Drejtorisë së Përgjithshme të Radiotelevizionit
Drejtorisë së Televizionit Shqiptar
Trajtimi i pabarabartë është shenjë diskriminimi
Me anën e kësaj proteste duam të shprehim shqetësimin e Komunitetit Orthodhoks të Shqipërisë për mënyrën se si u trajtua nga Televizioni festimi i Krishtlindjes nga komuniteti ynë. Ne jemi të shqetësuar:
1. Për mosdhënien e kronikës së festimeve të vizitave të personaliteteve shtetërore e partiake në Kishën e Ungjillëzimit në emisionin e lajmeve të orës 8.00, të datës 25 dhjetor, i cili transmetohet edhe në valët satelitore. Kjo, në një kohë që kronikat e komuniteteve të tjera u dhanë rregullisht, madje edhe kronika nga festimi i Krishtlindjes në vende të tjera të botës. Ky veprim nuk mund të interpretohet veçse si diskriminues e intolerant dhe çdo justifikim nuk do t’i përgjigjej së vërtetës.
2. Në dhënien e përshëndetjeve në fund të natës së 3-të të Festivalit të Këngës, jo vetëm nuk u respektua radha e tyre, por, më keq, pati veprime që mund të konsiderohen si përçarëse. E themi këtë, sepse së bashku me urimet e kryetarëve të komuniteteve fetare, u transmetua edhe një urim nga at Liolini, kancelar i kishës së Shën Gjergjit, Boston, të varur nga Mitropolia Amerikane. Ne do të ishim plotësisht dakord që të transmetohej në çaste të tjera të programit televiziv, por konsiderojmë se dhënia e saj së bashku me ato të kryetarëve të komuniteteve fetare, pa asnjë përshëndetje nga klerikët e tjerë të diasporës, përbën një tentativë të “qepur keq” për të krijuar idenë e ekzistencës së dy Kishave orthodhokse, të dy grupimeve të besimtarëve orthodhoksë, e si rrjedhojë, të imazhit të një Kishe Orthodhokse të përçarë. Për më shumë, ky veprim u krye, megjithëse para transmetimit ishte protestuar verbalisht nga zoti Lekë Tasi, sekretar për fenë orthodhokse pranë Sekretariatit të Fesë në Ministrinë e Kulturës, pranë zotërinjve Skënder Bugpapaj e Ferdinand Samarxhi.
Gjithashtu, është qesharak, por edhe indinjues emërtimi “Kryepiskop i kryepiskopatës” për një prift të thjeshtë, kur personat që e kanë hartuar prezantimin e dinë shumë mirë të vërtetën. Ndaj, konkluzioni i vetëm që mund të nxirret është se ky veprim ka qenë i ndërgjegjshëm dhe i qëllimshëm.
E mbyllim këtë protestë me keqardhjen se këto veprime cënojnë figurën e televizionit demokratik në sytë e komunitetit orthodhoks të Shqipërisë, i cili nuk ka se si të mos e ndjejë veten të trajtuar në mënyrë jo të barabartë, situatë që e konfirmojnë edhe trajtime të tjera tendencioze, të herëpashershme, në emisionet e lajmeve, si dhe transmetimi i shumë pak kronikave nga aktiviteti i Kishës sonë (si fillime punimesh kishash, restaurime e përpunime, veprimtari në bashkëpunim me organizma ndërkombëtarë, veprimtari diakonale etj.), përveç kronikave të liturgjive.
Zyra e Shtypit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë