EmailFacebookKontakt

Shën Vlash

Më 11 shkurt u kremtua festa e Shën Vlashit në manastirin me të njëjtin emër, i cili u bë simboli i shkatërrimit të kishave nga komunizmi. Liturgjia u zhvillua në një nga dy ndërtesat në rikonstruksion me pjesëmarrjen, megjithëse ishte kohë e keqe, të rreth 1000 besimtarëve, nga At Justini, At Teologu dhe At Spiridhoni, së bashku me korin e fëmijëve të kishës së “Shën Gjergjit” Durrës.

Që nga vera e kaluar në Shën Vlash ka filluar puna restauruese, duke ndërtuar, së pari, rreth 1.2 km rrugë që të çon atje. Më pas filloi restaurimi i ndërtesave të vjetra, duke përforcuar strukturat e themelet e tanimë po arrihet në kryerjen e punimeve të brendshme. Pas përfundimit manastiri do të ketë kushtet për 14 murgjër dhe igumenin.

Pas Pashkëve parashikohet të fillojnë punimet në kishën e manastirit, për të cilën është gati projekti dhe është marrë leja e punimeve. Mendohet të përfundojë për një vit, me shpresën që festa e ardhshme të kremtohet në të.