EmailFacebookKontakt

Protestë e shoqatës “Fan Noli” Korçë

Në një protestë të kësaj shoqate të mirënjohur korçare, të ardhur në redaksi, i jepet përgjigje një artikulli në “Koha Jonë” të z. Zamir Dule në të cilin nxitet përçarja midis komuniteteve fetare dhe trajtohen në mënyrë të pavërtetë faktet rreth ndërtimit të kishës së Shën Triadhës me varrezat e vjetra orthodhokse apo për truallin ku do të ndërtohet katedralja e qytetit. Në të thuhet:

Ky artikull është fund e krye për çarës dhe me qëllime dashakeqe, për të futur urrejtje midis myslimanëve e të krishterëve. Veprim të cilit i duhet thënë ndal, pasi të dy komunitetet prej kohësh përpara kanë jetuar në unitet dhe kanë përballuar bashkë çdo të papritur.

Ndërsa Kisha e Shën Triadhës është ndërtuar mbi themelet e kishës së vjetër që e shkatërroi regjimi komunist. Sa për sheshin e lulishtes V. Miho, që mund të na jepet për katedralen, a mund të krahasohet ai truall me Kishën e Mitropolisë, të kthyer në muze apo me katedralen e Shën Gjergjit, mbi rrënojat e së cilës është ngritur Biblioteka?

Shkrime të tilla nuk i shërbejnë besimtarëve të të dy komuniteteve, sepse nxisin përçarje, në një kohë që, më tepër se kurrë, duhet të jemi të bashkuar.