Veprimtari e Lidhjes së Rinisë Orthodhokse
“Njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë”
Nuk ka kaluar më shumë se një vit që të rinjtë e kryeqytetit me anë të një procesioni kërkuan rikthimin e Kishës së Shën Prokopit. Tashmë në mjediset e kësaj kishe të rinjtë orthodhoksë kanë qendrën e tyre, në të cilën mblidhen e organizojnë veprimtari të ndryshme. Me diskutime rreth temave shpirtërore dhe shoqërore. Një prej tyre ishte dhe ajo e organizuar më 2 prill, ku veç të rinjve nga Tirana e Durrësi, ishin të ftuar për të referuar e marrë pjesë në diskutimet e të rinjve At Martin Ritz dhe z. Luka Veroni nga SHBA. Dita u hap me lutjet e mëngjesit, himne të kishës sonë e këngë kushtuar Perëndisë.
“Ç’është liria? A jemi vërtetë të lirë?” Këto ishin pyetjet me të cilat e hapi referatin e tij At Martin Ritz. Disa mendojnë se jeta e një të krishteri është në kundërshtim të plotë me pjesën tjetër të shoqërisë – theksoi ai. Të gjithë dëshirojmë të arrijmë lumturinë. Duket se të dy jetët të çojnë në një rezultat, por rrugët e ndjekura për t’a arritur ç’dëshiron, janë të ndryshme. Mos vallë kjo jetë si besimtarë na privon të ndjejmë lumturinë e vërtetë?” Rreth këtyre problemeve pati diskutime midis të rinjve, por e përbashkëta ishte ajo, që, Liria është dhuratë Perëndie.
Por, siç na është dhënë liria, na është dhënë dhe e drejta për të zgjedhur në rrugën tonë të jetës, të mirën nga e keqja, të drejtën nga e gabuara. Si besimtarë duam lirinë nga e keqja, mëkati i të gjitha llojeve. Çdo njeri që mëkaton, – ka thënë Zoti”, – është skllav i mëkatit. E Ai erdhi në këtë botë për të na çliruar nga kjo skllavëri. Pra jemi të lirë kur me vehte, në zemrën tonë, kemi Krishtin dhe ndjekim rrugën e treguar prej tij. Të jesh i lirë nuk do të thotë të bësh kura për t’a arritur ç’dëshiron, sepse jo rrallë veprimet tona mbyllin dyert e lirisë së vërtetë.
Pas një pushimi të shkurtër dhe diskutimeve në grupe të vogla të të rinjve, u kalua në referatin e z. Luka Veroni “Duam të jemi të lirë. Por cili është çmimi i kësaj lirie?” Që sërish u pasua nga diskutime. Pas leximit të disa pjesëve të shkëputura nga Dhiata e Re u arrit në mendimin e përbashkët se Krishti na dha lirinë. “Nëse ndiqni fjalët e mia, do të dini të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë” – tha Krishti.
Veprimtaria u mbyll me dëshirën që takime të tilla të jenë më të shpeshta e me tema që reflektojnë qëndrimin e të rinjve besimtarë ndaj problemeve të shoqërisë së sotme.
Kristina Hanxhari