EmailFacebookKontakt

Me dëshirën që gabimet të mos përsëriten

Letër “Ngjalljes”

Me dëshirën që gabimet të mos përsëriten

Ne që po ju shkruajmë këtë letër jemi disa antarë të Lidhjes Rinore Orthodhokse “Bij të Dritës” nga qyteti i Korçës. Me respekt po shkruajmë, duke mos na ardhur mirë për disa gabime, sa elementare, aq dhe të rëndësishme që janë shkruar në dy artikuj të gazetës “Ngjallja” të shkurtit 1994. Në këto artikuj është përdorur fjala adhurim në vend të fjalës nderim ose venerim. Ato gjenden tek artikulli “Jo vetëm vjedhje historike” (fq.3) dhe në artikullin “U themelua Lidhja Orthodhokse “Miqtë e Shën Kozmait” (fq.4). Në artikullin e parë është përdorur “ishin objekte adhurimi dhe lutjeje”, ndërsa në artikullin e dytë thuhet “ruhet dhe adhurohet lipsani i tij i shenjtë”. Po në këtë artikull thuhet edhe “Ata që adhurojnë plakun e urtë dhe të shenjtë”.

Këto gabime u lënë gojë të lirë të tjerëve për të folur, që me të drejtë do të na quajnë idhulltarë.” Pse? Arsyen e tregon fare mirë Sinodhi i 7-të Ekumenik, i cili e ka trajtuar këtë çështje. Me dëshirën që këto gabime të mos përsëriten më, që të mbrojmë sa më tepër të vërtetën Kristiane Orthodhokse, “Bijtë e Dritës”, Korçë, ju urojmë shëndet dhe ndriçim Perëndie, “Zoti me ju”.

Me respekt anëtarët e Lidhjes Orthodhokse Andrea Veto, Mihai Sonellari, Vangjush Panolli.

Korçë 4 mars 1994

Ju falenderojmë për vërejtjet me shumë vend që na bëni, duke ju siguruar se ato janë thjesht gabime nxitimi, që nuk do të përsëriten dhe s’kanë të bëjnë me bindje të artikullshkruesve. Gjithashtu, i ftojmë lexuesit që të na shkruajnë për vërejtjet që kanë, por edhe të na ndihmojnë me bashkëpunimin e tyre.