Nga 17-24 janar në Kishën Katolike të Zemrës së Krishtit u zhvillua “Java e Lutjes për Bashkimin e Kishave”, ku ishte e ftuar Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Morën pjesë në këtë veprimtari At Kristo Sharko, z. Aleko Dhima, sekretar i KOASh, z. Lekë Tasi, sekretar për fenë orthodhokse në Komitetin e Fesë, etj., ndërsa nga ana e Kishës Katolike, Imzot Rrok Mirdita, Imzot Ivan Dias etj.
Në takim u fol rreth historisë së ndarjes së dy kishave tona dhe për përpjekjet që po bëhen për kapërcimin e ndasive. Në takim uniatizmi u quajt si rrugë e superuar dhe e gabuar për afrimin, i cili duhet të mbështetet tek dialogu dhe bashkëpunimi i ndërsjelltë, kjo e parë edhe në frymën e tolerancës fetare që karakterizon popullin tonë. Veprimtaria u mbyll me një koncert të formacionit Pax Dei.