Festime të gëzuara të Krishtlindjeve dhe Ujit të Bekuar
Berat
Festë madhështore mbarëqytetare
Pas kremtimit me madhështi të ditës së Shën Spiridhonit më 12 dhjetor, që përkonte me treyjetorin e riçeljes së të parës kishë orthodhokse në Shqipëri, që mban emrin e këtij shenjtori të madh, pas Meshës së Madhe të Krishtlindjeve më 25 dhjetor, atmosfera e gëzuar e së cilës përfshiu për tri ditë të gjithë banorët e qytetit tonë, i erdhi radha festimit të 6 Janarit, ditës së shenjtë të Ujit të Bekuar.
Shumë orthodhoksë të Beratit u zgjuan qysh në orën 4 të mëngjesit dhe sipas traditës së lashtë, u nisën nga Kisha e Shën Spiridhonit të lagjes Goricë, drejt bregut të lumit Osum duke kënduar përlëshoren: “Në Jordan kur pagëzoheshe, o Zot, falja e Trinisë u shfaq.” Aty at Vangjel Xoxe me një ceremoni të bukur e bekoi ujin e këtij lumi.
Prej andej besimtarët u rikthyen në Kishën e Shën Spiridhonit, ku do të mbahej Mesha e Madhe e kësaj dite. Në fund të saj u bë bekimi i ujit, të cilin besimtarët do ta mbajnë në shtëpitë e veta për një vit të tërë, si shenjë të mirë të lumturisë familjare.
Gëzimin kësaj feste të bukur ia shtoi së tepërmi ardhja në Kishën e Shën Spiridhonit e Kryeministrit, zotit Aleksandër Meksi, së bashku me shumë ministra e deputetë, zz. Tritan Shehu, Tomor Dosti, Agron Musaraj, Maksim Konomi, Mitro Cela etj. të shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Beratit, zoti Ylli Ruli dhe nga autoritete të tjera.
Ata me dashamirësi u uruan orthodhoksëve beratas kremtimin sa më gëzueshëm të kësaj dite, zhvilluan një bisedë të përzemërt me Imzot Anastasin e At Vangjelin dhe morën pjesë në ceremoninë e hareshme të hedhjes së Kryqit në lumë.
Pas ceremonisë kishtare erdhi momenti kur Kryepiskopi Anastas dhe At Vangjeli, të shoqëruar nga dhiakonë, fëmijë të korit të kishës dhe mijëra besimtarë u nisën për në Urën e Goricës, nga do të hidhej në lumë Kryqi i Shenjtë. Ndërkohë mijëra e mijëra qytetarë beratas kishin zënë vend mbi urë pranë parmakëve të rrugës kryesore, në të dy anët e brigjeve të Osumit, mbi muret e lagjes Goricë, në kodrën e cerëve, ndërtuar mbi vendin e Kishës së vjetër orthodhokse të qytetit, për ngritjen e së cilës ende nuk po na jepet trualli, megjithëse ajo u shkatërrua e para. Kështu që, festime të tilla, janë të rralla për besimtarët orthodhoksë të Shkodrës, shtëpive të lagjeve Goricë e Mangalem. Shumë të rinj orthodhoksë ishin bërë gati për t’u zhytur në lumë, që ishte plotë me ujë nga shirat që kishin rënë dy-tri ditë përpara.
Mijëra sy kureshtarë ndoqën me emocione të papërshkruara çastin kulmor, kur Fortlumturia e Tij, Anastasi, pas një ceremonie të shkurtër fetare, hodhi Kryqin e Shenjtë në ujin e dallgëznar dhe kur nja njëzet të rinj beratas u zhytën me shpejtësi në ujin e shkumëzuar të lumit. Merita e kapjes së Kryqit i takoi të riut goricar, studentit të vitit të fundit të degës gjeografi të Universitetit “Eqerem Cabej” të Gjirokastrës, Gjergji Angjeliut, i cili duke shtrënguar fort e me krenari Kryqin e Shenjtë, i brohoritur nga bashkëqytetarët e vet, me sytë që i shkëlqenin nga gëzimi, ia dorëzoi atë Kryepiskopit, që e përgëzoi dhe e bekoi për emër të Perëndisë.
Beratasit, të entuziazmuar e të frymëzuar nga kjo ditë e shenjtë, u kthyen sërishmi në kishë, ku vazhdoi edhe për pak kohë një ceremoni e vogël dhe ku ata vazhdonin të ndiznin qirinj të shumtë dhe të merrnin ujin e bekuar.
Më pas Kryepiskopi Anastas, at Vangjeli, dhiakon Sotir Xhaferi dhe z. Aleko Dhima, sekretar i KOASh bënë një vizitë në familjen e Piro dhe Vjollca Angjeliut, prindërit e Gjergjit. Aty Kryepiskopi Anastas, i rrethuar nga shumë pjestarë e të afërm të kësaj familjeje të madhe goricare, me tradita të shumta të fesë orthodhokse, duke mbajtur gjatë gjithë kohës në prehër një vogëlushe 3-vjeçare, u interesua të mësonte sa më shumë gjëra të reja nga njerëzit që e rrethonin me shumë respekt si dhe për ndjenjat fetare të orthodhoksëve beratas. Ai dëgjoi me kënaqësi shpjegimet e Piro Angjeliut për gjyshin, dhe babanë e vet që kanë shërbyer si prift dhe kujdestar i kishës së Shën Spiridhonit për vite me radhë.
Miqtë u pritën dhe u përcollën nga kjo familje me bujarinë dhe zemërgjerësinë e goricarëve. Duke kaluar nëpër kalldrëmet e Goricës, Fortlumturia e Tij, Anastasi takonte me përzemërsi dhe përshëndetej me ngrohtësi duke folur me besimtarët beratas që ishin mbledhur aty, me të moshuar, me të rinj e të reja dhe veçanërisht me fëmijë e vogëlushë për të cilët ai vazhdimisht tregon një dashuri të veçantë.
Ndërkohë në rrugët e Beratit kishte gjallëri të madhe deri në orët e vona dhe beratasit të çdo moshe e të çdo feje u kthyen në shtëpitë e veta të mrekulluar, të lumturuar e krenarë që kanë ditur e dinë ta kthejnë ditën e Ujit të Bekuar në një festë të të gjithë qytetit.
Ilia Zaka
sekretar i Mitropolisë së Beratit