EmailFacebookKontakt

Nektar shpirtëror

Rubrika që po çelim në këtë numër do t’ju njohë me spiritualitetin, thëniet dhe me jetën e virtytshme dhe mrekullisht asketike të etërve të shenjtë dhe të lumur, atletëve të mëdhenj të shkretëtirës, që përbëjnë thelbin e urtësisë me Perëndinë; urtësinë që ndriçon shpirtrat, i sjell në vete, i fuqizon, i udhëheq në pistën e virtyteve ungjillore dhe përbën gjënë më të vyer për atë që dëshiron të bëjë jetën e të krishterit të vërtetë dhe të marrë rrugën për në mbretërinë e qiejve.

Ava Makarios Egjiptiani

Thoshin për Ava Makarion nga Egjipti, se po ngjitej dikur nga sketa (kasollja) për në malin Nitria. Dhe pasi iu afrua vendit, i thotë nxënësit të tij: “Ec pak para”. Nxënësi i tij, tek po ecte, takon një prift të idhujtarëve dhe i thërret me zë të lartë: “Hej, demon, për ku po vrapon?” Atëhere prifti idhujtar i kthehet nxënësit, e qëllon dhe e lë gjysmë të vdekur. Dhe duke ngritur shkopin e tij, vraponte. Si eci pak duke rendur e takon Ava Makarios i cili i thotë: “Makar të shpëtosh, makar të shpëtosh, o i vuajtur”. Duke u mrekulluar idhujtari shkon për tek Ava Makarios dhe i thotë: “Ç’të mirë pe tek unë dhe më fole?” Plaku i përgjigjet: “E bëra se të pashë të lodhur dhe se nuk e di që më kot mundohesh”. Idhujtari i thotë: “Edhe unë nga përshëndetja jote ndjeva ngacmim në zemër dhe kuptova se je njeri i Perëndisë. Ndërsa një murg tjetër i keq që më takoi më shau dhe unë atëhere e godita duke e lënë gjysëm të vdekur”. Avai e kuptoi se e kishte fjalën për nxënësin e tij, ndërsa prifti idhujtar, duke përqafuar këmbët e Ava Makarios i thoshte: “Nuk të lëshoj po nuk më bëre edhe mua murg”. Dhe shkuan më lart, ku qe nxënësi dhe e ngritën në duar dhe e çuan në kishën e malit. Dhe kur aty panë Ava Makarion me priftin idhujtar, të gjithë u çuditën. Dhe e bënë murg. Dhe shumë nga idhujtarët u bënë të krishterë për shkak të atij. Dhe Ava Makarios thoshte: “Fjala e keqe edhe të mirin e bën të lig, ndërsa fjala e mbarë edhe të liqtë i bën të mirë”.