EmailFacebookKontakt

Konferencë ndërkombëtare për paqen dhe tolerancën

Nga 7-9 shkurt, Patrikana Ekumenike dhe Fondacioni Amerikan “Appeal of conscience” organizuan në Stamboll një konferencë ndërkombëtare për Paqen dhe Tolerancën. Qëllimi ishte që të dëgjoheshin zërat dhe dëshirat e tre feve monoteiste: judaizmit, kristianizmit dhe islamizmit. Përfaqësues nga këto tre fe u mblodhën së bashku, për të punuar për respektin reciprok, tolerancën dhe bashkekzistencën paqësore, në një kohë kur rritja e nacionalizmit ekstrem e ka çuar botën në konflikte dhe gjakderdhje. Konferenca e cila u përshëndet edhe nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së Butros Butros Gahli, Presidenti i SHBA-së, Bill Klinton, Presidenti i Turqisë Sulejman Demirel, Patriku i Rusisë Aleksi, Kryepiskopi i Kanterburit George, Muftiu i Tashkentit Mukhtarajan Abdullah al-Bukhari, Patrikët e Rumanisë, Bullgarisë, Gjeorgjisë, Armenëve etj., kërkoi të demonstrojë që faktori fetar është një përbërës konstruktiv për unitetin dhe paqen; dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të keqpërdoret ose të lejohet që të shfrytëzohet për të krijuar urrejtje dhe ndarje ose edhe më keq për të nxitur luftra e gjakderdhje. Ata që e përdorin fenë për të nxitur urrejtje nuk janë fetarë dhe është detyra e çdo kleriku për të folur haptaz dhe me kurajo kundër çdo lloj keqpërdorimi ose keqinterpretimi të fesë dhe të ndjenjave fetare, viktima të cilave bien edhe shumë besimtarë të ndershëm. Konflikti, ndarja, urrejtja, mostoleranca dhe mosrespekti, nacionalizmi ekstrem, janë në kundërshtim me frymën universale të Ungjillit.

Patriku Ekumenik, Vartholomeu I, në fjalimin e tij theksoi se, njeriu është krijuar sipas imazhit të Zotit dhe prandaj nuk mund të ketë standarte të ndryshme trajtimi për ato qënie njerëzore që lindën afrikane, aziatike apo në fe të tjera; kulturat mund të jenë relative por humaniteti jo.

Edhe në fjalimet e Rabinit Artur Schneier, të Shkëlqesisë së tij Mehmet Nuri Jilmaz, president i Zyrës për çështjet Fetare të Turqisë, të kardinalit Rozher Etchegaray, president i Këshillit Pontifikal për Drejtësinë dhe Paqen, si edhe në të gjithë fjalimet e tjera, u pranua nga të gjithë që urrejtja etnike apo fetare nuk buron nga parimet e fesë, por nga egoizmi dhe pasionet njerëzore. Gjithashtu nxitet nga grupe politike apo nacionaliste, të cilat duan të shfrytëzojnë potencialin e fuqishëm të ndjenjave fetare për të realizuar qëllimet e tyre antihumane, që janë në kundërshtim me parimet e fesë dhe me frymën e Perëndisë. Vendi ynë si një nga më të interesuarit për këtë problem, u përfaqësua denjësisht. Morri pjesë Fortlumturia e Tij Anastasi, Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë; Imzot Rrok Mirdita, arqipeshkëv i Durrësit dhe i Tiranës i Kishës Katolike në Shqipëri dhe Hirësia e tij Reshat Bardhi, Kryegjyshi i tërë Bektashinjve të Botës. Pjesëmarrja e vendit tonë në këtë konferencë nuk ishte vetëm fizikisht. Delegacionet shqiptare dhanë një kontribut të madh në hartimin e Deklaratës finale. Fortlumturia e Tij Anastasi, ishte një nga protagonistët. Ai e propozoi edhe emërtimin final të saj, si “Deklarata e Bosforit”, si edhe formulimin e disa pikave të rëndësishme të Deklaratës. Gjithashtu, edhe Imzot Rrok Mirdita bëri disa propozime të rëndësishme si edhe përkrahu shumë sugjerime të bëra nga Kryepiskopi Anastas. Prania e tre nga katër komunitetet që janë në Shqipëri, si edhe harmonia ndërmjet tyre, ishin një shembull i gjallë i bashkekzistencës dhe tolerancës, gjë që u vu re nga pjesëmarrës të tjerë në Konferencë. Duke parë delegacionet shqiptare, që shpesh rrinin afër dhe duke parë edhe mënyrën e komunikimit ndërmjet tyre, shumë nga pjesëmarrës na përgëzuan. Fjalimi i Fortlumturisë së Tij Anastas u çmua dhe u pëlqye nga të gjithë. Shpresohet që Konferenca për “Paqen dhe Tolerancën”, do t’i kujtojë udhëheqësit fetarë dhe politikë për detyrimet e tyre, për të kultivuar dhe organizuar dialog ndërmjet njerëzve të të gjitha feve, me anë të mjeteve të ndryshme, për të ndërtuar një mirëbesim reciprok dhe respekt të sinqertë në përfundim të këtij shekulli tragjik dhe mbas dy luftrave botërore.

Këtu, si mbyllje, do të donim të përmendim sërish diçka nga fjalimi i Patrikut Vartholome I: “Nuk ka arsye që njerëzit të mos lëvizin lirisht nga Bitola në Bukuresht, nga Trikalla në Tiranë, nga Sofia në Shën Petërburg etj.. Dhe nuk ka arësye të vazhdojnë urrejtjet që e kanë bërë Europën Lindore dhe sidomos Ballkanin karikaturën e botës për konfliktet etnike”.

Dhiakon Joan Pelushi