215 vjet më parë u martirizua në Kolkondas të Fierit shën Kozmai i Etolisë. Në vendin ku vetë shenjti kishte mbajtur meshë, në Kishën e Shën Marisë, u ngrit Kisha dhe Manastiri që mbajnë edhe sot emrin e tij; në të cilin ruhen e adhurohet lipsani i tij i shenjtë. Ashtu siç u ruajtën të paprekura në popull, nga brezi në brez, dashuria për njeriun e shenjtë. Por, manastiri i lulëzuar me kontributin e besimtarëve u dëmtua mjaft rëndë në vitet e regjimit të pafe komunist dhe u katandis për t’i ardhur keq çdokujt.
Ishte nevoja për t’i dhënë jetë të re kësaj tradite, që nxiti banorët e këtyre anëve për nismën e themelimit të shoqatës “Miqtë e Shën Kozmait”. Mbledhja themeluese, që u bekua nga At Refail Redhi, u mbajt në Kolkondas më 4 shkurt, në manastirin e Shën Kozmait, me pjesëmarrjen edhe të sekretarit të KOASh, z. Aleko Dhima.
Mbi bazën e statutit të miratuar edhe nga Këshilli i Përgjithshëm i KOASh, u bënë zgjedhjet, ku gjithashtu u propozua dhe u zgjodh njëzëri si kryetar nderi i shoqatës, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas.
Në këtë Lidhje mund të anëtarësohen të gjithë ata që adhurojnë plakun e urtë dhe të shenjtë, Shën Kozmain, pa dallim feje, kombësie a bindjesh politike.
Detyra parësore që Lidhja Orthodhokse “Miqtë e Shën Kozmait” i ka vënë vetes është ndriçimi më i mirë i figurës të të shenjtit Kozma dhe gjallërimi i besimit tonë orthodhoks nëpërmjet veprimtarive njohëse, botimeve të posaçme etj.
Pandeli Zaka