Prind. Fjala na sjell ndërmend fëmijërinë, dhe disa nga çastet më të veçanta që jetuam me prindërit: mbase duke dalë për një akullore, apo ndonjë qerasje të veçantë me prindërit tanë. Padyshim, ne mund të kujtojmë ndjenjat e ngrohta të dashurisë së tyre për ne dhe gëzimin që kjo i jepte zemrës sonë të vogël. Kjo është të jesh prind, por edhe shumë më tepër. Eshtë dhuratë nga Perëndia. Roli që ne, si prindër, kemi në rritjen e fëmijëve tanë është përgjegjësi e madhe. Të gjithë dëshirojnë më të mirën për ta e i duam të rriten njerëz të mbarë; dhe jemi përgjegjës përpara Perëndisë dhe vetë fëmijve tanë për t’i rritur ata në rrugën e krishterë orthodhokse.
Të jesh prind është një sfidë e veçantë në këto kohë dhe në këtë brez, kur synimet personale fitojnë prioritet ndaj atyre familjare. Njerëzit ndjejnë nevojën e garantimit të sigurisë ekonomike. Jetët tona bëhen gjithmonë e më të ngarkuara. Megjithatë, si prindër duhet t’i japim përparësi rritjes së fëmijve në rrugën e Perëndisë. Ky është angazhim kohe dhe energjie, sepse nuk është e lehtë që të rritësh mbarë një fëmijë. Por, do të dëshiroja që t’ju inkurajoja në të.
Në një thënie të Shën Theofan Eremitit ne shohim se prindërit orthodhoksë janë me të vërtetë përgjegjës për të ardhmen dhe shpëtimin e fëmijëve të tyre: “Rritja është shkaku i gjithçkaje, të mirë dhe të keqe”. Mendoni, se mënyra sesi i rrisim fëmijët tanë do të ketë efekt në tipin e njeriut që ata do të bëhen në jetën e rritur! Sa detyrë të frikshme kanë prindërit. Ndaj që ta marrin seriozisht dhe t’i përgjigjemi siç duhet.
Ndokush mund të shtrojë pyetjen: Si arrin një fëmijë ose një i rritur momentin kur dëshiron të ecë drejt Perëndisë në rrugën e Krishtit dhe të ketë marrëdhënie të gjallë me Krishtin? Sipas Shën Theofanit, në jetën tonë ka një moment kur ne marrim vendimin e ndërgjegjshëm të pasojmë Krishtin dhe t’i dedikojmë atij jetën tonë. Kjo nuk mund të ndodhë nëse nuk jemi në dijeni për Krishtin. Dhe, si prindër, kemi për detyrë që të njohim fëmijët tanë me Krishtin që kur ata janë të vegjël. Sepse, si mund të presim që fëmijët tanë të bëhen të krishterë të mirë nëse ata nuk njohin kush është Jisu Krishti?
Gjëja e parë që mund të bëjmë është t’i sjellim fëmijët në liturgji çdo të dielë. Fëmijëve të vegjël u pëlqen të ndezin qirinj, të puthin ikonat, të dëgjojnë korin dhe të këndojnë së bashku me ta, të marrin erën e temjanit dhe të shohin priftërinjtë me rrobat e tyre shumëngjyrshe. Ka shumë për të përjetuar në Kishën Orthodhokse. Ikonat na rrëfejnë një ngjarje, Bibla lexohet në çdo Liturgji, besimtarët luten për botën dhe për shpëtimin tonë, njerëzit e pagëzuar mund të marrin Krishtin në kungimin hyjnor, jeta e Krishtit dhe e shenjtorëve rijetohet përvit, në kalendarin e Kishës për vit, Krishti është me ne në Shtëpinë e Tij. Kjo është mënyra për të njohur Krishtin.
Sigurisht, ky nuk është fundi, por veçse një fillim. Duhet t’u tregojmë fëmijëve tanë dashurinë tonë për Krishtin dhe dëshirën që të pasojmë Krishtin me shembullin e jetës sonë. Ne jemi shembulli i parë, se si duhet të jetë i krishteri, që kanë fëmijët tanë. Ne kemi një përgjegjësi të mrekullueshme në duart tona… të rrisim fëmijët tanë njerëz Perëndie, që ndjekin rrugët e Zotit tonë dhe marrin bekimet e tij në këtë jetë.
Edhe njëherë, sërisht, ju inkurajoj të angazhoni veten tuaj në rritjen e fëmijve tuaj në rrugën orthodhokse. Merrini me vete në Kishë; mësojuni himne të Kishës sonë; mësojini të ndezin një qiri dhe të puthin ikonat. Le të dëgjojnë Biblën sa herë që keni mundësi t’ua lexoni. Shën Theofani na kujton “Sa fat i mirë është të jesh rritur mbarë, me të vërtetë i krishterë, të hysh në vitet e rinisë dhe më pas me të njëjtën frymë të hysh në vitet e pjekurisë”. Si prindër kemi para nesh një punë të veçantë. Le të rrisnim mbarë fëmijët tanë!
Presvitera Rëne Ritzi