EmailFacebookKontakt

E diela e Orthodhoksisë

Ç’është Orthodhoksia?

E diela e parë e kreshmëve të mëdha, i dashur lexues, quhet “E diela e Orthodhoksisë”.

Orthodhoksia!… Ç’fjalë e ëmbël dhe me ç’kuptime të larta!

Orthodhoksia, si botëkuptim, si rregulluese e marrëdhënieve ndërmjet elementeve që përbëjnë jetën individuale të njeriut, dhe të lidhjes ndërmjet njeriut dhe hyjnisë, është ekuilibër, është harmoni.

Orthodhoksia, në fushën fetare, mban udhën e drejtë. Ajo nuk rrëshqet as nga e djathta, as nga e majta radikale, ku, po ai njeri, është i përmbiçmuar.

Orthodhoksia, e mbetur besnike ndaj parimit të lartë të sinodalitetit dhe larg frymës autokrate, frymëzon mënyrën më fisnike të qeverimit.

Orthodhoksia, në fushën shoqërore, duke qëndruar përmbi klasat shoqërore dhe sistemet e ndryshme ekonomike, udhëhiqet për zgjidhjen e problemeve shoqërore nga parimet e larta ungjillore: të vlerës së pakufishme të shpirtit të njeriut, d.m.th. të personalitetit njerëzor, të dashurisë për të afërmin.

Orthodhoksia, nga pikëpamja kanonike, rron mbi parimin e shenjtë të autoqefalisë, domethënë të lirisë kishëtare. Kisha jonë Orthodhokse Autoqefale, motër me të gjitha kishat e tjera Orthodhokse Autoqefale të botës, është zonjë në shtëpinë e saj mbi fatet fetare të shpirtit orthodhoks shqiptar.

Orthodhoksia, në fushën e shkencës dhe të filozofisë, di fare mirë të mbajë kufijtë e caktuara të të dy këtyre vlerave të mëdha kulturore të njerëzisë. Dhe nëse ndonjë nga përfaqësuesit e këtyre vlerave largohet nga rrugët e qëllimet e tyre të vërteta dhe shkel kufijtë e saj fetarë, orthodhoksia nuk godet e nuk shfren, por, e qetë dhe gati për falje, pret rikthimin e tij nga udha e gabuar në shtëpinë e vërtetë.

Po, kur pastaj kjo orthodhoksi – sintezë e bukur e përbotshmërisë së krishtërimit dhe qënies kombëtare të çdo populli, bëhet shqiptare, vesh, domethënë, rrobën kremtërore të gjuhës së stërgjyshërve dhe të artit fetar në tonin, në ngjyrën dhe në shprehjen e tokës shqiptare, a është e mundur që ajo të mos çmohet e të mos dashurohet? Ja si e shpreh këtë çmim e këtë dashuri, njëri nga shkrimtarët tanë të shquar e seriozë, i ndieri Dhimitër Pashko, që në letërsi njihet me emrin “Mitrush Kuteli”:

“Të falem Ty, Fe e lashtë e vendit tim e mburuar drejtpërdrejtë nga Fjala dhe njëjësuar me Fjalën.

Të falem Ty, Fe e qëndrimit dhe e durimit, Fe e martirëve dhe e dëshmorëve, Fe e paqes dhe e drejtësisë.

Të falem Ty, Fe e gjyshërve zemërbardhë e shpirtmëdhenj, që të përqafuan sapo u linde e si u linde, që të mbajtën të përgjakur e të përlotur një kohë me gjuhën e Kombit.

Ti i dhe kombit tim dritën e Ungjillit dhe kombi im të fali Shën Konstandinin dhe mijëra martirë, që, me gjakun e tyre, i bënë të përjetshme themelet e tua.

Ti frymëzove Janin e Vojsavës, në qëndrimin e tyre të përlotur e të përgjakur për mbrojtjen e kësaj toke.

Ti na dhe zemërgurin Gjergj Kastriotin (Skënderbeun) që i vuri gjoksin rebeshit të Azisë.

