Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
Deklaratë proteste
Të dielën, më 3.4.1994, në Korçë, ditën e kremtimit të Pashkës për Katolikët dhe Lutjes së Kryqit për Orthodhoksët, në mes të shërbesës fetare që i paraprinte themelimit të Kishës së Re Katedrale të qytetit mbërriti një shkresë me dt. 2.4.1994 (e shtunë), që përcillte urdhërin e pezullimit flagrant të lejes së ndërtimit me argumenta aspak bindës. Pezullimi në vetvete dhe koha e komunikimit të tij, përbëjnë ofendim të rëndë për besimtarët e Komunitetit Orthodhoks të Korçës dhe për gjithë Komunitetin Orthodhoks të Shqipërisë.
Loja që po luhet, me muaj të tërë tashmë, me truallin e kësaj kishe, mbart në vetvete zhgënjim dhe revoltë, po të kihet parasysh se në qytetin e Korçës besimtarëve orthodhoksë nuk u janë kthyer ende as Kisha Katedrale “Burimi Jetëdhënës” (e kthyer në maze), as ajo e Shën Gjergjit (e kthyer në bibliotekë), kishë historike për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Shprehim protestën tonë edhe për faktin se veprime të tilla, për fat të keq, nuk janë të izoluara. Kështu, në qytetin e Shkodrës, pas mbi tre vjet lirie fetare, besimtarëve orthodhoksë, me gjithë kërkesat e përsëritura, nën pretekste të ndryshme, ende nuk u është dhënë një copë truall për të ngritur Kishën e tyre. E njëjta gjë ndodh edhe në qytetin e Durrësit, në Kuçovë etj.
Po kështu, Manastiri i Shenjtë i Ardenicës, në kundërshtim me vendimin e Komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave të rrethit të Lushnjes, vazhdohet të përdoret si tavernë-hotel, duke fyer ndjenjat e besimtarëve orthodhoksë, si dhe traditën kulturore të vendit tonë.
E njëjta histori, mjaft e dhimbshme, ndodh edhe me ikonat, ungjijtë, gotat e shenjta orthodhokse të rrëmbyera nga regjimi komunist, që vazhdojnë të qëndrojnë “të burgosura” deri më sot nëpër bodrume dhe po shkatërrohen e zhduken nga indiferenca dhe vjedhësit e ndryshëm.
Jemi të detyruar të shprehim protestën tonë të ashpër ndaj këtyre akteve arbitrare, me shpresën se më në fund do të kuptohen pasojat që sjellin këto veprime, që s’do të dëshironim të pranonim se janë të qëllimshme.
Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë