EmailFacebookKontakt

Hierodëshmori oshënar Nikita Shqiptari

Rreze nga Mali i Shenjtë

Hierodëshmori oshënar Nikita Shqiptari

“Përmendore të shkëlqyer fitoreje ngrite, o i lumtur Nikita, duke luftuar me mall për Zotin”

Oshënari Nikita, siç e shprehte vetë gjithnjë, “ishte nga viset e Shqipërisë”. Prindërit i kishte “kripto-kristianë”, gjë që tregon se duhet të ketë qenë nga krahina e Shpatit. Dihet se banorët e kësaj krahine, gjatë pushtimit turk, për të shpëtuar nga detyrimet ekonomike tepër të rënda, kishin pranuar formalisht myslimanizmin, ndërsa në fakt kanë qëndruar të krishterë të fshehtë gjatë gjithë asaj periudhe. Ata kryenin me fshehtësinë më të madhe natën shërbesat e shenjta fetare, ruanin me fanatizëm besimin, respektonin me rigorozitet kreshmët dhe të gjithë zakonet e tjera orthodhokse, mbanin dy emra, një mysliman zyrtar dhe një të krishterë. Të vdekurit e tyre i përcillte hoxha në varr, pasi më përpara natën prifti kryente në shtëpi shërbesën orthodhokse të vdekjes. Kjo gjendje vazhdoi deri më 1904 kur me nxitjen dhe mbrojtjen e Rusisë cariste orthodhokse, u shpallën publikisht se qenë orthodhoksë, pa pasur asnjë reaksion nga ana e qeverisë turke.

Shën Nikita lindi rreth viteve 1760-1770. Për kohën e rinisë së tij nuk kemi të dhëna. Dihet vetëm se, kur u bë në moshë të pjekur, duke qenë i dhënë shumë pas fesë edhe Kishës, shkoi në Ajonoros (në Malin e Shenjtë), në manastirin (skitin) e Shën Anës e u bë murg. Aty filloi ushtrimet shpirtërore duke jetuar me kreshmë, agripni dhe lutje. I dalluar në këtë jetë, i virtytshëm dhe i pastër moralisht, u propozua nga etërit e manastirit të hirotonisej klerik. U bë në fillim hierodhiakon e më vonë prift në manastirin e Shën Pandeleimonit që quhej “i Rusëve”.

E mundonte gjithnjë mendimi që rridhte prej prindërish, të cilët, ndërsa në të vërtetë qenë të krishterë, detyroheshin të paraqiteshin si myslimanë. Këtë ai e konsideronte mëkat. Prandaj vendosi që të dëshmonte për Krishtin. Lë, pra, Ajonorosin dhe vete në shumë fshatra të Serresit e të Dhramës duke lëçitur para turqve Krishtin si Perëndi të vërtetë. Arrestohet nga autoritetet turke, “burgoset, i vihet tym në frymëmarrje, i vihet në kokë një kurorë prej gjembash, i shkulin thonjtë, e varin me kokë poshtë”. Pastaj “i shoqëruar gjer në vendin e dënimit me të rrahura e me tallje, ekzekutohet me varje më 19 shkurt të vitit 1809, duke fituar kështu kurorën e dëshmorit të Krishtit”. Lipsani i tij i shenjtë, sipas biografëve, “në kohën që qëndronte në litar i varur, lëshonte rreze drite dhe, gjer më sot, për ata që i luten me besim, vepron shërime”.

Lipsani i Shën Nikitës sot është në skitin e Shën Anës në Ajonoros dhe shenjti përkujtohet vit për vit më 19 shkurt.

Më gjerë, mbarimi prej martiri i hierodëshmorit Nikita Shqiptari, përshkruhet në një letër të igumenit të manastirit të Iliupojës së Serresit Konstandin, drejtuar manastirit rus të Shën Pandeleimonit më 29 shkurt 1809, d.m.th. 10 ditë pas ekzekutimit. Kjo letër është një dorëshkrim i çmuar. Vlerë të veçantë kanë sidomos pohimet e dëshmorit për Krishtin përpara autoriteteve turke të vendit. Në këtë letër tregohet njëkohësisht se hierodëshmori Shën Nikita, duke iu përgjigjur pyetjes së igumenit të manastirit të Iliupojës Konstandin se nga ishte, i tha: “Jam nga viset e Shqipërisë”.

Po japim më poshtë të përkthyer shqip përlëshoren dhe madhërimin e Shën Niktës.

B.

Përlëshorja. Ting. I

Të gjitha pasionet e mishit i nënshtrove,
me lutje e agripnira, me vetëpërmbajtje e lotë,
depërtove errësirën e mospësimit, o Nikita i nderuar;
dhe duke lexuar Krishtin me guxim, luftove për
Të, o i lavdishëm. Lavdi Krishtit që të lavdëroi,
lavdi Atij që të kurorëzoi, lavdi Atij që vepron
me anën tënde, shërime për të gjithë.

Madhërimi. Ting. i rëndë

Stolinë e priftërisë sate, e ndrite me virtyte,
dhe më të ndritshme e bën me gjakun tënd
të martirizimit; prandaj dhe të dyfishtë e more
kurorën, o Shën Nikita i lavdishëm.