Ndaj teje, Fe e Shën Jonit dhe e Shën Marenës, thyhet gjuri im si u pat thyer gjuri i atit, i gjyshit dhe i stërgjyshit, gjer më njëzet breza.

Ndaj teje, Fe e manastireve të gurtë, e ajasmove të shenjta, e altarëve të rënuar, kodër më kodër, të përhapura në gjithë vendin tim, ne shtrojmë shpirtrat tona të përvojtura dhe mbështetëm shpresat tona, gjithmonë të gjalla e të patundura.

Të jam falur e do të falem ty, Fe e shenjtë e Papa Kristos nga Negovani, e Papa Dhimitrit nga Ballkameni, dhe e gjithë martirëve të Ungjillit shqiptar.

Ti i mbajte kombit tonë legjendat e Konstandinëve e të Garentinave, këngët e stërlashta, zakonet e mburura, nga vetë fryma e kësaj toke dhe e këtij kombi.

Mbulesë e shenjtë kundrejt breshërit e kohës, nur i çelniktë kundrejt rebesheve të zeza, anije e mrekullueshme, që shpie ndaj jetës së vërtetë shpirtrat tona, ti ishte, je e do të jesh përgjithmonë. Sepse Ti mburon nga përjetësia e Fjalës dhe je njëjësuar me Fjalën”.

Ja pra cila është Orthodhoksia jonë!

E megjithatë, ka ndërmjet nesh mjaft dhe sidomos nga të rinjtë, që jo vetëm nuk e çmojnë dhe nuk e dashurojnë Orthodhoksinë, por edhe e shohin me sy përbuzës. E kujtojnë për gjithçka të vjetëruar, të ngurosur, pa jetë e pa lëvizje. Për diçka që i përket së kaluarës dhe që s’ka për të thënë asgjë për të tanishmen dhe për të ardhmen. Edhe e dini përse? Vetëm e vetëm pse s’e njohin. Edhe s’kanë faj. Për afro gjysmë shekulli rrjesht, ata nuk kanë dëgjuar veç fyerje dhe kritika për të, s’kanë patur mundësi të lexojnë asgjë për doktrinën e saj, për ideologjinë e saj, për kontributin që ajo ka dhënë për formimin e kulturës, të artit, të ndërgjegjes sonë kombëtare.

Nuk mjafton vetëm që njeriu të lindet e të quhet orthodhoks. Ai duhet të ketë përmbi të gjitha vetëdije orthodhokse. Dhe vetëdija orthodhokse formohet me kohë, pas ligjeve të shpirtit njerëzor, në fillim me pjesëmarrjen në shërbesat dhe zakonet orthodhokse dhe gradualisht dhe me një material fetar të mirëstudiuar dhe të mirëkuptuar.

Por, deri në krijimin e këtij të fundit, që, me ndihmën e Zotit, së shpejti do ta ketë edhe Kisha jonë dhe ku i krishteri orthodhoks shqiptar do të mund të ndriçohet mbi parimet dhe moralin e doktrinës së tij, si edhe mbi pikëpamjet e saj në lidhje me rrymat shoqërore-politike, etike e pedagogjike të kohës, është e rekomandueshme dhe e domosdoshme pjesëmarrja sa më e gjerë e jona, e të gjitha familjeve orthodhokse në shërbesat tona fetare, dhe në praktikimin e zakoneve tona të bukura orthodhokse, ku këndohen dhe lexohen shqip të gjitha uratat dhe himnet, të përkthyera bukur prej të ndierit Imzot Noli, i cili pikërisht në të dielën e Orthodhoksisë së vitit 1908, domethënë para 86 vjetësh, kreu në Boston Mass të Amerikës meshën e parë në gjuhën shqipe.

Duke marrë pjesë sa më gjerë në shërbesat tona fetare, duke praktikuar zakonet tona të bukura orthodhokse, duke dëgjuar himnet dhe uratat në gjuhën tonë të ëmbël, ne do të forcojmë vetëdijen tonë orthodhokse në vetveten tonë dhe do të përgatisim me fëmijët tanë, brezin e ri orthodhoks.

Zoti na ndihmoftë.

Dh.B.