Pjesëmarrje mistike
Darka Mistike
Ungjilli sipas Llukait (Kreu 22 14-23)
14 Kur erdhi ora, ai u ul në tryezë, dhe të dymbëdhjetë apostujt bashkë me të. 15 Dhe ai u tha atyre: Me dëshirë të madhe desha të ha këtë pashkë me ju, para se të pësoj. 16 Se po ju them që nuk do të ha më prej saj, përderisa të përmbushet në mbretërinë e Perëndisë. 17 Dhe duke marrë një kupë, bëri falënderimin, duke thënë: Merreni këtë e ndajeni midis jush; 18 se po ju them që tashmë nuk do të pi më nga fruti i hardhisë, deri sa të vijë mbretëria e Perëndisë.
19 Pastaj duke marrë bukë, bëri falënderimin, dhe e theu e ua dha atyre duke thënë: Ky është trupi im, i cili jepet për ju; bëjeni këtë për kujtimin tim. 20 Po kështu, pasi hëngrën darkë, u dha atyre kupën, duke thënë: Kjo kupë është dhiata e re e gjakut tim, i cili derdhet për ju. 21 Por ja, dora e atij që më tradhton është me mua në tryezë. 22 Se Biri i njeriut po ikën, siç është paracaktuar, po mjerë ai njeri i cili e tradhton. 23 Dhe ata zunë të pyetnin njëri-tjetrin, se cili prej tyre do të ishte vallë ai që do ta shiste.
Të Enjten e Madhe, vëmendja e Kishës sonë kthehet në katër tema qendrore: Larjen e këmbëve të apostujve nga Krishti; Darkën Mistike, domethënë, dorëzimin e mistereve të frikshme të Eukaristisë Hyjnore; Lutjen e Mbinatyrshme të Zotit drejtuar Atit të Tij; dhe tradhtimin e Krishtit nga nxënësi. Në interpretimin e mëposhtëm fokusi i vëmendjes sonë do të përqendrohet në më qendroren e tyre, në Darkën Mistike.
Darka Mistike ka thurrje të dyfishtë. I referohet Pashkës, që festonin hebrejtë në përkujtim të daljes së tyre nga robëria e Egjiptit, dhe Pashkës së re, të cilën përuron Krishti me Flijimin dhe Pësimin e tij shpëtimtar, dhe e cila do të kremtohet në të ardhmen me kryerjen e misterit të Eukaristisë Hyjnore: “E dyfishtë Darka; sjell Pashkën e ligjit, dhe Pashkën e re, gjakun dhe trupin e Krishtit.” Zoti Krisht, ndërsa hanin, mori bukën dhe pasi e bekoi, e preu dhe ua dha nxënësve të tij duke thënë: “Merrni hani; ky është trupi im. Pastaj mori kupën dhe si bëri falenderimin, ua dha atyre, duke u thënë: Pini të gjithë prej saj, ky është gjaku im i dhiatës së re i cili derdhet për shumë vetë për ndjesën e mëkateve”. (Matth. 26, 26-28).
Me kalimin e kupës, Zoti kreu një veprim liturgjikal, dhe me fjalën e tij lidhi këtë lëvizje me ngjarjen e madhe që pritet të ndodhë pas pak: Pranimin e vullnetshëm të Kryqit dhe të vdekjes së Tij për shpëtimin e të shumtëve. Me këtë lëvizje solemne, Krishti zbulon se identifikohet me shërbëtorin në vuajtje, gjë që kishte parashikuar profeti Isaia, dhe se vdekja e tij nuk është një dorëzim i thjeshtë në duart e armiqve, por një flijim – falje mëkatesh, që është paralajmëruar prej shekujsh e që do të mbetet boshti qendror i historisë së njerëzimit.
Nga letra e parë e apostull Pavlit drejtuar Korinthasve (Kor. 11:23-32)
23 Sepse unë e mora nga Zoti atë që jua transmetova; pra, se Zoti Jisu, natën që u tradhtua, mori bukë; 24 dhe pasi falënderoi, e theu dhe tha: Merrni e hani; ky është trupi im që jepet për ju; këtë ta bëni për kujtimin tim. 25 Gjithashtu, pasi kishte ngrënë darkë, mori edhe kupën, duke thënë: Kjo kupë është dhiata e re në gjakun tim; këtë ta bëni, sa herë që të pini, për kujtimin tim. 26 Sepse sa herë që të hani këtë bukë dhe të pini nga kjo kupë, ju njoftoni vdekjen e Zotit, deri në ardhjen e tij.
