nate të caktuar; 14/15 Nisan, që sipas Filonit të Aleksandrisë përkonte me ekuinoksin pranveror.

Këtë datim të pashkës hebraike e trashëgoi kisha, në kuptimin për të festuar misterin paskal të Kryqit të Krishtit dhe të varrit të zbrazur. Mosmarrëveshja paskale e shek. II, e cila e prishi unitetin e kishës, lindi nga theksimi i ndryshëm i dhënë dy aspekteve të misterit paskal nga bashkësitë e ndryshme të krishtera. Në një anë, kishat e Azisë së Vogël theksonin vdekjen çlirimtare të Zotit të ngjallur, dhe mbronin të drejtën për ta kremtuar Pashkën ditën e 14-të të muajit Nisan, pa marrë parasysh se çfarë dite e javës ishte, duke argumentuar që kjo ishte një traditë e lashtë. Sepse kishat e Azisë së Vogël e shikonin Pashkën të lidhur me Kryqëzimin, i cili ndodhi në 14 Nisan. Kishat e tjera thoshin që Tradita Apostolike i jepte më rëndësi varrit të zbrazur dhe insistonin që festa e Pashkës duhej kremtuar vetëm në të dielën që pason Pashkën Hebraike. Ky kremtim, argumentonin ato, ishte i përshtatshëm, sepse edhe Zoti vetë u ngjall “ditën e parë të javës”, dhe kisha që prej fillimit te saj e kremton çdo të dielë me një asamble eukaristike në nderim të Ngjalljes. Në greqisht e diela quhet “Qiriaqi” – dita e Zotit, po ashtu edhe latinisht, nga ku edhe sot gjuhët neolatine e quajnë dita e Zotit (Domenica – Domnus). Kjo mosmarrëveshje u quajt Kuartodecima (të katërmbëdhjetët).

Duke caktuar ditën e Pashkës, kisha e vjetër vazhdoi ta lidhte atë me pashkën hebraike. Sidomos të krishterët e parë e kuptuan si shumë të rëndësishëm një element karakteristik të kremtimit paskal: që duhet të jetë në hënën e plotë të pranverës (ekuinoksi pranveror). Duke theksuar këtë detaj të rëndësishëm në llogaritjen e festës së Pashkës, kisha u sigurua që kremtimi vjetor i Ngjalljes nuk mund të ndodhë dy herë në një vit.

Në shekullin e tretë, të krishterët dhe sidomos ata të Aleksandrisë, një qendër e madhe e kulturës dhe diturisë së botës së vjetër, filluan të shihnin difekte në kalendarin hebraik dhe filluan të distancoheshin nga varësia në kalendarin judaik për caktimin e Pashkës. Vetëm një numër i vogël të krishterësh nga Siria, Mesopotamia dhe Qilikia ndoqën kalendarin judaik dhe këta skizmatikë u quajtën protopashkitë.

I pari që hartoi një tabelë matematikore, të quajtur “cikli paskal” ose “paskalia”, me anë të së cilës data e pashkës caktohej për një cikël 16 vjeçar, ishte Hipoliti i Romës (+222). Më vonë, në të njëjtin shekull, Augustali hartoi një cikël 84-vjeçar më të saktë, i cili u pranua nga të gjitha kishat e tjera të perëndimit në dekadat e para të shek. IV. Një cikël paskal akoma më të saktë e bëri matematicieni i famshëm aleksandrian dhe më vonë peshkop i Laodiqesë, Anatoli (268). Cikli i tij paskal prej 19 vitesh ishte bazuar në llogaritjen hënore dhe diellore të astronomëve grekë të mëparshëm; dhe ky ishte cikli që u adoptua nga të gjitha kishat e Lindjes.

Megjithë këtë përparim, akoma nuk ishte gjetur një zgjidhje për një ditë të përbashkët për kremtimin e Pashkës. Adoptimi i dy cikleve të ndryshëm në Lindje dhe në Perëndim, caktimi i datave të ndryshme për ekuinoksin pranveror, si edhe indiferenca në Perëndim për kohën e kremtimit të Pashkës judaike, shkaktonte kremtimin e festës në të diela të ndryshme. Duke i shtuar këtyre edhe problemin Kuartodeciman dhe Protopashkit doli nevoja urgjente për një caktim përfundimtar të datës së Pashkës; një datë për të gjitha kishat.

E prekur rëndë nga mosmarrëveshjet për pashkën, kisha e vjetër kërkoi të gjente një zgjidhje për një datë të përbashkët. Në Sinodin e Parë Ekumenik, që u mbajt në Niqea në vitin 325 për të kundërshtuar herezinë e Ariosit, u shtrua edhe çështja e datës së Pashkës. Sinodi i dha fund debatit të pafund rreth datës së Pashkës. Sipas një kanuni të këtij Sinodi, Pashka duhet të kremtohet të Dielën e parë mbas Hënës së parë të plotë që bie mbas Ekuinoksit pranveror (që sipas të vjetërve ishte në 21 mars). Për më tepër Sinodi shpall që Pashka nuk duhet të jetë para pashkës judaike ose e njëkohshme (14 Nisan).

(Vijon në numrin e ardhshëm)

Dhiakon Joan Pelushi