Nuk është mbushur ende një vit që nga krijimi i Lidhjes Rinore Orthodhokse “Bij të dritës” e megjithatë, shpejt ajo u bë e njohur në botën orthodhokse, si në takimet e zhvilluara në Rumani apo Selanik të Greqisë. Hapat e bashkëpunimit, në kushtet e një nevoje të madhe ndihme, tashmë janë hedhur. Një shprehje e tyre qe dhe vizita njëjavore e një grupi studentësh nga Universiteti i Athinës. Të tërë studentë në degë të ndryshme, por të lidhur si anëtarë të Bashkimit të Studentëve Kristianë. Kjo shoqatë zhvillon veprimtarinë e saj brenda gjirit të Kishës Orthodhokse Greke, duke rrezatuar dritën e besimit orthodhoks në mjedisin studentor, për kultivimin shpirtëror, si dhe frymën e vëllazërimit dhe ndihmës reciproke ndërmjet të rinjve orthodhoksë. Qëllimi i vizitës së këtyre të rinjve ishte jo thjesht njohja me gjendjen aktuale të orthodhoksisë shqiptare pas viteve të diktaturës, por edhe gjetja e mundësive dhe drejtimeve të bashkëpunimit të ndërsjelltë midis dy shoqatave tona.
Të rinjtë grekë bënë një ekspoze të tërë aktiviteteve së tyre dhe fushat përkatëse, ku shtrihej kjo veprimtari, ku një vend të rëndësishëm zinte pjesëmarrja në shërbesa fetare e diskutime të Shkrimit të Shenjtë, vizita në institucione bamirëse, spitale, dhënia e ndihmës atyre që kanë nevojë e, sidomos, kurset e katekizmit me fëmijë të grupmoshave të ndryshme.
Po kështu, nga të rinjtë tanë u bë e njohur veprimtaria thuajse njëvjeçare e “Bijve të Dritës”, si dhe u parashtruan drejtimet më të ngutshme të ndihmës për këtë periudhë të vështirë, që kjo shoqatë të rinjsh të zerë vend kryesor në përpjekjet për rimëkëmbjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale Shqiptare. Në ditët në vazhdim të rinjtë grekë, të shoqëruar nga ata shqiptarë, vizituan mjaft kisha në Durrës, Kavajë, Lushnjë, Fier, Elbasan, si dhe kishat në ndërtim në Shën Vlash, Shën Athanas apo ajo e Shën Gjergjit në Lushnjë. Veprimtari të tilla ndërmjet të rinjve do të zhvillohen edhe në të ardhmen, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Kristina Hanxhari