27 Prandaj, cilido që të hajë bukën ose të pijë nga kupa e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor ndaj trupit dhe gjakut të Zotit. 28 Njeriu pra le të provojë vetveten, dhe kështu le të hajë nga buka dhe të pijë nga kupa. 29 Sepse ai që ha e pi pa e merituar, ha e pi dënim për veten e vet, se nuk e dallon trupin e Zotit. 30 Për këtë arsye shumë nga ju janë të dobët e të sëmurë, dhe mjaft ndërrojnë jetë. 31 Se, po ta shqyrtonim veten tonë, nuk do të gjykoheshim. 32 Po kur gjykohemi, ndreqemi nga Zoti, që të mos dënohemi me botën.
1. Referimi në gjakun e dhiatës çon mendimin tek traktati, dhiata e vjetër e Sinait, që ishte vulosur me theroret e kafshëve, dhe thekson se këtu fjala është për një traktat, dhiatë, bashkim përfundimtar, të Perëndisë dhe njerëzve, që kryhet dhe vuloset me gjakun e Perëndinjeriut.
Marrëdhënia e vjetër, mbështetej në një ligj. Perëndia kishte zgjedhur një popull të caktuar, për të qenë i zgjedhuri i tij. Kushti i domosdoshëm që kjo marrëdhënie të zgjaste, ishte respektimi i ligjit. Me flijimin në Kryq të Krishtit, një marrëdhënie e re hapej për njerëzit, e cila nuk mbështetej më në ligj, por në dashurinë, në flijimin e vullnetshëm dhe të painteresë. Qendra e rëndesës nuk do të jetë më aftësia njerëzore në respektimin e urdhrave, por dhurimi i lirë i hirit dhe i dashurisë së Perëndisë. Njeriu nuk mbështetet më në fuqitë e tij për përsosjen dhe sigurinë, por dorëzohet në mëshirën dhe në dashurinë e Perëndisë. Në regjimin e mëparshëm të dhiatës, karakteristika bazë qe frika. Me këtë traktat, dhiatë të re, njeriu afrohet tek Perëndia me lehtësi dhe besim, si biri te i ati. “Ky është gjaku im, i dhiatës së re, që derdhet për shumë vetë, për ndjesën e mëkateve.”
2. Ashtu si në të kaluarën, ngjarjet me të cilat ishte realizuar çlirimi i Izraelit nga robëria e Egjiptit, duhej të përbënin pandërprerë epiqendrën e mendimit dhe kujtimit të popullit izraelit, ashtu edhe ngjarjet e Pashkës së re, me të cilat faktikohet dhiata e re do të duhet të përbëjnë në të ardhmen pikë të qëndrueshme kujtimi dhe referimi të komunitetit të ri të të shpëtuarve, të Kishës. Zoti tha: “Kjo kupë është dhiata e re në gjakun tim; këtë ta bëni sa herë të pini për kujtimin tim” (I Kor. 11,25). Ky veprim që tani e tutje do të aktivizohet në një shërbesë eukaristike. Dhiata do të përtërihet vazhdimisht nga nxënësit e Krishtit.
Me blatimin e flijimit të trupit dhe të gjakut të tij, Krishti, jo vetëm që përuroi një dhiatë të re, por bëri Trup të Tij njerëzit që e pranuan. Të gjithë sa kungohen në këtë trup dhe gjak të Tij, marrin pjesë në jetën e Tij. Përbëjnë Kishën. Kisha nuk është thjesht një kuvend besimtarësh, por trupi mistik i Krishtit, “që plotëson të gjitha ndër të gjitha”.
Të gjitha këto të vërteta të mëdha, që u zbuluan me ngjarjet e Pësimit, të Pashkës së Re, Kisha i rijeton me kujtim të gjallë, duke u përpjekur t’i përjetojë në të tashmen.
Midis predikimit të dhiatës së re dhe jetës së besimtarit, qëndron ngjarja e madhe, që mban emrin jetë liturgjikale e Kishës sonë. Brenda saj shtrihen dhe aktivizohen ngjarjet e Pësimit. Me kujtimin eukaristik përjetojmë Darkën Mistike, Kryqëzimin, Pashkën e Re; marrim pjesë në to, kungohemi në dashurinë; bashkëtrupëzohemi me Krishtin. Dhiata duhet të përtërihet vazhdimisht në nivelin e lirisë sonë personale.
3. Për të gjitha këto, sigurisht, që nevojitet një pranim i qartë besimi dhe dashurie. Apostull Pavli porosit: “Njeriu, pra, le të provojë vetveten, dhe kështu le të hajë nga buka dhe të pijë nga kupa. Sepse ai që ha e pi pa e merituar, ha e pi dënim për veten e vet, se nuk e dallon trupin e Zotit.” (I Kor. 11, 28-29). Padenjësia, qëndron kryesisht në faktin se njeriu nuk dallon trupin e Zotit.
Kjo mund të thotë se ai që ha dhe pi në mënyrë të padenjë, nuk kupton çfarë janë pikërisht këto të shenjta të cilave u afrohet; nuk ka devocionin, frikën dhe druajtjen që krijon besimi.
Kjo frazë veçse, – trupi i Krishtit – shumë shpesh në letrat e Pavlit i referohet Kishës. Pra, gjithkush do të mund të kuptojë madje se është i padenjë ai njeri, i cili nuk dallon dhe nuk kupton se gjithë Kisha, – kleri dhe populli, e mobilizuar e triumfale, – është trupi i Krishtit. Kush gjendet pra në kundërshti dhe mban antipati e armiqësi për vëllain e tij, “për të cilin vdiq Krishti”, është i padenjë i Krishtit, kur vjen në altarin e Zotit me këtë prirje. Pikërisht, për këtë arsye Kisha në momentin e kungimit hyjnor, fton besimtarët të afrohen “me frikë Perëndie, besim dhe dashuri”.
Porosia e apostullit, që i ndalon një njeriu të hajë dhe të pijë në mënyrë të padenjë Trupin dhe Gjakun e Krishtit, nuk do të thotë se përjashton mëkatarin, i cili ndjen gjendjen e tij. Sepse atëhere, do të duhej të përjashtonte të gjithë njerëzit. Krishti fton pranë tij mëkatarët e pendueshëm. Ngelet “Perëndia e të pendueshmëve”. Kushtin bazë e përbën pendimi i vazhdueshëm, që shprehet me përulësi e prirje pajtimi dhe dashurie për të gjithë njerëzit. Nga ana tjetër, ndërgjegjja e Kishës sonë, nuk na lejon t’i afrohemi misterit pa ndjenjën se jemi mëkatarë. Urata që lexojmë para Kungimit Hyjnor, vë në gojën dhe ndërgjegjen e besimtarit këtë pohim “Besoj o Zot, dhe rrëfej se Ti je në të vërtetë Krishti, i Biri i Perëndisë së gjallë, që erdhe në botë për të shpëtuar mëkatarët, nga të cilët i pari jam unë”. Pra, jo mungesa e mëkatit, – kush do të guxonte të imagjinonte për veten e tij se është i pamëkatshëm? – por ndërgjegjësimi i varfërisë sonë shpirtërore, i mëkatësisë, hap rrugën për t’iu afruar misterit të Eukaristisë Hyjnore.
Hymni që psaliet në mënyrë të përsëritur të Enjten e Madhe, përcakton karakterin e besimtarit orthodhoks. Flet për vendimin e besimit, të evitimit të çdo veprimi tradhëtues; dhe njëkohësisht për një ndjenjë të thellë të jetës mëkatare, e cila, veçse, dorëzohet në duart e Krishtit, me vështrim të qetë, të ngulur te Mbretëria e Perëndisë, Mbretëria e ndjesës dhe dashurisë.
“Në Darkën tënde Mistike, o i Biri i Perëndisë, merrmë sot pjesëtar. Se armiqve të Tu nuk do t’ua them misterin; dhe as puthje nuk të jap si Juda. Por si kusari po të pohoj, Kujtomë, o Zot kur të vij në Mbretërinë Tënde”.
+ Anastasi
(Imazh: Darka Mistike, Konstandin Sipataraku, shek. XVIII – Kisha e Shën e Premtes, Lushnjë)